Fjalët ofenduese ndaj vendit ku luan dhe jeton nuk mund të kalonin thjesht me një ndjesë publike. Kështu Zlatan Ibrahimoviç është ndëshkuar me 4 ndeshje pezullim për fjalët aspak të hijshme që lëshoi ndaj Francës në nerva e sipër pas humbjes së Paris Saint Germain ndaj Bordeaux. Suedezi i njohur për reagimet impulsive u kap nga kamerat duke ofenduar arbitrin e takimit, ndërsa më pas iu drejtua Francës me pretendimin se nuk e meriton talentin e tij. Reagimet ishin të shumta, aq sa në këtë vorbull polemikash u përfshi edhe politika me zëra që arritën deri aty sa kërkuan dëbimin e futbollistit nga vendi.
I penduar ose jo për ato që tha, Ibra gjithsesi doli sërish para popullit francez por këtë herë duke kërkuar ndjesë. 33-vjeçari sqaroi se nëse nuk do t’i pëlqente Franca, atëherë ai nuk do të kishtë firmosur kontratë të re me parizienët, por përkundrazi do të ishte larguar. Gjithsesi Federata Franceze ka menduar se Ibrahimoviç nuk mund t’ia hidhte pa u lagur, duke vendosur kështu pezullimin e tij në 4 takimet e radhës. Konkretisht në këtë fazë delikate të kampionatit, ku Parisi udhëheq vetëm me një pikë para Lyonit, Zlatan nuk do të jetë në ndeshjet me Nice, Lille, Metz dhe Nantes./SuperSport