Deputeti Halit Valteri në një deklaratë për mediat mesditën e sotme nga Kryesia e Kuvendit ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Gjatë fjalës së tij ai akuzoi kompaninë “Illyrian Guard” për korrupsion, për të cilën shprehet se për t’u bërë punonjës i saj mjafton të paguash para.
“Grupi demokrat do dali menjëherë në deklaratë për mediat ku kërkon që gjenerali i policisë së vdekur duhet të japë dorëheqjen sepse policia e shtetit nuk ekziston më. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj pas denoncimit të bërë publik nga emisioni “Stop” do duhej të largohej nga detyra me vullnetin e tij të lirë nëse do të kishte sadopak dinjitet.
“Illyrian Guard” kompania shtetërore për ruajtjen e objekteve me rëndësishme të veçanta rezulton se nuk punëson në bazë të rezultateve, por në bazë të parave. Parave nën dorë siç jemi mësuar të shohim shumë institucione të kësaj qeverie”, u shpreh Valteri.
Më tej ai theksoi se “duke qenë se siguria e këtyre institucioneve është në dorë të tyre do të thotë se është në dorë të joprofesionistëve. Mjafton të paguash 50 mijë lek të reja dhe ke siguruar punën në “Illyrian Guard”.
Korrupsioni, emërimi në kupolën drejtuese të anëtarëve të ish sigurimit të shtetit e bëjnë të pashmangshme përgjegjësinë e Ministrit tonë të Brendshëm për të dhënë dorëheqjen një orë e më parë. Nepotizëm, korrupsion, llum i pështirë komunist janë imazhi i policë së shtetit. Sot policia e shtetit është në nivelin më të ulët”.
Valteri vijon duke thënë se çdo ditë qytetarë të shumtë denoncojnë se si punonjës të policisë së shtetit marrin para nën dorë për të lejuar mbajtjen e ceremonive të tyre familjare të cilat në bazë të masave kundër Covid19 janë ndaluar.
“Kush nuk ofron para, gjobitet dhe ndëshkohet, kush paguan vazhdon me terezinë e tij. Dështimi i uljes së kriminalitetit dhe shtimit të mbjelljes së kanabisit në vend e rëndojnë akoma më shumë pozitën e ministrit tonë të Brendshëm si pjesë e rangut të lartë ushtarak në vend.
Zoti Lleshaj për të ruajtur dinjitetin e tij duhet të japë dorëheqjen në të kundërt emri i tij do të njolloset përgjithmonë si drejtues i dështuar i shtetit dhe nuk do jetë ndryshe nga paraardhësit e tij ku shqiptarët e dinë mirë çfarë jeni betuar për të bërë.
Jeni përbetuar që fytyra e çdo polici do jetë fytyra ime, por në fakt ka dalë që kanë vetëm, fytyrën e korrupsionit të rilindjes. Falenderoj dhe inkurajoj çdo punonjës policie të ndershëm profesional që të distancohen nga kjo strukturë e tmerrshme dhe të kryejë punën me profesionalizëm”, shprehet Valteri.