Pandemia ndryshoi linjat ndërkombëtare të trafikimit të drogave të forta. Sipas raportit më të fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ky ndryshim ndodhi nga mbyllja e kufijve tokësorë dhe ajrorë në vendet e Bashkimit Europian dhe të Ballkanit. Provë për këtë raporti sjell sekuestrimin e sasive të mëdha të kokainës në portet europiane dhe të heroinës në portet që lagen nga Oqeani Indian.
Rrugët ajrore, që janë thelbësore për trafikimin e heroinës, kanë ndryshuar për shkak të anulimit të fluturimeve dhe mbylljes së kufijve, thekson ky raport.
Nga ana tjetër, pandemia e koronavirusit ndikoi për uljen e cilësisë dhe rritjen e përdorimit të drogave dhe të trafikimit.
Agjencia e Drogave dhe e Krimeve e OKB thotë në raportin e vitit 2020 se rritja e papunësisë dhe zvogëlimi i mundësive për të punuar si pasojë e përhapjes së COVID-19 pritet të ndikojnë në mënyrë jo proporcionale më të varfrit, si dhe t’i nxitë përdoruesit e drogave më të lehta drejt atyre më të rënda.
“Kriza e koronavirusit dhe rënia ekonomike mund të shtojë rrezikun nga drogat në një kohë që sistemet shëndetësore janë ende të brishta dhe shoqëritë në vështirësi për t’i bërë ballë kësaj gjendjeje,” tha drejtorja ekzekutive e agjencisë Ghada Waly.
Sipas agjencisë së OKB-së se bota duhet të kujtojë dhe nxjerrë mësime nga kriza financiare e vitit 2008, kur përdorimi i drogave arriti nivele alarmante.
Në lidhje me përdorimin, raporti që u përqendrua në vrojtimet midis viteve 2018 dhe 2019, thotë se janë evidentuar rreth 269 milionë përdorues, një rritje prej rreth 30% nga viti 2009, ndërsa mbi 35 milionë vetë vuajtën probleme të tjera të shkaktuara nga përdorimi i drogave.
Cannabisi ishte droga më e përdorur në periudhën 2018-2019, ndërsa më të dëmshmet ishin substancat psikotrope me përmbajtje opiumi.
Adoleshentët dhe të rinjtë janë përdoruesit më të shumtë dhe gjithashtu, nënvizon raporti, më të prekurit nga ndikimi i drogave.
“Ne ju bëjmë thirrje të gjitha qeverive të tregojnë solidaritet dhe të japin mbështetja, sidomos në vendet në zhvillim, të nxisin drejtësinë dhe mos lënë njeri pa përkrahje,” shton drejtorja Waly.