Aktualitet

“Odiseja” e Reformës në Drejtësi








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 12:02 - 30/09/20 |
Opinion nga Alesia BALLIU*

Reforma në Drejtësi është formësuar si një prej përpjekjeve më të mundimshme për të ribërë nga themeli një prej bazamenteve kryesore të formimit të shtetit, të një populli të përvuajtur me një tranzicion të dhimbshëm prej jo më pak se 30 vitesh.


Përpara se të jap një analizë të shkurtër juridike të këtij procesi, do të doja të bëja një parantezë, e cila konsiston në paralelizmin midis reformës në sistemin e drejtësisë, dhe “Odisesë” (e them këtë për procesin e një udhëtimi endje të përzgjatur të cilin ka marrë ky proces).


Kjo reformë u trumbetua si një proces i cili do të jepte rezultate të menjëhershme dhe një ri-imagjinim themelor të drejtësisë për një periudhë relativisht të shkurtër, pavarësisht gjithçkaje, dhe falë ndërhyrjes së elementit të vullnetit politik ndërkombëtar. Rezultati i deri më tanishëm ka qenë një endje e tejzgjatur, e cila ka lënë një popull të tërë në pritje, ndërkohë që një reformë e cila duhet të vijë nga momenti në moment, premton të bëjë vepra të mëdha dhe të shumëpritura. Në këtë kontekst, populli shqiptar, por edhe funksionaliteti i sistemit të drejtësisë (dhe për rrjedhojë e të gjithë zinxhirit institucional), ka mbetur si Penelopa e famshme, me sytë nga qielli duke pritur me durimin më të madh një ndryshim titanik i cili supozohet të ndodhet gjithmonë veç një hap larg.


Duhet thënë se Reforma në Drejtësi është përpjekja më e madhe në kolonën e rëndësishme të ngrehinës së shtetit ligjor, e cila tenton të kryejë ndryshimin e madh, duke i dhënë fund tranzicionit të mundimshëm shqiptar. Kjo reformë është elementi më i rëndësishëm për të gjitha shtetet në rrugën drejt demokracisë dhe në rrugën e krijimit të shtetit ligjor. Shqipëria këtë reformë, në mënyrën e saj, po e realizon si rast i përveçëm. Kjo reformë është nisur dhe mbështetur fuqimisht nga faktori ndërkombëtar dhe padyshim nga Brukseli dhe Washingtoni, gjë e cila është dhe thelbi i sigurisë për të gjithë, se, në fundin e saj, do të kemi një sukses që do të bëjë të mundur drejtësinë fitimtare mbi korrupsionin, krimin, dhe padrejtësitë shoqërore. Duhet të kuptojmë se sundimi i ligjit në një shtet është i rëndësishëm sepse ai është i lidhur zinxhir dhe është motori që sjell pas vetes mjetet për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore, një element kryesor për qeverisjen e mirë, decentralizimin, uljen e varfërisë, zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin e paqes së konsoliduar në çdo vend. Koncepti është shumëngjyrësh dhe rezulton në qasje dhe përparësi të ndryshme dhe ndonjëherë edhe konfliktuale për reformat ligjore dhe gjyqësore.


Do të analizojmë shkurtimisht, se çfarë është, në çfarë konsiston, dhe deri ku ka arritur deri më sot kjo reformë “Odise”. Në thelb të Reformës në Drejtësi ishte miratimi nga Kuvendi i amendamenteve kushtetuese më 21 korrik 2016, ku, nga 26 nenet e Kushtetutës që i përkisnin sistemit të drejtësisë, Reforma ndryshoi 21 prej tyre dhe në nenet e Kushtetutës u shtuan të paktën 23 pika të reja. Për më tepër, të tria institucionet e përcaktuara në Kushtetutë u shkrinë dhe u parashikua krijimi i të paktën 12 institucioneve të reja. Miratimi i ndryshimeve kushtetuese u pasua nga miratimi i paketës së Ligjeve Organike, e cila nënvizoi ligjin për rivlerësimin e përkohshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. Krijimi i kushteve të një aprovimi dhe bashkëpunimi, dhe pse i vështirë, mes palëve në politikë, në këtë rast, si në sy të shoqërisë shqiptare dhe ndërkombëtarëve, ishte dhe themeli i përvijimit në këtë korsi, e cila po shkonte me vështirësi drejt krijimit të një “autostrade” sistemi ligjor të ri.


Kanë kaluar më shumë se katër vite e gjysmë nga miratimi i Reformës në Drejtësi, më 21 korrik 2016, në Shqipëri, nën një presion të fortë si nga SHBA ashtu edhe nga BE. Reforma është e përbërë nga gjashtë ligje të cilat janë “gur themeli” mbajtës i kësaj reforme, të cilat modifikojnë në mënyrë strukturore Kushtetutën shqiptare, duke modifikuar gjithsej 45 nene të saj. Kjo në syrin konservator të ligjvënëseve perëndimorë mund të jetë një “çmenduri kushtetuese”, por në praktikat e vendeve lindore, por edhe të një shteti me një tranzicion të lodhshëm e degradues për sa i përket zbatimit të ligjit, duket si diçka afër normales, e cila, në anormalitetin e saj, tenton krijimin e kushteve për një “drejtësi të drejtë dhe të pavarur”. U parashikuan dhe u realizua me vështirësi të madhe (deri më tani vetëm një pjesë e tyre) në këtë reformë krijimi i institucioneve të reja, si një organizëm i ri i prokurorisë speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e njohur nën akronimin SPAK, po ashtu një gjykatë e re e specializuar kundër korrupsionit, Këshilla të riorganizuara gjyqësore dhe prokurori, Byroja Kombëtare e Hetimit, Këshillat e emërimeve gjyqësore dhe një zyrë e re e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Pra, me Reformën në Drejtësi, Kushtetuta e re ndryshon ose rivendos disa nga institucionet e vjetra të drejtësisë (p.sh. Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Konferenca Kombëtare Gjyqësore) dhe sanksionon institucione të reja si Këshilli i Lartë Gjyqësor, Zyra e Prokurorit të Lartë dhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë.

Po në thelb çfarë duhet të realizojë kjo Reformë në Drejtësi? Pra, cili është qëllimi përfundimtar i reformës? Për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të përmendim faktin e rëndësishëm se reforma në sistemin e drejtësisë në Shqipëri është konceptuar mbi 7 shtylla bazë. Në mënyrë të veçantë, këto shtylla janë: 1. Sistemi i drejtësisë sipas Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese; 2. Pushteti gjyqësor; 3. Drejtësia Penale; 4. Edukimi Ligjor; 5. Shërbime juridike dhe profesione falas; 6. Masat në luftën kundër korrupsionit si dhe 7. Financimi dhe mbështetja e infrastrukturës së sistemit. Këto 7 shtylla janë gjithashtu përbërësit kryesorë të Analizës së Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri. Në qendër të procesit të reformës është vlerësimi i kualifikimeve, si procesi i verifikimit të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve. Performanca e institucioneve gjyqësore ishte e para që u vu nën lupën e reformës, pasi performanca e institucioneve gjyqësore varet jo vetëm nga efikasiteti operacional, por edhe nga qasja e tyre për grupet në nevojë dhe efektiviteti në realizimin e të drejtave të njeriut, të drejta kaq gjatë të munguara për popullin shqiptar. Reformat në sektorin e drejtësisë shihen gjithnjë e më shumë nga një perspektivë sistemike, si një seri institucionesh dhe procedurash të ndërlidhura për t’u analizuar dhe përmirësuar. Për më tepër, sistemet juridike dhe gjyqësore nuk janë të kufizuara në ligje dhe institucione zyrtare “moderne”, ato përfshijnë ligje dhe procedura joformale dhe tradicionale. Qëllimet e reformës gjyqësore duhet të bazohen në parime të shëndosha që përmirësojnë cilësinë e drejtësisë për qytetarët dhe duhet të përfshijnë aspekte të rëndësishme si përmirësimi i imazhit të gjyqësorit; sigurimi i një sistemi efikas që nuk kompromenton cilësinë e drejtësisë dhe qasjen në drejtësi; rritja e besimit të publikut në sistemin gjyqësor si dhe përmirësimi i cilësisë së qasjes në drejtësi, veçanërisht për kategoritë e cënueshme.

Aktet e reja ligjore mbi organet e sistemit të drejtësisë, bazuar në 7 shtyllat, përcaktojnë rregulla se si të organizohen dhe funksionojnë katër organe të reja kushtetuese që garantojnë një qeverisje të drejtë, të pavarur, transparente dhe të besueshme të sistemit të drejtësisë. Organet ekzekutive të Reformës në Drejtësi janë Këshilli i Lartë Gjyqësor (HRC), Këshilli i Lartë i Prokurorëve (PJC), Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë (ILD) dhe Këshilli i Emërimeve (KE). Për më tepër, këto akte juridike, në kapituj dhe në seksione të veçanta, parashikojnë detyra dhe përgjegjësi për institucionet e tjera si Dhomat e Avokatisë, Dhomat e Noterëve, Trupat e Pedagogëve dhe Rektorati, Shkolla e Magjistraturës.

Pjesë e pandashme e Reformës në Drejtësi është dhe procesi i Vetingut. Procesi i Vetingut është një nga mekanizmat më të rëndësishëm të aplikuar në demokracitë në tranzicion. Gjatë viteve, Komisioni Evropian ka tërhequr vëmendjen për faktin se sistemi gjyqësor në Shqipëri ka qenë shumë i prekur nga politizimi, korrupsioni dhe bashkëpunimi i dobët ndërinstitucional. Prandaj, në opinionin publik, shoqërinë civile dhe shoqërinë në përgjithësi, ky proces ishte ai më domethënësi e shpresëploti se diçka ndryshe, më e drejtë dhe më e qartë po ndodhte me gjyqtarë, prokurorë dhe sistemin e kalbur politik të drejtësisë në postkomunizmin dhe tranzicionin e stërzgjatur shqiptar. Procesi, si në sy të specialistëve dhe botës akademike, por dhe ndërkombëtarëve, është shumë kompleks dhe i vështirë, sidomos në një shtet me një të kaluar diktatoriale, në mungesë të theksuar të shtetit ligjor dhe drejtësisë së pavarur, por dhe të sotmes me shumë ndikim politik dhe korrupsion. Aq më tepër midis përplasjeve politike, mos dakordësive, edhe pse palët politike shprehen në favor të saj, por që, në fakt, përbën dhe atë që mund të jetë suksesi, qoftë dhe i dyshuar, i të vetmes reformë e çuar me shpresë deri në fund dhe e ndjekur ngushtësisht nga SHBA dhe BE.

Nga të gjitha veprimet e bëra deri tani në kuadër të Reformës në Drejtësi, përplasjet politike janë të mëdha. Politikisht reforma konsiderohet e deformuar dhe mund të thuhet se, përgjatë zbatimit të saj, nuk është arritur të ruhen aspekti më i pastër i qëllimit që ajo mbart në vetvete, pra krijimin e një shtet ligjor. Por më e rëndësishmja është që zbatimi i kësaj reforme, deri më tani, nuk ka arritur objektivin e saj të parë, nuk ka bërë ende që njerëzit të besojnë te drejtësia shqiptare, përkundrazi, tani populli shqiptar beson se shteti ka arritur të deformojë dhe të ndërhyje edhe aty ku u ngrit një reformë në thelb nga vetë, nga SHBA dhe BE. Por në përgjithësi, dhe pse Reforma në Drejtësi është padyshim e mirëpritur dhe e kërkuar nga të gjithë, debati dhe përballja mes krahëve politikë, akuzat për një anshmëri, janë të rënda dhe të shumta. Në konkluzion të kësaj “Odiseje”, mund të themi vetëm se u ndërtua një sistem drejtësie tepër i ndërlikuar, i anatemuar ashpër nga Komisioni i Venecias dhe i panjohur në asnjë vend demokratik, pra një eksperiment i kryer për herë të parë në Shqipëri. Ngjashëm me tranzicionin tonë, shteti arriti ta ktheje edhe Reformën në Drejtësi në një “Odise” të pambarimtë.

E në bazë të kësaj kritike lind pyetja: pas katër vitesh çfarë rezultatesh kemi? Mirëpo, kjo sjell dhe vonesat, krijimin e procesit tipik “stop moment” reformë për të mos thënë prishje të themeleve aty ku ato nuk ndërtohen mirë. Kjo gjë solli, për mendimin tim, arsyen pse nuk është ngritur akoma Gjykata Kushtetuese; nuk është ngritur akoma Gjykata e Lartë; nuk ka përfunduar ndërtimi i SPAK-ut, si institucion i ri i pavarur hetimi; nuk është ngritur akoma plotësisht Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH ) e cila parashikohet t’i ngjajë një FBI-je sigurisht shqiptare dhe që do të shikohet nëse do të fillojë shpejt dhe me shpresën në mënyrë të saktë. Të gjitha këto pas katër vitesh miratimi dhe detyrimi në Kushtetutë që është një vonesë e madhe.

Në përfundim të kësaj analize duhet të fokusojmë se sa themelor është formimi i saktë i sistemit të drejtësisë si një nyje gordi në shtetin demokratik shqiptar. Elementi politik shqiptar duhet të realizojë përkundrejt çdo vështirësie reformën si rrënjë e pemës së madhe të formimit universal të brezave pasardhës. Mosimplementimi i reformës, apo implementimi i gabuar i saj, do të prodhonte pasoja të tilla negative, të cilat nuk do të ketë teori relativiteti e as teori graviteti që t’i riparojë. Do të jetë tranzicioni i dytë i thellë dhe i pariparueshëm për Shqipërinë.

*Juriste, studiuese e së drejtës


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas