I ftuar në studio ishte edhe deputeti demokrat Ervin Salianji, i cili në përgjigje ndaj lëvizjeve të mundshme në qeveri, tha se, ajo që i intereson popullit shqiptar është largimi i Ramës.
“Opozita dhe qytetarët nuk janë të interesuar se kush ikën e kush vijnë, kjo qeveri që në ditën e parë të saj ka ardhur jo për qytetarët, e këtë e tregojnë të gjitha shqetësimet që kanë shfaqur qytetarët në këto vite.
Largimi i Ramës do të ishte një zgjidhje për të gjithë, e kjo kërkesë nuk bëhet nga ne, por nga minatorë, fermerë, pensionistë, etj etj. Për qytetarët shqiptarë nuk ka për të ndryshuar gjë, nëse kjo qeveri qëndron ende në pushtet”,- tha Salianji.
Përtej 8 kërkesave të shkruara nga studentët për kryeministrin, kemi edhe një shfaqje refuzimi të tij për t’i plotësuar ato. E kemi parë që ai ia ka dalë mbanë me shtresa të tjera të shoqërisë, por duket se me studentët i ka ngecur “sharra në gozhdë”. Studentët meritojnë vëmendje shumë më të gjerë, jo vetëm për 8 kërkesat e tyre, por edhe më shumë sesa kaq.
“Ne si opozitë e kemi paralajmëruar prej 3 vitesh pasojat që do të vinin nga ligji për arsimin e lartë, ndërkohë që përballë këtyre protestave nga grupe të ndryshme të interesit, kryeministri do të ishte më mirë të ishte larguar, edhe pse ai rezulton i zgjedhur nga populli”,- deklaroi Salianji.
Ndërkohë, Spiropali i është kundërpërgjigjur Salianjit, duke thënë se asgjë nga interesat e PD-së nuk ka lidhje me interesat e studentëve. Partia Demokratike sipas saj ka në objektiv vetëm pushtetin, pushtetin dhe pushtetin, ndërsa studentët kërkojnë shumë më tepër përmirësime për të ardhmen e tyre, qoftë për nga merita, ashtu dhe për një jetesë më të denjë gjatë periudhës studentore.
“Bilancin se kush e ka përgjegjësinë më të madhe, e ka bërë tashmë populli dhe sërish mund ta bëjë. Opozita mund të vijë në pushtet, kur ky popull të mos përkrahë më qeverinë, të dalë në mitingjet e opozitës dhe të tregojë se mbështet parimet e tyre. Kjo gjë nuk po ndodh”,- tha Spiropali./TCh/