Kryeministri Edi Rama ka reaguar për arrestimin e gjyqtares së Krujës, Enkeleda Hoxha, me urdhër të SPAK.
Në një status në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shkruan se ky është një lajm i shumëpritur që duhet të inkurajojë këdo që pret drejtësi.
“Prangosja e gjykatëses famëkeqe të Krujës dhe rrjetit të saj kriminal nga institucionet e reja të drejtësisë, është një lajm i shumëpritur për të gjithë ne, e për të gjithë atë shumicë dërrmuese shqiptarësh, që na kanë mbështetur me zjarr për Reformën në Drejtësi”, shkruan Rama.
Rama paralajmëron të gjithë gjyqtarët që nuk kanë kaluar vettingun se duhet të përgjigjen, ndërsa “kush vazhdon të abuzojë meqë s’kalon dot Vetingun, duhet të ndalohet!”
“Ky lajm duhet të inkurajojë këdo që pret drejtësi për krimet e gjykatësve e prokurorëve të korruptuar dhe uroj që çuarja e këtij llumi para drejtësisë të vazhdojë! Kush s’ka kaluar Vetingun duhet të përgjigjet, kush vazhdon të abuzojë meqë s’kalon dot Vetingun, duhet të ndalohet!”, mbyll postimin Rama.