Kryeredaktorja e revistës ekonomike “Monitor”, Ornela Liperi në një intervistë për Gazetën Mapo tha se ekonomia po vuan pasojat e një zhvillimi rastësor dhe të paqëndrueshëm. Ajo solli në vemendje të dhënat e fundit të EUROSTAT që tregojnë se Shqipëria është vendi më i varfër në Europë sa i përket konsumit. “Konsumi aktual individual, që mat mirëqenien e familjarëve dhe shprehet sipas barazisë së fuqisë blerëse, Shqipëria rezulton më e varfra në Europë, me 38% të mesatares së Bashkimit Europian. Ky është një tregues që kostoja e jetesës në Shqipëri është e lartë në raport me të ardhurat”, u shpreh ajo.
Ekonomia shqiptare duket se po kalon momente jo të mira. Kë do të rendisni ju si shkaqet kryesore për këtë situatë?
Ornela Liperi: Në fakt ekonomia shqiptare nuk ka kaluar momente të mira as vitin e kaluar. Por, në 2018-n, ajo u favorizua nga moti me reshje, që rriti prodhimin e energjisë si rrjedhojë dhe eksportet e këtij produkti, që llogaritet si vlerë e shtuar në ekonomi. Ndonëse ekonomia u rrit me 4.06% për gjithë vitin 2018-n, nëse do të hiqet efekti i energjisë, rritja nuk do i kalonte 3%. Në muajt e parë të 2019-s, teksa efekti i energjisë u zhduk, dolën në pah përmasat reale të rritjes anemike, duke u përgjysmuar në vetëm 2.1%.
Rritja ekonomike e tremujorit të parë të këtij viti ishte poshtë parashikimeve. Nuk është çudi që kjo të ndodhë edhe në tremujorin e dytë. Ç’do të thotë kjo për një ekonomi si e jona?
Ornela Liperi: Po është e vërtetë që pritshmëritë për rritjen ekonomike nuk janë shumë optimiste dhe për tremujorin e dytë. Në fakt, prej vitesh, ekonomia vendase po vuan pasojat e një zhvillimi rastësor dhe të paqëndrueshëm dhe kjo është e dukshme po të shohim sektorët që nxisin rritjen çdo tremujor, një herë është ndërtimi, një herë energjia, një herë tregtia etj. Pasojat më të dukshme të kësaj rritjeje anemike shihen nëse do të bëjmë krahasim me progresin e vendit në raport me rajonin. Të dhënat e fundit të EUROSTAT tregojnë se Shqipëria është vendi më i varfër në Europë sa i përket konsumit. Konsumi aktual individual, që mat mirëqenien e familjarëve dhe shprehet sipas barazisë së fuqisë blerëse, Shqipëria rezulton më e varfra në Europë, me 38% të mesatares së Bashkimit Europian. Ky është një tregues që kostoja e jetesës në Shqipëri është e lartë në raport me të ardhurat. Kjo tregon se rritja ekonomike në Shqipëri ka qenë vetëm numër dhe nuk ka nxitur mirëqenien e popullatës. Një sektor që duket se po ecën mirë është ai i turizmit, por dhe këtë qeveria rrezikon ta shkatërrojë, pasi nuk po i përgjigjet ritmit të investimeve private në hoteleri me përmirësimin e infrastrukturës.
Pak ditë më parë qeveria shkarkoi vetëm 3 muaj pas emërimit drejtorin e Tatimeve. Duket se situata në të ardhurat buxhetore është e vështirë, e për pasojë edhe në shpenzime e investime. Sa ndikim ka kjo në ekonomi?
Ornela Liperi: Rendimenti i ulët i mbledhjes së të ardhurave është pasojë e ngadalësimit të rritjes ekonomike dhe e evazionit të lartë që ekziston prej vitesh. Një tregues direkt janë të ardhurat nga TVSH e brendshme, një indikator i konsumit, të cilat për pesë muajt e parë të vitit ishin 12% më të ulëta se një vit më parë. Ndërsa në largimin e drejtorit të tatimeve, interesant është fakti që performanca e tatimeve ka qenë më e mirë se e doganave në 5 muajt e parë të vitit. Sipas të dhënave zyrtare, në pesë muajt e parë të vitit, të ardhurat nga Tatimet ishin 61.9 miliardë lekë, me një rritje prej 5.8%, duke rezultuar 1.3% ose rreth 800 milionë lekë më pak se plani. Më e dobët ishte performanca e doganave, me të ardhurat që u rritën vetëm 0.5% me bazë vjetore për 5-mujorin, ose rreth 2 miliardë lekë më pak se plani. Ngadalësimi i të ardhurave do të ndikojë në kahun e shpenzimeve, me qeverinë që do shtrëngohet të mbledhë rripin për të ruajtur parametrat e deficitit fiskal. Por shpenzimet kapitale sërish nuk do të realizohen, pavarësisht të ardhurave.
Raporti më i fundit i DASH e vlerëson vendin tonë si jomiqësor me investimet e huaja. Dhe shkak kryesor për këtë është korrupsioni. A po e përkeqëson më tej situatën qeverisja jo e mirë? A kanë fuqi ta kompensojnë mungesën e investimeve të huaja të ardhurat nga turizmi dhe emigracioni?
Ornela Liperi: Nuk përbën ndonjë risi konstatimi i DASH. Edhe raporti i një viti më parë ishte njësoj negativ për Shqipërinë, ashtu siç kanë qenë dhe indekset e dhomave të huaja ku më e fundit ishte ai Shoqatës së Investitorëve të Huaj. Ajo që është për të ardhur keq është fakti që qeveria nuk pranon asgjë dhe nuk merr asnjë masë për të përmirësuar klimën e biznesit. Turizmi, siç e përmenda dhe më lart është një sektor potencial, por fatkeqësisht qeveria i ka përqendruar energjinë në disa projekte madhore me kosto të dyshimtë të Partneritetit Publik-Privat, dhe po lë jashtë vëmendjes infrastrukturën turistike, ndriçimin apo mbledhjen e plehrave.
Përveç problemeve të vetë qeverisjes edhe kriza politike është një kosto shtesë. Si e parashikoni të ardhmen afatshkurtër të zhvillimit të ekonomisë?
Ornela Liperi: Përveç turizmit, nuk shikoj ndonjë sektor tjetër që mund të nxisë rritjen ekonomike në afatin e shkurtër. Një problem mjaft i madh për momentin është largimi i forcës së punës të kualifikuar, çka po vë në vështirësi bizneset për të gjetur punonjës. Kjo rrezikon të kthehet në handikapin më të madh të zhvillimit afatmesëm e afatgjatë të ekonomisë, pasi do të ulë produktivitetin e ndërmarrjeve dhe në një rreth vicioz do të ndikojë investimet, taksat që paguajnë bizneset dhe vetë rritjen ekonomike.