Kryesore

Orët e protestës me tension, Basha paralajmëron Ramën








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:08 - 03/06/19 |
mapo.al

Protesta e shtatë kombëtare e opozitës përveç masivitetit shoqërohet edhe me disa incidente dhe tension para Parlamentit. Basha: “E sotmja është dita e fundit që i drejtohem me argumentet e arsyes, koha e fjalëve po mbaron, në protestën e radhës fjalën do e ketë vetëm sovrani”. Kryedemokrati sot drejt Gjermanisë, në takime me përfaqësues të CDU–CSU-së dhe Bundestagun gjerman. Rama: “Ne jemi shumë, ata janë pak”…



Protesta e shtatë e madhe e opozitës u shoqërua dje me masivitet të qytetarëve dhe premtimin e kryedemokratit Lulzim Basha se largimi i Edi Ramës dhe qeverisë së tij të korruptuar dhe të lidhur me krimin do i vijë fundi. Për Bashën, “është akute nevoja për zgjidhje politike”-duke i dhënë edhe një shans idesë që të shkohet drejt dialogut politik, por nga deklaratat e liderit opozitar pas tre orësh protestë u la të kuptohej se ky do jetë shansi i fundit që Rama të reagojë. “E sotmja është dita e fundit që i drejtohem me argumentet e arsyes, koha e fjalëve po mbaron dhe në protestën e radhës, fjalën do e ketë vetëm sovrani, vetëm populli, vetëm ju”, tha Basha. Më tej ai vijoi se: “E gjithë beteja jonë bëhet për zgjedhje të lira e të ndershme, e gjithë beteja jonë bëhet për vlera europiane. Nuk mund të pranojmë Edi Ramën dhe bandën e tij ta mbajnë përherë të mbyllur derën e Europës, sepse ajo është shpresa jonë, ato janë vlerat tona. Rrugën tonë të Europës do ta hapim”. Protesta ishte mjaft masive, ku binin në sy edhe shumë gra dhe vajza. Megjithatë pati edhe incidente, veçanërisht përballë Parlamentit, ku protestuesit hodhën shashka dhe fishekzjarrë drejt punonjësve të policisë. Këta të fundit u kundërpërgjigjën me hedhje uji dhe gazi lotsjellës. Një nga protestuesit u dëmtua në këmbë duke marrë plagë sipërfaqësore, por që humbi ndjenjat për shkak të gjakderdhjes dhe situatës së tensionuar, gjithashtu zyrtarisht u tha se shtatë punonjës policie mbetën të lënduar. Kjo situatë u shoqërua me disa qëndrime të njëpasnjëshme politike të ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, që kërkoi të ndalohej sulmi ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Nga ana tjetër, Lulzim Basha në mbyllje të protestës deklaroi se janë shumë qytetarë të dëmtuar dhe se kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj do të mbanin përgjegjësi para ligjit. Ndërkohë, edhe kreu i shtetit Ilir Meta në momentet e para të tensionit para Parlamentit kërkoi vetëpërmbajtjen e palëve dhe bëri thirrje për qetësi.


Basha, nga protesta në Berlin



Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha duket se po “lufton” në dy fronte; në mbajtjen ndezur të protestave masive; dhe tentativës politike për të gjetur një zgjidhje të mundshme të krizës së rëndë që po kalon vendi. Mësohet se Basha do ketë takime me përfaqësues të lartë të CDU-së dhe në Bundestagun gjerman. Objekti kryesor i bisedave dhe takimeve do të jetë pikërisht situata që po kalon vendi. Prania e tij në Berlin në një takim zyrtar është në vazhdën e ndërkombëtarizimit të krizës dhe deklaruar tri kërkesat kryesore të opozitës; largimin e kryeministrit Edi Rama; krijimin e një qeverie kalimtare dhe mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme. Drejtues politik të CDU–CSU-së janë angazhuar me deklarata të qarta që Shqipërisë i nevojitet në mënyrë urgjente gjetja e një zgjidhjeje, duke mos përjashtuar asnjë mundësi, si largimin e kryeministrit Edi Rama ashtu edhe shtyrjen e zgjedhjeve lokale. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka lënë të kuptohet qartazi se nuk ka ndërmend tërheqjen për zgjidhjen e krizës, ndërsa zgjedhjet lokale sipas tij do të zhvillohen më 30 qershor edhe pa pjesëmarrjen e opozitës. Mediat më të mëdha amerikane si Washington Post dhe New York Times raportuan dje për protestën e fundit në Tiranë. New York Times shkruan: “Mijëra mbështetës të opozitës dolën sërish në rrugë të dielën për të kërkuar zgjedhje të reja, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga fuqitë Perëndimore për t’u ulur për bisedime. Mbështetësit e opozitës së qendrës së djathtë- e drejtuar nga Partia Demokratike, u mblodhën përpara godinës kryesore të qeverisë, duke akuzuar kryeministrin e Partisë Socialiste të qendrës së majtë, Edi Rama për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Ata duan që Rama të dorëhiqet dhe një qeveri tranzitore të marrë vendin deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare”. Prania e mediave prestigjioze ndërkombëtare në Tiranë bëhet gjithnjë e më e dendur, pasi nëse palët politike nuk gjejnë një zgjidhje atëherë vendi rrezikon të kalojë në kaos të plotë dhe konflikt me nuanca civile. Për kryedemokratin Lulzim Basha, koha për lojërat e Edi Ramës ka marrë fund. Ai akuzoi kreun e qeverisë, se në Lezhë shkoi me një fjalim plagjiaturë dhe dukshëm i frikësuar. “Dua ta them fare qartë sot, se koha për lojërat e Edi Ramës po merr fund. Kufoma politike që i dridhej dora teksa lexonte plagjiaturën e Albin Kurtit në Lezhë, tregon qartë se pushteti i krimit ka vdekur moralisht, por ai duhet kallur dhe politikisht. Sot nuk ka forcë që e ndal për të marrë në dorë fatet e tij. Bashkë do ndërtojmë kontratë të bashkëjetesës, demokratë e socialistë, të gjithë shqiptarë të bashkuar në një kontratë vlerash europiane. Drejtësia do të ndëshkojë kriminelët, por për këtë beteja duhet çuar deri në fund me fitoren e popullit të bashkuar”-theksoi Basha. Sipas tij, koha e fjalëve të tepërta ka mbaruar dhe do të ketë përballje në çdo shesh e në çdo rrugë derisa të largohet tirania e krimit.

Lexo edhe :  Përjashtimi i ish-deputetëve nga komisioni – Basha: Vendimin e merr Kryesia


Rama shton dozat e përçarjes dhe tregon forcën


Kryeministri Edi Rama gjatë mitingut në qytetin e Lezhës ku prezantoi Pjerin Ndreun si kandidat për kryetar të kësaj bashkie, ka thënë se opozita është e trembur. “Duket si betejë pa kundërshtarë, por është beteja më e qartë se thuajse kurdo herë tjetër mes të së shkuarës dhe të ardhmes, mes nesh që duam të çojmë Shqipërinë para dhe atyre që duan ta kthejnë mbrapsht përsëri, me baltë dhe konflikt. Mes nesh që duam një vend demokratik dhe atyre që duan vetëm pushtet duke dhunuar demokracinë. Ata kanë frikë ndaj bërtasin rrugëve kundër zgjedhjeve, kanë frikë të vijnë edhe të pranojnë gjykimin e njerëzve, prandaj kërcënojnë se s’do ta lënë popullin të shprehet me votë”-tha Rama. Në vijim të fjalimit të gjatë, që gjithsesi kishte edhe doza tensioni kryeministri duket se bëri edhe një gafë politike, teksa tregoi forcën. “Ata janë pak, ne jemi shumë, ata janë dembelë, dëgjoni kur flasin, përtojnë edhe të mendojnë dhe nxjerrin nga goja vetëm fjalë që çdo prind u thotë fëmijëve se janë fjalë që nuk duhen përdorur, fjalë të ulëta… janë të paaftë”-theksoi Rama.


Etiketa: , , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas