Kryesore

Opozita: Platformë për qeverinë tranzitore dhe bllokim të rrugëve














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:59 - 02/05/19 |
mapo.al

Opozita në dy aksione “brenda një dite”. Vendimi për bllokimin e rrugëve kombëtare në 12 qarqe të vendit në orën 18:00 dhe publikimi i platformës politike për qeverinë tranzitore. Basha: “Do të shpalosim bashkë me koalicionin tonë opozitar detyrat e qeverisë tranzitore për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Largimi i Ramës, kusht i panegociueshëm”.





Aksioni opozitar është në betejë në dy fronte: Ofrim për zgjidhje politike me program të qeverisë tranzitore dhe protestë me elemente të forta të mosbindjes civile. Të gjitha partitë opozitare vendosën që sot në orën 18:00 të bllokohen rrugët kryesore kombëtare në 12 qarqe të vendit. Ndryshe nga një javë më parë kur u bllokuan 5 kryqëzime, këtë të enjte bllokimi do të shtrihet në të 12 qarqet e vendit. Opozita iu ka bërë thirrje qytetareve t’i bashkohen përshkallëzimit të protestës për të kërkuar largimin e Kryeministrit Rama, si personi përgjegjës për bashkëpunimin me krimin. Po sot akti tjetër që është nismë e mirëfilltë politike mbetet prezantimi i mandatit dhe platformës së qeverisë tranzitore. Kryedemokrati Lulzim Basha u shpreh se opozita do të prezantojë detyrat e qeverisë tranzitore. Lideri demokrat tha se largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm për të nisur dialogun me mazhorancën. “Ne do të vazhdojmë aksionin tonë në të gjitha planet”, -tha Basha duke iu bërë thirrje qytetarëve që në orën 18:00 të ditës së sotme të dalin masivisht në rrugë për të protestuar. Ndërsa revoltat para kryeministrisë, Parlamentit apo bllokimi i rrugëve për një orë është një skenar i praktikuar më parë, zgjidhja politike sipas këndvështrimit opozitar lidhet me platformën e cila do të publikohet ditën e sotme, thelbi i së cilës mbetet largimi i kryeministrit Edi Rama, krijimi i qeverisë tranzitore dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme. “Do të shpalosim bashkë me koalicionin tonë opozitar detyrat e qeverisë tranzitore për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ndërkohë po punojmë intensifikisht për programet tona respektive politike dhe ekonomike për ofertën tonë për shqiptarët; jo vetëm për ta nxjerrë vendin nga kriza por për t’iu dhënë atyre sigurinë, liritë, mundësitë për një jetë dinjitoze me mundësi për punësim dhe mirëqenie për të gjitha”-tha kryedemokrati Basha. Sipas tij, largimi i Edi Ramës është kusht i padiskutueshëm për të hapur dialogun që do çojë drejt qeverisë tranzitore. Që nga 21 shkurti kur u vendos unanimisht djegia e mandateve të deputetëve opozitarë janë zhvilluar disa protesta në vend, ndërsa krahas tyre, blloku opozitar po ofron edhe alternativën politike që sipas soj do zgjidhte krizën në vend.


Kaos, brenda dhe jashtë





Ndërsa opozita gjendet në rrugë në ballë të protestave, mazhoranca tenton të minimizojë çdo revoltë dhe pakënaqësi, duke tentuar të propagandojë në vijimësi një situatë normale. Megjithatë lajmet nuk janë aspak të mira, jo vetëm brenda vendit, por edhe raporti i Shqipërisë me ndërkombëtarët dhe mbi të gjitha shuarje e ëndrrës për integrimin e vendit. Samiti i Berlinit konfirmoi pika të forta ndarjeje për çështjen e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Vendimi për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë, e parashikuar të merrej në muajin qershor do të shtyhet për në shtator. Deri atëherë nuk është vetëm çështje javësh dhe muajsh, por pasigurisë së madhe se vendi ynë rrezikon të marrë mandatin negativ. Qeverisë Rama më shumë se integrimi i vendit, do i interesonte se atë dokument të hapjes së negociatave (nëse do të ndodhte) do e tundte si një kartë triumfi për të “shtypur” çdo protestë dhe injoruar çdo nismë të opozitës. Në kushtet aktuale vendi mbetet totalisht i pasigurt për të ardhmen. “Jemi në një krizë të thellë, një krizë politike, një krizë kushtetuese, një krizë ekonomike dhe sociale. Dhe siç u bë e qartë edhe 24 orët e fundit në një krizë totale të procesit më jetik për Shqipërinë, atë të integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Shkaku i kësaj krize është qeveria e lidhur me krimin që ka asgjësuar Kushtetutën, ka asgjësuar demokracinë, ka asgjësuar zgjedhjet, themelin e llogaridhënies demokratike të qeverisë para qytetarëve që është vota e lire”, -tha dje kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Lexo edhe :  Rama nxjerr videon dhe prezanton platformën: E ardhmja e afërt e transportit...


Takimi me partitë opozitare


Ndonëse përfaqësuesit e disa partive opozitare kanë dalë publikisht me deklarata për zgjidhjen e krizës politike, për kryedemokratin Basha nuk ka asnjë qëndrim të ndryshëm prej tyre. Në vazhdën e bisedimeve për gjetjen e një zgjidhjeje, Basha takoi dje kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi. “Nisur nga momenti shumë i vështirë dhe delikat që po kalon demokracia shqiptare, patëm një diskutim me z. Basha, për të rakorduar të gjithë aksionin opozitar. Opozita e bashkuar do të paraqesë platformë të përbashkët për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta. Kjo nuk është thjesht një retorikë, por kemi një platformë të përbashkët, ku ne do t’ju bëjmë të qartë të gjithë shqiptarëve, fenomenet negative që ndodhin në zgjedhje, duke filluar nga vjedhja e votave dhe përdorimi i pushtetit në zgjedhje”, -tha Idrizi. Sipas tij, nuk është krijuar një qeverisje shërbëtore, por kemi një pushtet që punon vazhdimisht, për të përdorur gjithë makinerinë shtetërore, tenderat, asistencën sociale, punësimet etj., në mënyrë që të fitojë zgjedhjet. “Opozita e bashkuar po punon edhe për programin elektoral dhe mbi të gjitha për programin ekonomik. Drejt një modeli të ri ekonomik, i cili duhet të bazohet te prodhimi dhe punësimi, sepse Shqipëria i ka të gjitha mundësitë dhe resurset. Jemi në momentin që të shpjegojmë para shqiptarëve, se si opozita ka projektin e saj që pas 30 vitesh të kemi zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta”, u shpreh Idrizi. Ai iu përgjigj pyetjes së gazetarëve lidhur me arsyen pse PDIU nuk i është bashkuar tryezës së partive të vogla. “Ne kemi një marrëveshje me PD, por çdo forcë politike ka të drejtë që të mblidhet të bashkohet, për zgjidhjen e kësaj krize. Marrëveshja jonë është me PD”, tha kreu i PDIU-së.

 

Më poshtë lista e plotë e rrugëve që bllokohen sot pasdite:

 

  1. Qarku Kukës – Ura e Drinit në hyrje të Rrugës së Kombit
  2. Qarku Shkodër- Rruga Shkodër-Koplik
  3. Qarku Lezhë – Mbikalimi i Milot
  4. Qarku Dibër- Ura në kryqëzimin Burrel-Rrëshen-Klos.
  5. Qarku Durrës-Plepa, në hyrje të Autostradës
  6. Qarku Tiranë- Sheshi Shqiponja
  7. Qarku Elbasan – Mbikalimi Bradashesh
  8. Qarku Korçë – Hyrja, rruga nacionale e Korçës.
  9. Qarku Gjirokastër- kryqëzimi i Rrugës Përmet-Tepelenë-Gjirokastër
  10. Qarku Fier- Rruga nacionale tek Ura Mbrostar.
  11. Qarku Berat – aksi Berat -Ura Vajgurore
  12. Qarku Vlorë- Hyrja e superstradës Vlorë-Levan

 

1


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas