Editorial

Opozita si përmasë e re e trupës sociale të vendit








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:19 - 06/08/20 |
Pëllumb Nako

Analizat dhe analistët e politikës në vendin tonë, kanë një përqendrim mjaft të madh në raport me premtimet që bën çdo parti në opozitë dhe realizimin e tyre kur vjen në pushtet. Më së shumti problemi identifikohet me hendekun e madh ndërmjet dy etapave, ato para dhe pas mbërritjes së tyre në pushtet. Krahas kësaj, përgjithësisht edhe publiku i gjerë i percepton partitë në të njëjtën logjikë, duke qenë gjithmonë në pozita pritëse, njëlloj si një fëmijë që pret gjithçka nga prindërit si dhuratat dhe ndëshkimet nëse nuk sillet mirë. Pra, përqendrimi vetëm në një dimension të tillë ndaj veprimit politik, krijon një trupë sociale të papjekur për fatet e vendit dhe të papërgjegjshme në raport me peshën e saj sociale për fatet e shoqërisë dhe të demokracisë. Kjo gjë ndodh edhe për faktin se, publikut të gjerë i merret mendimi për qeverisjen vetëm një herë në katër vite, pra vetëm kur ka zgjedhje.


Duke u larguar nga ky realitet, duket se opozita e sotme po jep shenja të një orientimi tjetër në raport me trupën sociale të vendit tonë, ndryshe nga qeverisja aktuale e cila e sundon atë duke krijuar nga njëra anë klientelë dhe nga ana tjetër, një sasi individësh për t’u administruar me demagogji ose me burg. Pra, trupa sociale e vendit tonë i ka të shumta rastet kur i korrespondon një numri të madh individësh me interesa personalë që nuk ndiejnë përgjegjësi për fatet e vendit, as për fatet e tyre, duke u kthyer në sasi egoistësh që nuk shohin përtej hundës dhe kur ndiejnë se qeveria nuk u ofron diçka që t’i kënaqë, fillojnë e mallkojnë atë njëlloj si fëmija kur do të pijë në gjirin e nënës.


Opozita ka bërë edhe mjaft premtime që askush nuk do të ishte në gjendje të hamendësonte nëse ajo do t’i mbajë ato apo jo, po këtu ndoshta fillon edhe një ndryshim me atë që deri më sot ka mbetur klasike: premtime, premtime dhe në fund zhgënjim. Në fakt, opozita edhe më parë ka dëshmuar se nuk ka pritur të vijë në pushtet për të zgjidhur disa çështje të rënda për qeverisjen dhe demokracinë e vendit. Ligji i dekriminalizimit mbetet një veprim konkret i saj dhe që i dha goditje të fuqishme faktit të hyrjes në parlament të personave me të kaluar kriminale.


Për një vend si yni ku zhvillimi demokratik nuk është projekt por një urgjencë, nuk ka kohë që verifikimet e premtimeve politike të përkojnë me zgjedhjet, por duhen gjetur instrumentat e duhur që trupa sociale e vendit të tërhiqet në vendimmarrje të rëndësishme të qeverisë për publikun në mënyrë të vazhdueshme dhe seriozisht. Ato që quhen grupe interesi dhe që konsultohen hera-herës nuk përbëjnë zgjidhjen e duhur, janë pak. As këshillat bashkiakë si ai i Tiranës ku pavarësia e tij është totalisht e pamundur pasi të gjithë anëtarët janë tashmë në rresht si pjesë e qeverisë, nuk jep zgjidhje efikase. Nuk është habi që mandati politik i marrë vite më parë në zgjedhje të ketë nevojë të verifikohet hera-herës, jo vetëm brenda mureve të parlamentit, por edhe në publik të gjerë.


Shenja e parë e opozitës, ose më saktë e Partisë Demokratike, që tregon se ajo kërkon të përgjegjësojë trupën sociale krahas elitave politike, duke mos i lënë këto të fundit të vetme në drejtimin e vendit, është procesi i përzgjedhjeve të kandidatëve të saj. Aty ku secili anëtar kishte të drejtë të propozonte një individ është prova e  gjetjes së një mekanizmi për të tërhequr masën e gjerë në vendimmarrje, gjë që dëshmon jo një premtim, por një dëshmi të asaj me të cilën do të formohet trupa sociale në të ardhmen.

Ky hap i Partisë Demokratike nuk i shpëtoi edhe përqeshjeve në raport me numrin e madh të të propozuarve. Nuk është ky problemi. Nëse trupa sociale sot përqeshet për veprimet e saj në kësi rastesh, kjo dëshmon stadin ku është lënë përgjegjshmëria që duhet të ketë edhe individi më i thjeshtë për fatet e komunitetit ku militon. Dhe nëse njeriu i thjeshtë nuk përgjegjësohet, elitat politike automatikisht do të kthehen në organe kolegjiale që materializojnë vetëm vullnetin politik dhe ekonomik të sunduesit.

Më pas në pushtet, opozitës nuk i mbetet gjë tjetër, veçse gjetja dhe aplikimi i instrumentave që çojnë në verifikimin e qeverisjes para se të vijnë zgjedhjet. Referendumet për raste kundërshtish të forta publike do të ishin një mekanizëm efikas. Më mirë një referendum i humbur sesa zbatimi i një projekti antipublik siç ishte për shembull rasti i prishjes së ndërtesës së teatrit.

Përpos kësaj, krahas hapave konkretë për përgjegjësimin e trupës sociale, Partia Demokratike ka hedhur edhe një hap tjetër konkret shumë të rëndësishëm, këtë radhë në raport me krijimin e ekuilibrave institucionalë në të ardhmen, të cilët përkthehen në ekuilibra socialë.

Ndryshe nga sot, kur kemi një Kryeministër i cili ka një përqendrim absolut jo vetëm të pushtetit politik, por ka vënë dorën edhe te pushtetet e tjera duke mos respektuar asnjë element thelbësor të ndarjes së pushtetit, lideri i opozitës dëshmon jo vullnet, as premtim, por hap konkret në vizionin e tij për të ndarë pushtetin realisht, madje pikërisht atë pushtet që në linja të përgjithshme është monopol i tij, pushteti politik.

Krijimi i Komisionit të Pavarur i cili do të merret me përzgjedhjen e kandidatëve të propozuar nga masa militante, është hapi konkret. Ky Komision është i përbërë nga figura historike të kësaj partie, të cilët janë të pavarur nga partia dhe lideri aktual i saj. Janë ata që do të marrin vendimin për të seleksionuar më të mirët në raport me kriteret dhe jo me dëshirat subjektive apo lobimet e interesit. Duke qenë se në vendin tonë mosbesimi mbetet kult, dikush mund të thotë se ky Komision është kukull apo të tjera si këto. Nuk mund të jetë kështu nëse kihet parasysh profili dhe dimensionet e anëtarëve të tij, të cilët pak është e mundur t’i kesh nën hyqëm sipas shprehjes popullore.

Të dy këta janë hapa të rëndësishëm, të cilët do të përbëjnë dy shtyllat e reja sesi do të ndërtohet demokracia dhe shteti shqiptar duke treguar se opozita nuk po bën thjesht premtime, por po ofron një model qeverisjeje.


Etiketa:

Pas