Mapo Letrare

Orfeu dhe forca e muzikës






               Publikuar në : 14:10 - 05/05/19 |
Nga Kujtim Abdi

Për sa i takon origjinës së atit të tij njihen dy versione të ndryshme. Bir i muzës Kaliope me Hyun e Lumenjve mbretin thrak Oiagros, ose me Hyun e Muzikës Apollon, që sipas Pindarit është ai që i dhuroi lirën e falur prej vëllait të tij Hermes. Në fakt prodhimi i veglave të para muzikore i dedikohet perëndive. Si Hermesi lirën dhe pipëzën, kishte shpikur Athina flautin dhe Pani fyellin. Të vetmet ishin muzat që për instrument kishin zërin e tyre të pakrahasueshëm e pikërisht nën mësimin e tyre shumë shpejt Orfeu u bë një këngëtarmuzikant dhe poet i mrekullueshëm e si i tillë më i njohuri dhe më me zë i Greqisë së lashtë, pa rivalë, aq sa kur ai luante muzika dhe zëri e tij nuk magjepste vetëm perënditë dhe njerëzit, por deri dhe kafshët e egra nuk mund të rezistonin, deri dhe pemët e shkëmbenjtë të lëviznin nga vendi për t’ju afruar ta dëgjonin sa më pranë zërin e tij. Natyra nën tingujt e tij ishte gjë tjetër, kafshët e egra bëheshin të buta nën këmbët e tij, lumenjtë ndryshonin rrjedhën për t’ju afruar zërit të tij, poashtu kodrat, shkëmbenjtë përloteshin! Gjithçka me shpirt, apo pa shpirt lëvizte drejt tij!


Thuhet se Argonautët e morën me vete në anije në udhëtimin e tyre të famshëm ku ai me muzikën që luante i jepte kurajo të kalonin çdo vështirësi e duke zbutur shpirtrat e tyre kur grindeshin me njëri-tjetrin. Deri dhe era nën tingujt e lirës së tij shtynte më fuqishëm velat. Kujtohet se kur kaluan pranë ishullit të Sirenave ato të mahnitura nga tingujt e lirës ndiqnin anijen sqepmbyllur. Muzika e tij shpëtoi heronjtë Argonautë! Mbas kthimit u martua me Euridiken duke jetuar në vendlindjen e tij, por fatkeqësisht për fare pak kohë.

Fare pak ditë mbas martesës ndërsa Euridike po shëtiste në lëndinën që gjëndej pranë bregut të lumit Peneius Aristaios tentoi ta dhunonte. Ajo e frikësuar vrapoi të shpëtonte dhe pa vënë re shkeli një gjarpër nga kafshimi i të cilit vdiq. Asgjë në botë nuk mund ta ngushëllonte më, as dhe muzika e tij dhe nga dashuria e madhe për të Orfeu vendosi të zbresë në botën e përtejme Tartaros ta merte me vete përsëri Euridiken e ta sillte në botën e të gjallëve me sigurinë se dashuria është Zoti më i fuqishëm, gjë që s’e kishte bërë ende asnjë i vdekshëm për dashurinë. Për këtë ndërmarje arma e tij e vetme ishte muzika ndaj dhe mori me vete lirën me të cilën fillimisht mahniti varkëtarin Karon aq sa ai pa kuptuar e kaloi në anën e përtejme të lumit dhe kur u gjend në hyrjen e mbretërisë së të vdekurve ai me muzikën e tij vuri në gjumë qenin e tmershëm Kerberos duke hyrë aty ku nuk hynte asnjë i gjallë. Kur u paraqit përpara Hadesit, sovranit të hijeve dhe filloi të luajë e gjithë mbretëria e vdekjes mori jetë në saj të asaj që çfaqte dashuria.

Tantali harroi etjen, Sizifi u mbështet i qetë mbas gurit, të gjitha fytyrat e tmershme të shtrigave u zbukuruan për herë të parë me lotë, i tërë ambjenti mori një atmosferë festive dhe si i hipnotizuar Hyu i hijes dhe i heshtjes thiri Euridiken dhe i dha leje ta merte me vete e të dilte përmes shtegut të errët, por veçse Orfeu nuk duhet të kthente kokën ta shikonte deri sa të dilte dhe ajo në dritën e diellit. U duk se dashuria ishte e pamposhtur, por jo ndaj fatit! Euridike filloi të ngjiste shkallët në errësirë e drejtuar nga tingujt e lirës së tij dhe errësira sa vinte e bëhej më gri deri sa në atë të fundit i shkau këmba e lëshoi një klithmë. Orfeu i trembur ktheu kokën e në momentin që i zgjati dorën ta ndihmonte ajo ju zhduk përgjithmonë sikurse i kishin thënë po të mos respektonte konditën. Donte të rikthehej, por Hyjtë nuk të japin një mundësi të dytë! Duke qënë preh i dhimbjes dhe vetmisë më të madhe ai u rikthye në botën e të gjallëve.

Ndonëse me dritën e diellit i ndodhi ta humbë përgjithmonë Euridiken me gjithë-atë ai nuk e braktisi kurrë zakonin e tij të dilte çdo mëngjes në lindjen e diellit mbi majën e malit Pangaion e t’i këndonte hymnet më të bukura që i përkushtoheshin Hyut të Dritës Helios, të cilin ai e quante Apollon. Miqtë e tij të vetëm që e shoqëronin në vetminë e pyllit ishin kafshët, pemët, gurët, lumenjtë, që e dëgjonin me përkushtim. Tekstet e tija kundër flijimit të kafshëve dhe të njerëzve dhe sidomos dashuria e pafundme për dritën e veçanërisht nderimi për Apollonin si hyu më i madh i ngjallën mërinë Dionisit, i cili ndërseu mainadet kundër tij duke e vrarë atë në tempollin e Apollonit aty ku ai shërbente si prift. Nga urrejtja e bënë copa-copa duke ja shqyer trupit të gjitha gjymtyrët dhe kokën ja hodhën në lumin Hebros, por ajo nuk u fundos e notonte mbi sipërfaqe duke vazhduar të këndojë deri sa lumi u derdh në det e valë mbas vale deri sa u pru në ishullin e Lesbos ku mrekullisht themeloi aty traditën e muzikës lirike me tekste poetike me pasardhëse Safon e shumë të tjerë. Po në këtë ishull në tempullin e Apollonit u pru të ruej dhe lira e tij. Më pas me lutjen e Apollonit dhe të muzave e vendosi Zeusi lirën si yllësi në qiell.

Ndërsa pjesët e tjera të trupit ja mblodhën muzat e duke vajtuar i varrosën në Leibethra rrëzë malit Olymp ku që nga ajo ditë aty mblidhen bilbilat me zërin më të bukur të botës e këndojnë pa pushim.


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas