Ndërkohë që kriza politike në vend po thellohet, opozita propozon krijimin e një qeverie tranzitore që do të zgjidhë problemin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Mazhoranca u përgjigj duke thënë se nuk ka shtyrje të zgjedhjeve dhe kërcënoi me burg nëse pengohen zgjedhjet
Ka një pikë ku të gjithë palët në vend bien dakord: që zgjedhjet në Shqipëri janë me probleme. Por kur bie fjala te zgjidhja e këtij problemi, palët ndahen në kahe të kundërta. Pak pasi kryeministri Edi Rama, i kthyer nga samiti i Berlinit, deklaroi se zgjedhjet nuk do shtyhen, opozita zhvilloi një takim ku propozoi detyrat e qeverisë tranzitore, e cila do e çojë vendin drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Meqë në gjithë broçkullat që u thanë në rastin e Samitit të Berlinit, u tha edhe që mua do më kërkonin shtyrjen e zgjedhjeve, apo do më tërhiqnin veshin për zgjedhjet pa pjesëmarrjen e humbësve të arratisur nga procesi, për të mos u përballur me votë në 30 qershor, u them nuk më zuri veshi, jo asnjë kërkesë apo kapje të kësaj natyre, por asnjë fjalë. Zero!
Në demokraci askush është i detyruar të hyjë me zor në zgjedhje. Kushdo është i lirë të vendosë të hyjë, apo të mos hyjë në zgjedhje dhe s’është as detyrë e qeverisë të fusë me zor në zgjedhje partitë që s’duan të votohen nga populli, as e drejtë e shumicës qeverisëse të shtyjë zgjedhjet përtej afateve kushtetuese, pse disa parti nuk duan të hyjnë në zgjedhje.
Ndërsa për parti apo individë që i japin vetes të drejta që s’jua njeh as Kushtetuta, as ligji, për t’i rënë ndesh Kushtetutës dhe ligjit, duke u kthyer në zjarrvënës të zgjedhjeve, ka një kapitull të veçantë në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë”, kërcënoi Rama.
Pak më vonë, Basha u shpreh: “ne nuk do të lejojmë që krimi të bëjë më zgjedhje në Shqipëri”.
Kemi ndërmarrë këtë hap pasi e kemi bërë fare të qartë se zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë. Zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë.
“Zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë” është kontradiksion termash. Zgjedhje pa opozitën janë farsë. Në rastin më të mirë, janë një tentativë e dështuar për votim. Zgjedhje do të mbahen vetëm pasi të ndëshkohen hajdutët e votave të vitit 2017, të viti 2016. Dhe padyshim, me Edi Ramën, Dakon e Gjiknurin krah tij, nuk mund të ketë zgjedhje të lira as sot, as mot,- tha Basha.
Platforma e qeverisë tranzitore
Prezantimin e ofertës së opozitës për zgjedhjet e lira dhe të ndershme e bëri një nga politikanët me njohjen më të mirë të kësaj fushe: Oerd Bylykbashi. Ai tregoi një listë të gjatë me probleme që e rrezikojnë çdo proces zgjedhor të pritshëm në vend, duke e nisur që nga problemet me listat zgjedhore, votimi fiktiv i emigrantëve, çështja e adresave, presioni mbi administratën e deri te blerja e votave. Sipas tij, problemi i blerjes së votave u evidentua te rekomandimet e ODIHR për herë të parë në vitin 2015, por u bë rekomandimi i dytë më i rëndësishëm pas zgjedhjeve të vitit 2O17. Megjithatë, sado propozime të bëhen për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershme, kryeproblemi mbetet ai: vullneti politik për mbajtjen e zgjedhjeve.
Një qeveri tranzitore nuk do jetë si një qeveri teknike, thanë drejtuesit demokratë, duke e lënë të hapur mundësinë që propozimi i tyre për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të plotësohet akoma më shumë. Dhe diskutimi nisi aty ku mendohej, te vullneti politik. Analisti Ylli Rakipi tha se kishte preferuar që të dëgjonte një fjalim politik, pasi platforma iu duk shumë teknike.
Kurse ish-ministri Besnik Mustafaj kishte një tjetër shqetësim. “Ajo që mua më bie në sy, është se në fakt mungon sharmi për të tërhequr palën tjetër, nuk mund të besohet se opozita, lidershipi, ne që e votojmë, e kam fjalën për veten, jemi të bindur se mund ta ngremë një qeveri tranzitore, vetëm ne.
Duhet ecur me shpresën se do të shkohet drejt një kompromisi, ose revolucioni, por unë nuk jam revolucionar, jam evolucionist, dhe në këtë perspektivë të një kompromisi, pra besoj se në të gjitha dokumentet që ka paraqit deri tani opozita, pika më e mundur për të dhënë shpresën e kompromisit për qeverinë tranzitore, është kjo lloj platforme. Ky është sugjerimi im”, –tha Mustafaj.
Kurse analisti Artan Hoxha e vlerësoi platformën, por tha se opozita një ditë duhet ta sfidojë Edi Ramën në zgjedhje pasi kjo situatë nuk mund të zgjasë pa fund.
Rama është një përdhunues serial i zgjedhjeve. Nuk mund t’i kërkohet dikujt të shkojë në një dhomë me një përdhunues serial. Ose do e nxjerrësh keqbërësin jashtë, ose do shkosh aty me kobure. Nëse shkon me kobure, atëherë çdo gjë merr fund, dhe nuk ka më stabilitet, u shpreh Basha.
Kjo mbetet pika më e nxehtë edhe e debatit politik në vend, madje thelbi i krizës. Por tryeza e të enjtes tregoi diçka, që opozita të paktën po del me një propozim.
Opozita e ka dhënë ofertën e vet për zgjidhjen dhe ne nuk dimë model tjetër për krizën që ndodhet Shqipëria në këto moment. Me një demokraci jofunksionale, çdo vend demokratik shkon në zgjedhje të parakohshme. Shkon në zgjedhje të parakohshme pikërisht për ta shfryrë krizën. Kjo është arsyeja pse opozita ka dhënë ofertën e vet politike: zgjedhje të parakohshme, qeveri tranzitore, socialiste sigurisht pa autorin e ekzekutimit të gjithë këtyre që ne parashtruam sot,- tha kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi.
PROBLEMET MADHORE TË ZGJEDHJEVE
1.Përfshirja e krimit të organizuar në bashkëpunim me qeverinë në shitblerjen e votës dhe presioni mbi zgjedhësit.
2.Presioni mbi administratën dhe abuzimi me burimet shtetërore.
3.Identifikimi i besueshëm i zgjedhësve.
4.Lista e zgjedhësve dhe sistemi i adresave.
5.Votimi fiktiv i emigrantëve.
6.Roli i policisë në zgjedhje.
DETYRAT E QEVERISË TRANZITORE
1.Goditje me tolerancë zero e strukturave politike dhe kriminale të përfshira në shitblerjen e votës, intimidimin e votuesve dhe manipulimin e zgjedhjeve.
2.Ndalim i presionit qeveritar mbi drejtësinë për t’i hapur rrugë hetimit të bashkëpunimit mes krimit të organizuar dhe pushtetarëve për manipulimin e zgjedhjeve.
3.Monitorim i rreptë dhe goditje me tolerancë zero ndaj presionit mbi administratën publike dhe zgjedhësit.
4.Ndalim i prokurimeve, tenderave, koncesioneve\PPP-ve, licensave, favoreve dhe abuzimeve të tjera me burimet shtetërore.
5.Kontroll dhe marrje masash për emërimet dhe shkarkimet e paligjshme nga administrata publike dhe kompanitë shtetërore, si dhe për ndryshimet e paligjshme në listat e ndihmës ekonomike, personave me aftësi të kufizuar etj.
6.Pajisje e shtetasve me letërnjoftime, skema lehtësuese dhe hetim penal i fallsifikimeve të letërnjoftimeve.
7.Regjistrim i adresave të të gjithë shtetasve dhe hartim me integritet i listave të zgjedhësve.
8.Hetim dhe ndëshkim me tolerancë zero i votimit fiktiv të emigrantëve.
9.Shkëputje e lidhjes së policisë me krimin, goditje e policëve të inkriminuar, angazhim i policisë kundër krimit zgjedhor dhe garantim i sigurisë në zgjedhje.
10.Raportim me transparencë i veprimtarisë ligjzbatuese dhe akses i besueshëm për opozitën.