Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma gjithnjë është komentuar për stilin në të veshur. E megjithatë, ajo vijon t’i qëndrojë besnike shijeve dhe stilit të njëjtë.
Duma ka treguar gjatë një interviste për “My Living” se shumicën e veshjeve i ka të qepura dhe se ndihet komode me stilin e saj. Ajo është shprehur më tej se kjo nuk do të thotë për të përjashtim nga blerjet, ndonëse theksoi se nuk tundohet lehtë.
“S’do të thotë që unë nuk blej. Unë ofendohem nga tendenca për të blerë shtrenjtë. Unë jam e bindur që shumica e njerëzve më kuptojnë kur them që tregu të blen ose e blen. Nuk është çështje për të thënë a kam apo s’kam, se ky është një diskutim që secili e ka relativ pastaj. Unë mendoj që një njeri i fisëm është ai që blen mençur. Pra, nuk të blen tregu ty, por ti blen një gjë që të shërben”, është shprehur ajo, duke treguar se vijon t’i qëndrojë besnike teorisë “më pak është më mirë”.
“Çfarë them unë që funksionon, sidomos me kamerën janë një-ngjyrëshet. Nuk duhet luajtur me ngjyra se ç’fokusohet nga personaliteti. Unë përshembull nuk përdor aksesor fare. Aty ku mendoj që nuk më shkon, nuk guxoj. Mbajtja e një stili që është i joti, që njeriu e kupton dhe vetë, që me atë gjë ti dukesh mirë”, ka përfunduar ajo.