Ishte befasi mbyllja e protestës nga Lulzim Basha dhe lajmërimi i një tjetre të enjten e 21 shkurtit.
Shumica e njerëzve të pranishëm sot në një prej tubimeve më të mëdha që janë bërë në këto 30 vite, nuk prisnin këtë. Madje, ia kanë thënë kreut të opozitës edhe gjatë takimeve e tureve që i paraprinë 16 shkurtit, kur i deklaronin që, për cfarë po na thërret. “Mos do jetë si ato, mban një fjalim dhe ikim”, kështu i thonin qytetarët Bashës nëpër takime.
Edhe pse kryetari i PD u shpreh se puna që nisi sot duhet cuar deri në fund, dhe u tha protestuesve mirupafshim të enjten, nga oborri i PD, kjo nuk duket se ngroh shumë. Shumëkush mendon se kaq njerëz sa kishte sot, zor se do të mblidhen më. Shto këtu gjuetinë që do bëjë policia nëpër shtëpitë e atyre të vijës së parë që u përplasën me policinë dhe sulmuan ballkonin e kryeministrisë, një aksion që do të nisë me siguri sapo të zbresë nata, cka do të shkurajojë jo pak të revoltuar.
E sigurtë është dhe një gjë tjetër, jo pak e rëndësishme. Analistë të njohur që kanë mbështetur dhe nxitur protestën e sotme, që kanë justifikuar dhe bekuar edhe ushtrimin e dhunës, me gjasë do të shprehin zhgënjimin e tyre dhe nuk do të jenë aspak të butë me Bashën. Gjë që nuk do të ndikojë në shtimin e radhëve për të enjten që vjen, përkundrazi.
Basha e di mirë se nuk i ka rrethanat në favor, dhe nuk mund t’ia lejojë vetes një zhgënjim tjetër. Ishte ai vetë, me retorikën e ndezur, që krijoi një pritshmëri të madhe, që u premtoi njerëzve se Edi Rama do të binte sot si Kryeministër.
Nëse bën një analizë të ftohtë, përtej suksesit të bashkimit të jashtëzakonshëm të njerëzve, e vetmja arritje ngelet tërheqja e vëmendjes ndërkombëtare dhe e mediave më të mëdha të globit rreth krizës politike në vend. Po, kaq, asgjë më shumë.
Nuk ka zgjidhje tjetër për Lulzim Bashën, përveçse kryerjes së një akti të fortë politik. Dhe ky akt, nuk është tjetër, vetëm se djegja e mandateve. Djegja e mandateve e sjell krizën politike në krye të axhendës së ditës, dhe është një motiv, dhe një arsye e pranueshme që një përfaqësues, një lider opozite, të thërrasë sërish popullin në shesh, e të presë që populli t’i përgjigjet.
Në kushtet ku ndodhet sot opozita, nuk gjendet asnjë skenar tjetër. Në fund të fundit, a nuk janë mandatet e deputetëve të Partisë Demokratike, të dala nga zgjedhjet e qershorit të 2017, më të kriminalizuarat, më të blerat, më të manipuluarat. Siç vetë PD dhe Basha po deklarojnë.
Pra një distancim i pranueshëm dhe i llogjikshëm prej atyre zgjedhjeve, dhe kërkimi me cdo kusht që vota tani e tutje të jetë e lirë dhe e ndershme, do të ishte grisja e mandateve. Besohet dhe burime serioze pranë opozitës, tregojnë se pikërisht ky argument po diskutohet. Dhe drejt këtij vendimi po shkohet. Basha është i dënuar ta bëjë këtë akt, madje ta bëjë para të Enjtes së 21 shkurtit.