Gjyqtari i pezulluar i Kolegjit, Luan Daci arriti të kalonte filtrat e Avokatit të Popullit, ONM-së dhe Kuvendit vetëm një vit pasi ishte skualifikuar nga KLD, në një garë për gjyqtar, për shkak të shkarkimit të vitit 1997. E prapë, ja doli të sigurojë një post në institucionin më të lartë të vettingut, Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) ka dalë me një qëndrim pas këtij debati, në përgjigje të pyetjeve të marra nga media.
A është e vërtetë që ONM-ja ka hedhur poshtë një kërkesë nga një vlerësues për të marrë në konsideratë veprime disiplinore ndaj z. Daci?
ONM: Kundër z.Daci janë ngritur akuza në vëmendjen e vëzhguesve ndërkombëtarë. Ndërsa faktet i paraprinë fillimit të procesit të vetingut, vëzhguesit, sipas parashikimeve të ligjit të vetingut, nuk ishin kompetentë për të ndërmarrë veprime nga pikëpamja disiplinore. Mekanizmi disiplinor i parashikuar në ligjin e vetingut zbatohet për sjelljen e anëtarëve të institucioneve të vetingut që nga momenti i emërimit të tyre në detyrë e tutje. Sidoqoftë, ONM-ja sinjalizoi se për të vlerësuar lidhjen kriminale, personat që i paraqesin këto akuza duhet t’u drejtoheshin autoriteteve gjyqësore kompetente në Shqipëri, ashtu siç edhe ndodhi.
Gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, i cili u pezullua nga detyra, pasi është nën hetim për falsifikim dokumentesh, që prej fillimit të procesit të vettingut ka qenë në total pjesë e 84 proceseve gjyqësore për gjyqtarë dhe prokurorë, 38 prej të cilëve janë shkarkuar dhe janë tashmë vendim i formës së prerë, ONM nuk e sheh të nevojshme revokimin e tyre.
A duhet të revokohen të gjitha vendimet e miratuara nga Dhoma e Apelit me një anëtar të dyshuar si mashtrues?
ONM: Ne konstatojmë se puna e Dhomës së Apelit ka qenë tërësore në thelb. Vendimet e marra nga Dhoma e Apelit janë miratuar në bazë të një mekanizmi kolegjial të vendimmarrjes, nga një kolegj apeli i përbërë nga pesë anëtarë dhe për këtë arsye jo i varur nga një individ i vetëm.
Të pyetur se si është e mundur që ONM-ja nuk i ka vërejtur këto çështje për të cilat akuzohet zoti Daci, kur ONM-ja ishte pjesë e para-vetingut, sqarohet:
ONM: Ligji i vetingut dhe Kushtetuta shqiptare i atribuojnë një rol specifik monitorimi ONM-së në procesin përpara formimit të institucioneve të vetingut. Vëzhguesit e ONM-së kishin një periudhë prej katërmbëdhjetë ditësh për të shqyrtuar të gjithë dokumentacionin e paraqitur nga kandidatët dhe më pas nxorën vlerësimin dhe rekomandimet e tyre të arsyetuara (sipas Nenit 7, paragrafi 7 i Ligjit 84/2016). Siç thuhet në secilin parashtrim para parlamentit shqiptar si autoriteti emërues, vlerësimi dhe rekomandimet e arsyetuara të nxjerra për aplikantët u hartuan në bazë të njohurive më të mira të vëzhguesve, si dhe mbi bazën e informacionit të vënë në dispozicion brenda afatit të rreptë të parashikuar me ligj.
Për çështjen specifike që lidhet me mosveprimin e pretenduar të z. Dacit për t’iu nënshtruar një veprimi disiplinor gjatë kohës që shërbente si gjyqtar, ONM-ja vëren se në dokumentacionin dhe jetëshkrimin e dorëzuar nga aplikanti në vitin 2017, dhe që u është vënë në dispozicion vëzhguesve në atë kohë, kishte vetëm referencë për përvojën e tij profesionale si avokat dhe nuk kishte të dhëna për mandatin e tij të mëparshëm si gjyqtar.