Nga Preç Zogaj
Nuk kishte ngjarje, nuk pritej ndonjë gjë e re. Por kronika e shënon sidoqoftë: Sali Berisha e përmbushi edhe si formalitet zgjedhjen e tij në krye të lëvizjes së tij të “Rithemelimit” të PD-së.
Prej sot, në gjendjen e re të faktit të kryer, që ndryshon nga gjendja e deridjeshme e faktit të pakryer, ai do të përballet si kryetar me narrativën që u ka servirur ndjekësve të tij në lidhje me atë se kush e shpalli, pse e shpalli dhe sa do të zgjasë shpallja e tij “non grata”. Jo se këto pika nuk janë sqaruar nga Departamenti i Shtetit dhe ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Juri Kim. Kush ka dashur të dëgjojë e të lexojë ka marrë përgjigje të qarta për të tria pikëpyetjet e lartpërmendura.
Për të arritur këtu ku arriti, Berisha ka ndërtuar që në krye të herës një tregim të tij, më saktë një kundërtregim të asaj që kanë thënë SHBA-të. Kundërtregimi thotë se shpalljen “non grata” e ka nga Xhorxh Soros për hakmarrje personale dhe jo nga shteti amerikan në bazë të informacioneve të kryqëzuara e të vlerësuara nga një numër i madh institucionesh, siç janë Departamenti i Shtetit, i Sigurisë Kombëtare, i Drejtësisë, i Thesarit, FBI, CIA e tjerë.
Arsyeja e shpalljes, sipas kundërtregimit, është mbrojtja që autori i ka bërë integritetit territorial të Kosovës dhe jo tre motivacionet e njohura në aktin e sekretarit të Shtetit, Antony Blinken. Gjithnjë sipas kundërtregimit dhe zgjatimit të tij krijues në bazë, kjo shpallje, shumë-shumë, do të jetë në fuqi deri në përfundim të mandatit të presidentit Biden, pra deri në fillim të vitit 2025, e jo përgjithmonë, siç thonë statistikat që publikon Departamenti i Shtetit për të shpallurit për korrupsion domethënës; Presidenti republikan i së djathtës do t’ja heqë sapo të vijë në pushtet! SHBA ndërkaq bëhen me të fortin!!! Do të thotë se ndryshe nga ç’është thënë e ç’thuhet sikur nuk do të kenë asnjë marrëdhënie me një person të shpallur “non grata” prej tyre dhe as me ndonjë subjekt politik të drejtuar apo të zotëruar nga një person i tillë, SHBA, sapo të shohin se Sali Berisha ka një subjekt politik prapa vetes, do të ndryshojnë mendje, do të tërhiqen nga këto deklarime dhe qëndrime, do t’i zgjasin dorën e bashkëpunimit!
Në lidhjen e tyre këto shpjegime janë një ekzemplar kundërthëniesh, alogjizmash dhe ëndrrash në diell. Mbrojtësi i Kosovës, fjala vjen, i bie të jetë ndëshkuar nga çlirimtarët Kosovës, të cilët, me zërin e Presidentit Biden kanë qenë dhe janë për një marrëveshjeve Kosovë-Serbi që e përjashton shkëmbimin e territoreve, por janë edhe për kapërcimin sa më shpejt të “statusquosë” shumëvjeçare, që është një politikë e revanshistëve të Moskës dhe Beogradit.
Sidoqoftë, duke patur parasysh modelet e qeverisjes tribale dhe të korruptuar deri në palcë të Shqipërisë, nuk është për tu çuditur që shumë prej ndjekësve të Berishës u ka ngjitur narrativa sipas së cilës shteti amerikan merret zvarrë nga dikush që ka shumë para!
Pse të mos mendojnë këta ndjekës se dënimi i ka ardhur si i djathtë sovranist nga “komunistët në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit” dhe do t’ja ja heqë Tramp-i me shokë , siç i bombardon çdo ditë narrativa në fjalë!
Pse disa prej këtyre ndjekësve, që nuk janë as nostalgjikë, as të kapur, as të manipuluar, por antiamerikanë në bindje dhe në përcaktim, të mos e mendojnë e të mos e thonë hapur, pa diplomaci, qoftë edhe duke dashur ta mbajnë të ndërsyer Berishën, se ky po u tregon vendin SHBA-ve, po i mposht i vetëm, e të tjera stilema të stokut enverist!
Që prej fillimit të Foltores e deri sot Berisha ka patur aleat kryesor paqartësinë, kakofoninë. Me përfundimin e strukturimit të lëvizjes së “Rithemelimit” të PD-së dhe me shpalljen kryetar edhe me letra ai ka zyrtarizuar gjendjen e faktit të kryer. Që është momenti i një qartësie më të madhe dhe ballafaqimit me të vërtetën faktike për të gjithë gjërat që i ka treguar siç i ka interesuar.
Kush do ta njohë, kush do ta urojë, kush do ta vizitojë?
A mund të ndodhë që republikanët amerikanë, konservatorët anglezë, spektri i Partive Popullore Europiane të kenë një qëndrim të ndryshëm nga ai i Departamentit Amerikan të Shtetit?
Pak ditë më parë ishte në Shqipëri, Make Pompeu, ish-sekretari i Shtetit në qeverinë e presidentit republikan, Donald Tramp. Po të kishte qoftë edhe një nuancë qëndrimi të ndryshëm apo të kundërt nga pasardhësi i tij Blinken në lidhje me shpalljen e Berishës “non grata” do të gjente patjetër një mundësi për ta shprehur. Por nuk kishte. Përkundrazi. Republikanët në SHBA janë opozita e demokratëve. Ata ku ta gjejnë ta kapin në shkelje dhe shpërdorim të fuqisë amerikane Presidentin kundërshtar, Biden. Deri më sot nuk ka asnjë denoncim për këtë çështje nga asnjë senator apo kongresmen republikan.
Ora e së vërtetës për kryetarin Berisha pritet të përfshijë edhe Partitë Popullore Europiane. I pyetur nga radioja Deutche Welle pak ditë parë se cili do të ishte qëndrimi nëse PD e merr Sali Berisha, deputeti i mirënjohur gjerman i partisë simotër me PD-në, Gunther Krishbaum, u shpreh: “Në një rast të tillë, unë do të angazhohesha që të pezulloheshin procedurat për anëtarësim në nivel të Partisë Popullore Evropiane”.
Është e qartë se në dritën e një koshiencë të re për bashkimin, pas shpërthimit të agresionit rus kundër Ukrainës , sintonia mes SHBA dhe vendeve të BE-së është bërë e do të jetë edhe më e madhe për çdo çështje me peshë. Ku ajo e njësimit të qëndrimit europian me atë amerikan për personat e shpallur “non grata” për korrupsion domethënës është në rendin e ditës. Kjo është fryma mbizotëruese që prek dhe u jep drejtim edhe zhvillimeve shqiptare si pjesë e familjes euroatllantike.
Sot dhe në ditët në vazhdim vështirë se do flasë kush nga SHBA apo nga Partia Popullore Europiane për zgjedhjen e Berishës. As për mirë, as për keq. Sepse konsiderojnë se çështja kush e ka PD-në është në proces gjyqësor. Do të flasin në momentin e duhur. /Liberale.al/