Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka folur sot për situatën e krijuar nga pandemia Covid-19.
Manastirliu tha nga foltorja e Kuvendit se së shpejti do të nisin testet e shpejta anti-Covid, si dhe do të shtohen kapacitetet spitalore – do të ketë 4 spitale Covid në Tiranë, duke përfshirë gjatë dimrit edhe spitalet rajonale.
Manastirliu u ndal gjithashtu tek akuzat e opozitës. PD po luan ping-pong, sipas ministres, dhe po e përdor situatën politikisht.
“Nga qershori deri më sot është katërfishuar numri i testeve, po përgatitemi të përfshijmë dhe testin e shpejtë, atë të antigjenit. Do t’i qëndrojmë deri në fund, do të shtojmë kapacitetet spitalore, duke vendosur 4 struktura në Tiranë dhe duke përfshirë gjatë dimrit edhe spitalet rajonale.
Që e gjithë sakrifica e bërë të mos shkojë kot, duhet që të gjithë qytetarët të bashkohen në këtë luftë. Të gjitha masat që po ndërmarrim shkojnë në funksion të frenimit të përhapjes së virusit.
Nuk duhet të shkojmë në mbingarkimin e sistemit shëndetësor, ndaj masat që jemi duke ndërmarrë sigurojnë mundësinë të frenojmë epideminë. Por nëse nuk respektohen masat do të përballemi me kushtet se kush do të trajtohet i pari”, – tha ministrja Manastirliu.
“Këtu te ne pandemia është përdorur politikisht, që pa ardhur rasti i parë. Jo futboll, por ping pong politik e kanë bërë, duke shpallur dhe katastrofën, që nuk iu erdhi e nuk iu erdhi.
Ndërkohë që ne nuk kemi ndalur për asnjë moment punën në këtë kohë shumë sfiduese. Ata që flasin nga tavolinat ku luajnë ping-pong, u zgjuan dhe filluan të recitojnë.
Ata s’duan ta kuptojnë se çdo vendim i qeverisë bazohet në vlerësimin e një komiteti ekspertësh. Me shtimin e rasteve, pas hapjes, strategjia e vjeshtë-dimrit përfshin rritjen e numrit të testimeve”, – u shpreh ministrja Manastirliu.