Mapo Letrare

O Zot, sa shumë zhurmë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 16:25 - 15/03/20 |
Nga Mark Simoni

Para shumë e shumë viteve, në gjyqin e poezisë, përmendej dhe një varg “Sa shumë zhurmë bëjnë këto gjërat e vogla”. Faslli Haliti dënohej dhe sikterrisej në bujqësi dhe për këtë varg.


Vërtetë. Sa shumë zhurmë bëjnë këto gjërat e vogla. Njerëzit me merita të vogla, enët boshe, fodullët, teneqetë, bëjnë shumë zhurmë, dhe tërheqin vemendjen drejt krismës së tyre. Dhe pa dashje shoqëria bie në kllapinë e këtyre “zhurmëtarëve”, i lavdron kot, iu sillet përreth, duke harruar dhe lënë menjëanë zërat e meritave të vërteta, përsonalitetet që kanë dhënë shumë dhe nuk i publikon askush. Nëpër shtëpi të thjeshta, të heshtur, të zhgënjyer, të përmbajtur e të përvuajtur, shtyjnë vitet e tyre njerëz që i dhanë jetën shoqërisë dhe tani nuk marrin dot pas as dhe respektin dhe vemendjen më të vogël të kësaj shoqërie.



Dje, me miken time, shkrimtaren Eli Kanina, ishim miq tek arkitekti i dëgjuar, shkrimtari dhe përkthyesi ekselent, i heshturi Petraq Kolevica. Nxënësi që mësoi shumë nga piktorët e mëdhenj Vanxhush Mio dhe Vanxhush Tushi, dhe tashti rri modest në pleqërinë e vet. Miku dhe njohësi përsonal i Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit, që kaloi vite e vite me to, rri i thjeshtë në kujtimet e tija aq të çmuara. Arkitekti i ndërtesës së parë më të madhe në Shqipëri, (shtatëkatëshi i vjetër i Korçës), projektuesi i ekspozitës “Shqipëria sot”, i bibliotekës “Thimi Mitko” në Korçë, i ndërtesave në rrugën e Ambasadave, i pallateve pas Bankës Kombëtare, dhe i dhjetra ndërtesave “zonja” në të gjithë Shqipërinë, rri i heshturt dhe pa bërë zë, duke ngrysur ditët e tij mes 80 dhe 90 vjetësh. Autori i disa romaneve dhe vëllimeve me poezi, nuk belbëzon dhe as krenohet për asgjë, dhe as ankohet, por rri stoik në vetminë e tij, pa rrahur gjoksin. Përkthyesi i poetëve gjermanë dhe austriakë (antologjia e botuar nga gjuha gjermane), përkthyesi i poezisë tradicionale dhe moderne japoneze, (antologji e përkthyer nga njëra prej gjuhëve aziatike), përkthyesi i famshëm i “Demonit” të Lermontovit, (përkthyer nga rusishtja), di vetëm të heshtë dhe mos të mburret. Heshtje fisnike e njeriut të ditur.


E gjitha kjo më kujton një brengë të të madhit Pashko Gjeçi (përkthyesi më i mirë i Dantes në Europë, shpallur nga Sandro Bertini, president i Italisë). Qe 92 vjeç. Me buzën që i dridhej më tha kur shkova ta takoja: “Ka 15 vjet që s’e ka kaluar njeri këtë prag dere.”. Dhe nuk e kishte as 100 metra shtëpinë larg nga Tajwani, ku të paktën mësues letërsie, (që marrin rrogën prej dhjetra vitesh edhe prej Dantes së përkthyer nga Pashko Gjeçi), të kishin vizituar Pashkon, por nuk e kishin lënë qoftë dhe një herë të vetme kafenë për të vizituar përkthyesin e famshëm.

Këto ditë qe ngazëllyer i tëri, dhe gëzonte si një fëmijë i lumtur, mbasi Shoqata e Arqitektëve të Europës Lindore dhe Qendrore e kishte lauruar me një çmim të rëndësishëm për vlerat e tij si projektues. Por këtë fakt nuk e kishte marrë vesh askush, (ndoshta vlerësimi më i madh për një arqitekt shqiptar), mbasi atmosfera kolektive e jona është e mbushur me jehonën e entuziasmit të çertifikatave dhe çmimeve të katundeve.

Nga biseda me Petraq Kolevicën, unë dhe Eli u kënaqëm, por më shumë u gëzua ai për vizitën tonë, për librat e këmbyer, për harenë që dërguam në atë shtëpi që kalonte ngadalë e pa zhurmë ditët.

Sa fisnike dhe e madhe heshtja e diturakëve dhe të lexuarve, po aq bezdisëse zhurma e të paaftëve, të pa talentuarve, që na lodhen me fodullekun dhe megalomaninë a mitomaninë e tyre.

Kjo bisedë e këndëshme me Kolevicën, plot ngjarje dhe përjetime, kulturë dhe dije, do të jetë në Suplementin Letrar të gazetës MAPO.


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas