Pas pesë orë tubim para Parlamentit dhe Drejtorisë së Policisë të Tiranës, opozita ka mbyllur protestën. Mbështetësit marshuan drejt selisë së PD si gjithnjë, duke shënuar kështu fundin e protestës. Në mungesë të kryedemokratit Lulzim Basha, i cili ndodhet në Bruksel në takimin e nivelit të lartë të Partive Popullore Eurpiane, ishte numri dy i PD, Edi Paloka i cili mbylli protestën përmes një fjalimi nga selia blu.
Ai tha se opozita nuk ka rrugë tjetër veç fitores së betejës për rikthimin e ligjshmërisë dhe demokracisë në vend. “Nuk ka rrugë tjetër veç fitores. Nuk ka asnjë forcë që pengon qytetarët të protesdtojën për të drejtat e tyre, nuk ka asnjë forcë që na ndalon në rrugën tonë për një demokraci të vërtetë në Shqipëri. Nuk do të ketë asnjë ditë stabilitet për këtë qeveri krimi derisa demokracia të rikthehet në Shqipëri”, u shpreh Paloka.
Vlen të theksohet se në mungesë të liderit demokrat, nga ana tjetër bashkëshorja e tij, Aurela Basha, ka qëndruar gjatë gjithë kohës në mesin e protestuesve. Gjatë protestës së sotme policia nuk përdori gaz lotsjellës. Që prej protestës së 16 shkurtit e në të gjitha tubimet e tjera, forcat e rendit kanë hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.