Aktualitet

Operacioni fshehja e dështimit të Edi Ramës





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 08:59 - 15/02/20 |
Gentian Gaba

Nga Gentian Gaba


Nën adaxhion e vjetër ‘mbrojtja më e mirë është sulmi’, Edi Rama ka kaluar në një ofensivë ndaj çështjes që ka shënuar vitet e tij si kryeministër, krimi. Por, përtej akronimeve, një prej tyre i grabitur nga një shkrim i ish-deputetit EduartHalimi, KÇK-ja, kjo fushatë mund të quhet pa drojë një operacion për të fshehur dështimin e Edi Ramës.



Me këtë ‘armik’ të ri, që zbuloi vetëm pak kohë përpara se të mbyllë mandatin e dytë si kryeministër, po përpiqet të kthejë fatin e tij politik brenda dhe jashtë vendit. Në arenën ndërkombëtare nënkuptohet domosdoshmëria për të krijuar perceptimin se, në vendin tonë, ka nisur një betejë e ashpër kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, binomi që ka qenë ndër arsyet e JO-ve të njëpasnjëshme për të çelur negociatat. Prandaj, tre muaj përpara samitit të Zagrebit, ku Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të kenë një shans të ri për të marrë një ‘PO’, që do të hapte dyert e paradhomës së Bashkimit Europian, Operacioni Forca e Ligjit ka trajtat e një fushate dhe jo të një sipërmarrjeje serioze dhe të sinqertë për të ndëshkuar krimin dhe korrupsionin. Fushateske tingëllon edhe brenda kufijve tanë. Jo vetëm sepse jashtëzakonshmëria me të cilën është shpallur aksioni bie ndesh me narrativën e Ramës, sipas së cilës krimi dhe korrupsioni kanë qenë pretendime politike të opozitës, por sepse incesti i kësaj mazhorance me krimin ka qenë qysh në gjenezën e lindjes së saj. Diçka që e ka bërë të pabesueshme për publikun cilindo spektakël që ka për regjisor atin politik të viktimave të shumta të dekriminalizimit. Andaj, pasi e çoi vendin në Olimpin e shteteve më të korruptuara, dëshmi është indeksi vjetor për Perceptimin e Korrupsionit i “TransparencyInternational”, që e rendit Shqipërinë në vendin e 106 nga 180 vende që përfshihen në raport, duke humbur 7 pozicione nga viti i kaluar; pasi e renditi Shqipërinë në vendin e fundit në Europë për klimën e biznesit, sikurse faktohet nga raporti i Bankës Botërore i ‘DoingBusines 2020’, me humbjen rekord prej 85 pozicioneve në renditjen për mbrojtjen e investimeve; pasi e la vendin pa asnjë investim të huaj të qenësishëm; pasi dështoi Reformën në Arsim; pasi dështoi Reformën në fushën e energjisë, me 64 milionë euro humbje nga OSHEE për vitin që sapo lamë pas; pasi la vendin pa Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese, si pasojë e makutërisë së tij për pushtet, një ‘armik’ si KÇK-ja i shërben për të projektuar diku tjetër vëmendjen e opinionit publik dhe për t’iu arratisur përgjegjësive që një kryeministër do të duhej të merrte përballë dështimeve të panumërta dhe mosmbajtjes së angazhimeve kundruall qytetarëve shqiptarë. I vetëm në pushtet, ‘pa njeri në prehër’ që shqetëson ‘timonierin e madh’, i vetëm në gostinë e ‘tepsisë’, OFL-ja përfaqëson për Ramën shpresën e vetme për të ndërtuar një alibi publike. Për këtë arsye, spektakli rreth operacioneve të ndërkallura nga dalja qesharake e biondes me syze do të jenë përherë e më të majme, plot aksion dhe prona të hedhura në media, si plaçkë për të shlyer harresën e popullit. Një spektakël si ata të gladiatorëve, për të mbajtur larg vëmendjen nga prijësi i sallaksve, në fund të fundit, “mors tua vitamea”, vdekja jote është jetë për mua, thotë shprehja latine. Po aq spektakolare do të jenë edhe daljet mediatike të kryeministrit, të ngjashme me ato të së enjtes televizive. Në kërkim të gërnjës me bashkëbiseduesit. I gatshëm të falë shumë prej asaj pako gjë që është sot figura e kryeministrit të Shqipërisë, vetëm dhe vetëm për të ndryshuar objektin e bisedës. Nga çështja, apo situata në të cilën lëngon vendi, te Rama dhe komedia njerëzore që është gati të ofrojë.


Të gjitha këto nuk janë gjë tjetër veçse një ‘trailer’ i fushatës që na pret, ajo me të cilën Rama do të kërkojë mandatin e tretë për kryeministër, me shpresën që të prodhojë aq propagandë sa qytetarët të harrojnë se deri më tani ka qenë vetëm ‘kryejustifikator’.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas