Aktualitet

Opozita merr vendimin, protesta e 6 kombëtare në datën 25 maj






               Publikuar në : 18:36 - 15/05/19 |
mapo.al

Data 25 maj ora 19:00, është caktuar nga opozita e bashkuara si data e protestës së 6-të kombëtare para Kryeministrisë. Vendimi erdhi pas takimeve të kryetarit të PD, Lulzim Basha me aleatët në selinë blu.


E shtuna e 25 majit përkon edhe me zgjedhjet e Parlamentit Europian. Pas mbledhjes së zgjeruar me aleatët dhe aktivin e kryetarëve të PD, Lulzim Basha u shpreh vendimi unanim i opozitës është përballje ballore me të gjitha format me qeverinë e kapur nga krimi si dhe të zënë në përgjime në shitblerjen e votave të faktuara edhe nga Prokuroria. Sipas tij, vendi ndodhet në kushtet e grushtit të shtetit.

“Forumet më të larta drejtuese të PD dhe kryetarët e koalicionit opozitar kanë shqyrtuar gjendjen e rëndë të grushtit të shtetit ku ndodhet vendi. Sot e gjithë Shqipëria dhe bota kanë kuptuar se fshihet makthi i Edi Ramës për atë që e pret në zbardhjen e dosjeve hetimore ku përfshihet drejtpërdrejtë Edi Rama. Vendimi unanim i opozitës është përballje ballore me të gjitha format. Që nga ky moment do të jemi çdo ditë dhe çdo minutë bashkë me qytetarët në një përballje pa kthim me ushtarët dhe shërbëtorët e juntës kriminale në pushtet derisa të diktojmë kthimin tek demokracia”, tha Basha pas mbledhjes së Kryesisë.

E mërkura ishte një ditë e ngjeshur takimesh për kryetarin demokrat. Ditën e nisi me aleatët të cilët përcollën edhe mesazhi kryesor. “Nuk do lejojmë zgjedhje më datë 30 qershor me gjithë aksionin e mundshëm opozitar, në 360 gradë”, tha Dashamir Shehi.

Opozita zhvilloi të shtunën, 11 maj, si dhe dy ditë më pas, të hënën, dy protesta kombëtare radhazi. Javën e kaluar nuk munguan as aktet e dhunës, teksa drejt Kryeministrisë dhe Parlamentit, u hodhën bomba molotov. Disa efektivë policie mbetën të lënduar, ndërsa uniformat blu ushtruan dhunë edhe ndaj Sekretarit Organizativ të PD, Sahit Dollapi, i cili iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale në shpatull te Spitali i Traumës.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas