Dy persona të tjerë janë vënë sot në shënjestrën e Operacioni Forca e Ligjit, të detyruar të bëjnë deklarimin e pasurisë që disponojnë. Agjentja e OFL-së ka bërë me dije në një deklaratë për mediat se u është dërguar formulari që u kërkon të justifikojnë pasuritë dy të dënuarve me burg për trafik droge nga drejtësia italine.
Bëhet fjalë për shtetasit Gazmend Mahmutaj dhe Edison Çobo, nga Berati, të cilët brenda 48 orësh duhet të bëjnë dekarimin e pasurisë.
Deklarata
OFL, 18 shkurt
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon operacioni Forca e Ligjit, në bashkëpunim me strukturat vendore të Policisë, për dërgimin e kërkesave për vetëdeklarim të pasurisë.
Në këtë kuadër, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë shtetasve:
G. M., banues në Berat, i dënuar në Itali për “Trafikim të lëndëve narkotike”;
E. Ç., banues në Berat, i dënuar në Itali për “Trafikim të lëndëve narkotike”;
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së.
Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse, për të evidentuar dhe dërguar në SPAK, të gjithë personat që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.