Aldo Renato Terrusi u rrit në Itali vetëm nga e ëma, pasi babai i tij ishte burgosur dhe kishte vdekur në Burgun e Burrelit, fill pas ardhjes së komunistëve në pushtet. Por Aldo u rrit me historinë e babait, dhe sapo diktatura ra, ai shkeli për herë të parë në Shqipëri në vitin 1993 me një qëllim të epërm; gjetjen e eshtrave të babait.
Prej dekadash është endur në dyert e institucioneve, pa arritur do të zgjidhë gjë. Një vit më parë, në tetor, ai do të shkruante “Odiseja ime vazhdon…”, duke shprehur pesimizmin e tij. Djali i ish-drejtorit të Bankës italo-shqiptare në Vlorë, tregon për Kujto.al odisenë 26-vjeçare, në kërkim të një të drejte, e cila, sipas tij, do e ndihmonte Shqipërinë në rrugën e saj për në BE.
Odiseja ime vazhdon…
Nga Aldo Renato Terrusi
Burgosjen e Giuseppe-s dhe vartësve të tij, e pasoi nxjerrja nga banka e të gjithë familjes e cila u detyrua të jetonte në shtëpinë e gjyshërve në Vlorë. Në 1946, familja u shpërngul në Tiranë. Në 1949, të gjithë anëtarët e familjes u riatdhesuan, si refugjatë dhe u ridërguan në Itali.
Pas 7 vitesh të rënda burgu, Giuseppe ndërron jetë në Burrel, në 2 mars 1952.
Çfarë mund të thuhet më shumë? Mjafton të rilexosh vendimin e gjyqit, për të kuptuar me sa shurdhëri, arrogancë, dashakeqësi dhe injorancë ndaj ligjeve më bazike morale dhe civile kanë vepruar gjyqtarët ushtarakë të “Gjykatës së Enverit”.
Në këtë mënyrë, Enver Hoxha kënaqi krenarinë dhe egon e tij prej diktatori dhe “supernjeriu”, duke arritur dy fitore të rëndësishme personale:
-Kishte eleminuar një intelektual, edhe pse i pafajshëm, shumë të njohur dhe të rëndësishëm.
-Ishte hakmarrë për refuzimin e Aurelias ndaj pretendimeve të tij.
Por në Shqipëri, për paranojën e “shefit të madh”, vuajti më shumë populli i saj që ra në kultin e personalitetit të ngritur me mjeshtëri nga Enveri dhe Komiteti i tij. Idhull i vetes, me pushtetin e fituar pa lavdi, Enveri ia doli të ushtronte mbi kombin e ri shqiptar, rolin magjepsës të “Babait të Kombit”, babait që në krenarinë e tij boshe, shtypi dhe vrau për 50 vjet, bijtë e tij që ende paguajnë mbi lëkurën e tyre ambiciet delirante të një njeriu jashtë historisë.
Pasi kam dëgjuar dëshmitë e drejtpërdrejta dhe të tërthorta, pasi kam qenë në vendet ku është zhvilluar historia tragjike e familjes sime, nga Gjirokastra në Vlorë, nga Tirana në Burrel, pasi kam gjetur mrekullisht dokumente origjinale të procesit të Vlorës të vitit 1945 të babait tim me ndihmën e mikut të fëmijërisë, Gëzim Peshkëpia, mund të konfirmojë që kam mbërritur në fund të kërkimit tim personal të së vërtetës historike.