Kreu i SPAK, Arben Kraja ka dhënë detaje përmes një konference për mediat në lidhje me operacion ndërkombëtar të anti-drogës, ku si rezultat u lëshuan 38 urdhër-arreste, 28 të ekzekutuara sot.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me autoritet italiane, Kraja u shpreh se ka patur një shkëmbim të menjëhershëm informacionesh me palën italiane, duke bërë të mundur finalizimin e këtij operacioni.
Ai theksoi se u bë e mundur zbulimi i të gjithë hallkave të këtij ‘zinxhiri’ të trafikut të drogës, që nga prodhimi dhe më pas dërgimi në Itali.
Kraja theksoi se në këtë operacion janë arrestuar prokurorë, zëvëndës policie dhe zyrtarë të tjerë.
Mes të arrestuarve janë ish-nënkomisari i Fierit Festim Lelaj, shefi i sektorit kundër trafiqeve në Policinë e Shtetit, Ilirjan Balla, Prokuroi i Vlorës Maksim Sota, si dhe një person tjetër që u prangos gjatë natës në Lazarat, Ilir Gaba.
“Një shkëmbim i menjëhershëm informacioni dhe shumë të suksesshëm, e rëndësishme në grumbullimin dhe administrimin e provave dhe arritjen e një konkulzioni konkret, ekzekutimin e 28 masave të arrestit sot, të dhëna nga SPAK.
Një moment i rëndësishëm është hetimi i gjithanshëm që është kryer. Është evidentuar i gjithë zinxhiri nga prodhimi dhe transporti i lëndëve narkotike në Itali.
Është evidentuar dhe provuar përfshira e zyrtarëve të ndryshëm publik në këtë lloj aktiviteti duke favorizuar aktivitetin kriminal. Bëhet fjalë për prokurorë, zëvendës policie, administratorë të pushtetit lokal dhe janë sekuestruar pasuri të konsiderueshme me disa miliona euro vlerë.
Gjithashtu një tregues i rëndësishëm që dua të vlerësoj është bashkëpunimi i dëshmitarëve të drejtësisë që kanë bashkëpunuar. Kemi ngritur akuza edhe për pastrim parash.
Para një viti ne ishim në një konferencë në Romë, ku sqaruam fazën e parë të këtij operacioni dhe në atë takim theksova se do i shkojmë deri në fund këtij hetimi dhe kush është i përfshirë do mbajë përgjegjësi, përfshirë edhe zyrtarë publikë. Jemi në situatën ku e kemi mbajtur premtimin dhe kemi bërë më të mirën”, tha Kraja.
Shefi i Antimafias italiane, Federico Cafiero De Raho, ka thënë fjalë të mëdha për bashkëpunimin mes SPAK dhe autoriteteve italiane që kanë konkluduar edhe në suksesin e këtij operacioni të sotëm me lëshimin e 38 urdhër-arresteve. De Raho tha se sot u arrit një objektiv madhor.
“Dua të përshëndes shefin e SPAK, Arben Kraja, të cilin e komplimentoj. Operacioni që SPAK po çon përpara tanimë nga shumë kohë që kur Kraja ka marrë drejtimin e kësaj zyre të rëndësisë së veçantë. Dua të nënvizoj se ky operacion ndjek atë të para pak muajve. Dua të them se edhe një herë bashkëpunimi mes Italisë dhe Shqipërisë është veçanërisht intensiv, i ngushtë dhe konstant.
Dua të nënvizoj se prej kohësh kemi përgjegjshmërinë të bashkëpunojmë me respektin që lidh dy zyrat për të arritur rezultate të jashtëzakonshme.
Sot është arritja e një objektivi që tregon se si bashkë arrijmë të ndjekim edhe aspekte që lidhen me ‘pabesinë’ e disa institucioneve mbi të cilat vendet tona duhet të tregojnë kujdes të veçantë. Kemi bërë një ndarje konstante të informacionit. Bashkëpunimi ynë Itali-Shqipëri konsiston të forcojmë strukturat që kanë për detyrë të luftojnë krimin e organizuar.
Ndaj edhe strukturat duhet të mbështesin. Dua të vlerësoj edhe DIA dhe Policinë Shqiptare që kanë bërë një detyre të një delikatese të jashtëzakonshme. Është arritur të shkatërrohet një organizatë me një shtrirje ndërkombëtare. Do të vazhdojmë të operojmë së bashku. Arben Kraja me ekipin e tij ka një kapacitet të jashtëzakonshëm në drejtim të hetimit“.- tha De Raho.
LEXO EDHE:
Operacioni ndërkombëtar – Kush janë disa nga policët e arrestuar, një i ndaluar në Lazarat