Aktualitet

Operacioni kundër emigrantëve, bastisen shtëpi në SHBA






               Publikuar në : 09:45 - 15/07/19 |
mapo.al

Siç ishte paralajmëruar, autoritetet amerikane të emigracionit kanë filluar operacionin disaditor që synon deportimin e emigrantëve të paligjshëm. Të pandehurit janë urdhëruar më parë nga gjykatat që të largohen nga vendi pasi nuk u është pranuar e drejta e azilit.


Shtetet e Bashkuara kanë nisur operacionet blic për kapjen e 2 mijë emigrantëve që kanë hyrë ilegalisht në vend.

Aksioni që pritet të zgjatë disa ditë në 10 qytete amerikane ka për synim deportimin e mijëra klandestinëve nga Amerika Qendrore.

Shumë prej tyre largohen nga shtetet e tyre për shkak të varfërisë dhe krimit, duke kërkuar azil, por janë urdhëruar nga gjykatat që të mos qëndrojnë në SHBA.

Nisja e bastisjeve u konfirmua në fundjavë nga Zyra për Emigracionin dhe Doganat, sikurse edhe nga autoritetet e Nju-Jorkut, Floridës dhe Kolorados.

Presidenti amerikan Donald Trump është rreshtuar në favor të operacioneve të cilat ai i ka konsideruar prioritet përpara se të zgjidhej në Shtëpinë e Bardhë.

Ministri i Jashtëm meksikan, Marselo Ebrard, deklaroi të dielën se vendi i tij është gati të mirëpresë çdo shtetas meksikan që do të deportohet nga SHBA-ja, për t’u ofruar punë dhe mbështetje nga qeveria.

Ndërkohë, operacioni është kundërshtuar fort nga aktivistët për të drejtat e emigrantëve dhe kryebashkiakët e qyteteve me shumicë demokrate.

Një kishë në San-Francisko madje është kthyer në një institucion azili për personat që tentojnë t’u shpëtojnë arrestimit të autoriteteve të emigracionit.


Etiketa: ,

Pas