Pas vrasjes së Indrit Çelajt, vëllezërit Kusi u strehuan në një vilë dy katëshe në fshatin Allgjatë të Tiranës. “ABCNews” publikoi pamjet e banesës ku kanë qëndruar Griseldo dhe Albano Kusi, të cilët arritën t’i shpëtonin prangave. Ka dyshime se operacioni u dekonspirua nga drejtues të policisë së Tiranës.
Banesa dykatëshe është e veçuar nga shtëpitë e tjera të fshatit Allgjatë dhe ndodhet pranë Kasharit në periferi Tiranës. Ajo është në pronësi të xhaxhait të vëllezërve Kusi, Lulzim Kusi. Ky i fundit u shpall në kërkim nga uniformat blu, pasi në bodrumin e banesës së tij u gjet një armë zjarri tip kallashnikov model 56.
Albano dhe Griseldo Kusi, ishin lokalizuar nga grupi hetimor nëpërmjet qelizave telefonike se fshiheshin tek të afërmit e tyre në fshatin Allgjatë, por pas aksionit “blic” të 25 gushtit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ata kishin mundur të largoheshin para se të mbërrinin policët.
Për këtë arsye po verifikohet nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Ministrinë e Brendshme për rrjedhje të informacionit nga vetë strukturat drejtuese policore.
Burime konfidenciale pohuan se, kërkimet policor u shtrinë edhe në qytetin e Korçës, pasi Griseldo dhe Albano Kusi fshiheshin në tentativë për t’u larguar jashtë vendit nëpërmjet kufirit të gjelbër. Për ketë shkak autoritetet Shqiptare i kanë shpallur vëllezërit Kusi në kërkim ndërkombëtar.
Për vrasjen e Indrit Çelaj, i cili u qëllua me plumb në kokë teksa ishte duke montuar një kondicioneri në banesën e familjes Kusi, gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e shkallës së parë. Bujar Kusi, Ali Sula dhe Ferdinand Bakallin do të qëndrojnë në burg, deri në përfundim të hetimeve, ndërsa për punëtorin Luan Çaka u caktua masa “arrest shtëpie”.
Ndërkohë dy vëllezërit Kusi janë ende në arrati…
*Vila ku qendruan pas krimit, vëllezërit Kusi