Ashtu siç kishte paralajmëruar, opozita e bashkuar do të protestojë sot para Kryeministrisë. Protesta do të nisë në orën 11:00 dhe është e dyta pas protestës së 16 shkurtit para kryeministrisë, ku nuk munguan incidentet. Opozita ka kërkuar leje për protestë 48 orëshe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por kërkesa është refuzuar nga policia. Krahas përgatitjeve nga organizatorët e protestës, edhe policia ka marrë masat për mbarëvajtjen e saj.
Siç duket edhe në këtë video që sjell MAPO, Policia dhe Garda kanë vendosur gardh hekuri në oborrin e Kryeministrisë, për të penguar protestuesit në rast se do tentohet çarja e kordonit të forcave të rendit. Në terren pritet të angazhohen 1200 efektivë. Në shtyllat e ndriçimit janë vendosur kamera sigurie.
Pjesë e panit të masave të policisë dhe gardës është edhe saldimi i portave të Kryeministisë nga forcat zjarrfikëse. Protesta e sotme nuk do ketë flamuj të partive politike dhe as fjalime nga politikanët. Në podiumin e vogël që do vendoset në Bulevard, do flasin vetëm protestuesit.
Kjo është protesta e pestë e opozitës në harkun kohor të një muaji. E para ishte ajo e 16 shkurtit para Kryeministrisë, për t’u pasuar më pas me tre protesta radhazi para godinës së Parlamentit pas djegies së mandateve të deputetëve nga opozita e bashkuar.
LEXO EDHE:
“S’ka Shqipëri, ka 3 tepsi”/ Parulla e çuditshme e protestuesit