Përmes një letre publike, Opozita i ka kërkuar Kolegjit Zgjedhor të pezullojë dhënien e mandatave për Këshillat Bashkiakë, derisa Gjykata Kushtetuese të vendosë.
Letra në emër të opozitës është dërguar nga numri II i PD, Gazment Bardhi, para nisjes së shqyrtimit në kolegj të çështjeve për shpërndarjen e mandateve të këshilltarëve bashkiakë.
Po kështu kjo letër i është dërguar për dijeni edhe ODIHR, ONM, BE dhe ambasadave kryesore në Tiranë.
Letra merr shkas nga kërkesa që Shoqata e Bashkive ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese mbi kushtetueshmërinë e votimeve të 30 Qershorit.
“Pa u shqyrtuar çështja në Gjykatën Kushtetuese, Kolegji Zgjedhor ka pengesë ligjore për të bërë shpërndarjen e mandateve të Këshillave monopartiake Bashkiake. Sipas Kodit të Procedurës Civile, Kolegji Zgjedhor ka detyrimin ligjor të vendosë pezullimin e gjykimit, për shkak se “çështja nuk mund të zgjidhet para se të zgjidhet një çështje tjetër”, thuhet në letrën e nënshkruar nga Gazment Bardhi.
Po sipas opozitës, ligji e detyron Kolegjin të mos marrë vendime pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese mbi kushtetueshmërinë e Dekreteve të Presidentit.
“Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të shqyrtojë mënyrën e ushtrimit të kompetencave nga Presidenti, përfshirë dekretin e zgjedhjeve. Sa kohë janë në fuqi dekretet për zgjedhje në 13 Tetor mandatet e këshilltarëve bashkiakë nuk mund të shpërndahen.Janë fituar në votime të padekretuara nga Presidenti. Ky është një rast që Kolegji të mos lejojë zëvendësimin e pluralizmit me partinë shtet dhe demokracia me diktaturën”, thuhet më tej në letër.