Edi Rama nuk tentoi asnjëherë që ta kalonte reformën, qoftë sa për sy e faqe në parlamentin e Shqipërisë. E mbajti peng, për më shumë se 45 ditë, me justifikimin se nuk kishte votat duke e adresuar “fajin”: te deputetët e listave, dhe këtej shfaqte video për të na treguar se sa të lumtur do ishim pas ndërrimit të sistemit.
Se sa vota kishte Rama pro marrëveshjes askush nuk e mori vesh realisht. Dikush thoshte 82, dikush 83, dikush më pak e dikush më shumë.
Loja u zhvendos në tjetër drejtim, te niveli më i ulët i politikës, që kryeministri kërkon t’i bëjë faktor, për qëllime qartësisht të errëta. Kushtetuta po tenton të ndryshohet duke përdorur disa individë që do pataksnin çdo lider, jo vetëm perëndimor por dhe ata të botës së tretë me nivelin e tyre të përfaqësimit.
Por kur vjen puna për të mbajtur pushtet, Rama nuk njeh limit. Bëhet manipulator dhe i rrezikshëm.
Skrupujt dhe morali politik e njerëzor nuk janë pjesë e agjendës së tij, s’kanë qenë kurrë. Pasi pa që nuk ka asnjë rrugëdalje për të ruajtur benefitet që ka marrë, PPP-të, udhëtimet me çarter, industrinë e drogës që me sa duket po rikthehet prapë, ai po hedh poshtë çdo investim, qoftë ky dhe i ndërkombëtarëve që i kanë dhënë jo pak dorë për të mbajtur një pushtet të pavotuar.
Në rast se do të bësh dallimin mes një lideri që punon për kombin e tij, dhe një tjetri që punon për interesa thellësisht personalë, tani është bash koha. Rama ka harruar pandeminë, ka harruar se përditë e më shumë po vdesin njerëz nëpër spitale. Në një kohë kur liderët e BE-së po diskutojnë plane masash e shpëtimi, se si të ruhen nga një valë e dytë, vëmendjen e kryeministrit tonë e ka uzurpuar shkelja e demokracisë.
Opozita assesi nuk duhet të bëhet pjesë e kësaj loje. Ulja në atë tryezë sot, qoftë dhe sipas kushteve të saj, s’do bënte gjë tjetër vetëm se do legjitimonte tentativat për shkeljen e Kushtetutës. Në rast se Rama kërkon të tundë shaminë në vallen me klounët që i konsideron si opozitë ajo është punë e tij.
Ajo (opozita) ka për detyrë t’i tregojë se në çfarëdolloj sistemi që të shpikë e të përdorë, minutat e kësaj mazhorance kanë filluar numërimin së prapthi. T’i tregojë se tentativat, dhe lojërat që kërkon të bëjë, për të nxitur sherrnajën mes opozitës i ka të kota. Duhet të lërë pas komplekset e së kaluarës ku ai kërkon që ta rifusë sërish.
Ta braktisë atë tryezë sharlatanësh, le të zhgërryhen në batakun ku janë zhytur, qoftë ai që ka uzurpuar pushtetin qoftë ata opozitarë që i shkojnë mbrapa për ndonjë kockë. Fundja, llogaridhënien ata e kanë me tjetërkënd. Ajo marrëveshje u firmos në rezidencën e Ambasadës Amerikane dhe në rast se Rama me të tijtë duan të nëpërkëmbnin besimin e tyre, aq më keq për ta.
Prilli nuk është larg, dhe gjithsekush do marrë atë që meriton.