Aktualitet

Omerta-ja për “Vullnetarët e Edvinit”, si shitje zgjedhjesh ditën për diell














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:00 - 19/04/21 |
Ilir Nikolla

Tentativat e Edi Ramës për t’i paraqitur “patronazhistët” si një dukuri normale në çdo fushatë zgjedhore s’duhet të errësojnë përpjekjen shoqërore mbarëkombëtare për t’ia gjetur melhemin kësaj tradite të zezë që enverizmi dhe Sigurimi i Shtetit la ndër ne. Përpjekja për normalizimin e patronazhistit, shoqëruar edhe me kërcënimin “patronazhistëve u merrni të keqen” kanë në fakt një historik jo aq të varfër në politikën shqiptare.





Shpeshherë në media kemi hasur pezmin e shumëkujt, se si ka mundësi që asnjë i përndjekur politik, i afërm i tyre apo edhe aktivist i shoqërisë civile nuk u shfaq në rrugë këto 30 vjet që të pështynte oficerët e Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtorët e tyre apo të ashtuquajturit “80 lekësha”, emrat e të cilëve filluan të qarkullonin në publik pas viteve ’90. Shoqëria shqiptare, ende e traumatizuar nga diktatura dhe disi e dehur nga liria e dëlirë e ’90-s e përqafoi fort lajtmotivin “jo hakmarrje, sepse të gjithë bashkëvuajtës e bashkëfajtorë”. U ndërtuan tabela emulacioni me sjelljen johakmarrëse të ish-të burgosurve politikë, gati-gati u ndërtuan edhe memoriale kushtuar aftësisë së tyre për të falur.


30 vjet më vonë, e njëjta formulë, një shartesë mes Gestapo-s dhe enverizmit, është rikthyer në skenë – prej dëshpërimit – nga Edi Rama, dhe në javën para zgjedhjeve, në panik se zbulimi i emrave mund të rrezikojë efektivitetin e skemës më 25 prill, ai po rikthen aksiomën: “patronazhistët janë të paprekshëm, pasi kështu ka qenë jetë e mot”.





Jemi 30 vjet më vonë dhe s’mund të përsërisim të njëjtat gabime si më 1991. Asnjë omerta s’duhet të ketë për “patronazhistët” e Edi Ramës, edhe në qoftë se rrezikojmë të shkurajohemi prej drojës së një konflikti civil. Ata janë produkt i paligjshmërisë, masha regjimi dhe të ndërgjegjshëm e pasionantë për aktin e paligjshëm që kryejnë. Ky soj “vullnetarizmi” duhet denoncuar me emër e mbiemër, sa të mundemi e ku të mundemi këtë javë parazgjedhore, pasi kështu japim një kontribut të vyer në shpëtimin e zgjedhjeve të 25 prillit.
Pas kësaj date, duhet të nisë një rend i dytë përplasjeje me “vullnetarët” e Edvinit, si një “sanatoria” për ta çliruar njëherë e mirë shoqërinë tonë nga një kategori mercenarësh që, e bindur se s’i hyn gjemb në këmbë – meqë te ne mbizotëron tabuja e paprekshmërisë së spiunit – është gjithmonë një trupë e gatshme për t’u angazhuar në rrënimin e demokracisë dhe në instalimin e çfarëdolloj klike e oligarkie që paguan.



Omerta-ja ndaj “vullnetarëve” të Edvinit duhet shkelur menjëherë. Më pas, do të jetë më e thjeshtë, që në këtë javë, “minjtë ta braktisin anijen” e regjimit e të mos dalin jashtë derës së shtëpisë, më 25 prill. Pas kësaj dite, shoqëria jonë do të gdhihet më e shëndetshme dhe ndoshta s’do të hasim më aeroporteve të Evropës arrogancën e pinjollit të diktatorit, që në Milano iu dërmush vajzës së një ish-të të përndjekuri politik: “s’keni ç’na bëni, m…in do na hani”.


Gabimet e ’90-s s’duhen përsëritur, pasi e kemi përditë përballë nesh leksionin se demokracia duhet fituar përditë, pasi përditë kemi tentativa për të ringjallur diktaturën, nën “fytyrat” e reja të brezave të nomenklaturës. Omerta-ja për “vullnetarët e Edvinit” duhet prishur menjëherë, pasi përndryshe, nuk do të kemi të bëjmë më me shpirtmadhësinë tonë për të falur “spiunët”, por me një shitje të pastër zgjedhjesh, ditën për diell.

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas