Editorial

Opozita vdiq, rroftë opozita!






               Publikuar në : 20:52 - 01/07/19 |
Nga Gentian Gaba

Nga Gentian Gaba


Rama e trajtoi 30 Qershorin si një referendum dhe e humbi. Si të gjithë ata që kanë kënduar për fundin e historisë, u gabua. Kutitë bosh, përfshirë këtu edhe ato të mbushura me pakujdesinë e xhahilëve të partisë, nuk e zgjidhën krizën. Përkundrazi, ajo ka marrë një dimension më të madh. Pakica në pushtet, hodhi nën kthetrat e lyera me bojën e zezë të procesit të së dielës, gjithë njësitë administrative të vendit. Pavarësisht nëse këto votime do të njihen apo jo, pavarësisht ilaritetit që ka shkaktuar komedia njerëzore e votimeve, në këtë moment jemi përballë një shteti monist. Diçka e frikshme, sidomos duke patur parasysh historinë e vendit tonë, por gjithsesi e parashikueshme. Duhet të bëhet keq, që të bëhet mirë thotë një fjalë e urtë. Sepse të gjitha pushtetet, përfshirë këtu perandoritë, kanë në gjenezë të rënies së tyre atë që historiani Paul Kennedy quan ‘overstrech’ (mbishtrirjen). Pra, një ekspozim të papërballueshëm, sidomos për një pakicë si kjo që ka në dorë të gjithë çelësat e pushtetit.

Përballë këtij përbindëshi politiko-administrativ, kemi një opozitë të zhveshur nga çdo lloj pushteti. Në një ‘ground zero’ (pikë zero) institucionale, sigurisht të vetëkërkuar. Duke hequr dorë nga çdo gjë që mund ta lidhte atë me sistemin e kapur nga kryeministri, opozita ka prodhuar një gjendje të re për politikën shqiptare. Veçse masa e suksesit të kësaj tërheqjeje nuk matet me sekondat, orët, ditët e nevojshme për të arritur objektivin politik që iu ka parashtruar shqiptarëve. Por nga vetmia në të cilën e ka lënë Ramën. Ky i fundit, për të legjitimuar një sistem që tashmë ka marrë fund, kishte nevojë për partnerët që i garantonin fasadën përballë shqiptarëve dhe të huajve. Kjo fasadë tashmë ka rënë. Ndërsa ai, bashkë me pretorianët e tij, ka hyrë në një spirale fatale gabimesh dhe skandalesh për të cilat një faturë e parë u prezantua të dielën.

Përtej xanxës së numrave, midis 80 dhe 85 për qind të qytetarëve i thanë jo ‘Shqipërisë që duam’. Jo zgjedhjeve të vjedhura, jo përgjimeve, jo skandalit të ‘Unazës’, jo vjedhjes së Teatrit Kombëtar, jo krimit të lidhur me politikën, jo izolimit të Shqipërisë (prej më shumë se dy vitesh Rama nuk pret një Homolog perëndimor), jo rënies së PBB në 2.2 për qind, jo mungesës së investimeve të huaja, një jo e madhe për çdo gjë që është premtuar dhe nuk është mbajtur.

Megjithatë, kjo ‘JO’ ndaj mazhorancës nuk përkthehet automatikisht në një ‘Po’ ndaj opozitës. Qartësisht kjo e fundit vërtetoi se nuk është rroga e Voltana Ademit, ose rrogat e deputetëve që lanë mandatet, që i mundësojnë asaj të jetë një alternativë ndaj Ramës, por është lufta pa kompromis ndaj tij që e bën të tillë. Vijimi i betejës për t’iu kthyer shqiptarëve të drejtën për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, për të themeluar një sistemi të ri, më përfaqësues dhe më të ndershëm. Vetëm vazhdimi i kësaj beteje, pavarësisht kostove që mund të ketë në periudhën afatshkurtër, do ta bëjë opozitën përfaqësuese jo vetëm të atyre që nuk votuan në 30 qershor, por edhe të atyre që në votime shkuan nën shantazhet e shëmtuara të hyqymetit.

Për këtë gjendje të re të politikës, për këtë ‘ground zero’ në të cilën ndodhet opozita, vlen të përmendet togfjalëshi ‘le roi est mort, vive le roi!’ (mbreti vdiq, rroftë mbreti!), me të cilin francezët përcillnin, në shenjë vazhdimësie të monarkisë, vdekjen e mbretit të vjetër dhe kurorëzimin e të riut. Kësisoj edhe opozita shqiptare e përpara 30 qershorit, që diti të sakrifikojë si asnjëherë më parë çdo pushtet, ‘vdiq’ dhe, nga dita e diel, u kurorëzua një opozitë të re. Potencialisht një opozitë e përberë nga gati 80 për qind e shqiptarëve, e një shumice që është gati për ndryshim. Opozita vdiq, rroftë opozita!


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas