Në një kohë kur opozita ka paralajmëruar bojkotimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, duke refuzuar të dërgojë listat e emrave të anëtarëve të KZAZ-ve, KQZ ka hapur aplikimet duke iu bërë thirrje qytetarëve.
Apeli është bërë sot nga kreu i KQZ, Klement Zguri i cili ka kërkuar që anëtarët të cilët i takonin opozitës të zëvendësohen nga qytetarë të thjeshtë, të interesuar për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në administrimin e votës. “Thirrje për qytetaret të aplikojnë për komisionarë, pasi KQZ bën emërime kryesisht sipas ligjit. Kjo për shkak se partitë nuk kanë depozituar anëtarët për komisionarë”, tha ai.
Nga ana tjetër opozitë ka paralajmëruar se nuk do të ketë zgjedhje në Shqipëri pa dhënë dorëheqjen më parë kryeministri Edi Rama. Kërkesa e opozitës është ajo për qeveri kalimtare dhe zgjedhje të parakohshme, pasi ekzekutivi aktual akuzohet për korrupsion, lidhje me krimin dhe blerje të votave, të denoncuara me fakte nga mediat të paktën në dy qarqe, Durrës dhe Dibër.