Këshilltarët e opozitës në Këshillin bashkiak të Tiranës kanë qëndruar vetëm pak minuta në mbledhjen e fundit për këtë sesion, duke u larguar nga salla.
Kreshnik Çollaku, këshilltar i PD-së, nuk u lejua të fliste jashtë rendit të ditës rreth çështjes së Teatrit Kombëtar.
Çollaku u shpreh se në Tiranë prej muajsh ka një konflikt të madh.
“Projekti është për ndërtimin e 6 kullave shumëkatëshe. Çështja themelore është trualli poshtë Teatrit. Po shkelni Kushtetutën. Do të mbaheni mend në histori si njerëzit që shembën Teatrin.”
Ndërkohë që mazhoranca vijoi me mbledhjen, ku i pranishëm është dhe kryebashkiaku Veliaj.
Ky i fundit ka komentuar sot zgjedhjet për bashkinë dhe tha se kandidaturat e PD nuk kanë asgjë për të prezantuar para qytetarëve tek të cilët do kërkojnë votën.
“Të vijë kush të dojë, Dashi, Jorida, Pollo, Paloka, Luli, Shkëlzeni. Pyetja është ça do thonë mo vlla se kur e kishin 4 vjet fjetën gjumë, tani do jenë superaktive, edhe ai 10 % i Tiranes do thotë shumë mirë që do dilni kundër lalit, por ça keni bërë këto 4 vjet, se fjetët gjumë edhe në opozitë, ça pune doni, ca ka një pemë që ju do mbillni? Asnjë pemë s’ka mbjellë një parti në opozitë. Në këtë seancë ndihem keq për ta. Mos u habisni po të fillojnë prape cadrat, gjërat se do jemi në prag zgjedhjesh mos u habisni po të jemi në një situatë destruktive”, tha Veliaj në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.