Aktualitet

Ornela Liperi: Politikat e qeverisë, favorizuese vetëm për një grusht të vogël njerëzish














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:57 - 19/12/20 |
mapo.al

Revista Monitor ka ngritur e para shqetësimin për kostot e larta dhe procedurat problematike të koncesionit për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren.






Ky koncesion ishte një prej konstatimeve të raportit të TI për korrupsionin e qeverisjes. Ornela Liperi, kryeredaktore e Monitor, në një intervistë për Gazetën MAPO komenton gjetjet e këtij raporti dhe pasojat që kanë në ekonominë e vendit politikat qeverisëse.


Raporti i fundit i Transparency International për Shqipërinë flet për kapje të shtetit për qëllime korruptive. Si shembuj raporti sjell ligjet e personalizuara, ose të bëra me porosi, që sipas raportit, legjitimojnë privatizimin e institucioneve dhe burimeve publike duke e bërë atë të ligjshme. Si e konsideroni këtë raport në tërësi?
Në fakt, gjetjet e raportit janë konfirmim i asaj që po diskutohet prej vitesh tashmë. Qeveritë e të gjitha kaheve nuk kanë pasur një vizion të qëndrueshëm dhe afatgjatë për zhvillimin e vendit dhe të ekonomisë dhe të atyre sektorëve që kanë vlerë të shtuar dhe avantazhe konkurruese. Qëllimi parësor rezulton se kanë qenë fitimet afatshkurtra dhe favorizimi i grupeve të caktuara të interesit. Kemi parë shumë raste të ndryshimeve ligjore që janë hartuar edhe pse janë kundërshtuar nga grupet e interesit dhe nga institucionet ndërkombëtare si dhe nuk kishin një analizë të qartë të kostove dhe përfitimeve. Nëse marrim një shembull të dy viteve më parë. Përkundër të gjitha këshillave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, dy vjet më parë qeveria mori një vendim për të ulur pragun e futjes në tatimin mbi vlerën e shtuar nga 5 në 2 milionë lekë.







Grupet e interesit thanë se ulja e këtij pragu do të falimentonte bizneset e vogla, ndërsa FMN tha se kjo lëvizje nuk do të ishte eficiente për faktin se burimet që administrata do të duhet të vinte në dispozicion ishin shumë më të larta sesa përfitimet që do të merrte nga mbledhja e të ardhurave shtesë. Por, qeveria eksperimentoi dhe e miratoi këtë vendim, çka ka ndikuar negativisht në ecurinë e bizneseve të vogla dhe në 2018 dhe 2019, sipas të dhënave të INSTAT janë mbyllur mesatarisht nga 4-5 mijë subjekte të vogla në vit. Tashmë qeveria ka pranuar se kjo ishte një politikë e dështuar dhe nga janari i këtij viti pragu është rritur në 10 milionë lekë.



Në një nga shembujt më flagrantë të kësaj skeme korruptimi përmendet koncesioni për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren, një çështje e publikuar më herët nga hulumtimet e medias që ju drejtoni, ku është denoncuar rritja fiktive e kostos së saj. Sa duhej të ishte vlera reale e kësaj rruge dhe sipas jush a duhet të tërhiqet qeveria nga ky projekt? A ka shembuj të tjerë të ngjashëm me PPT-të në sektorë të tjerë?
E gjithë politika e ndjekur vitet e fundit për partneritetet publike private ka një mungesë të qartë të analizës kosto përfitime dhe ka ngritur dyshime të shumta si për kostot e larta me të cilat do të bëhen këto projekte, ashtu dhe për rrezikun e pastrimit të parave. Rasti më flagrant është ai i Milot-Balldren. Kontrata koncesionare për ndërtimin e 17 km rrugë Milot-Balldren, e miratuar nga Kuvendi me një kosto prej 256 milionë euro për 13 vjet (por që mund të arrijë deri në 300 mln euro), ka qenë më e kundërshtuara dhe më problematikja, duke rezultuar dhe me falsifikime, çka e bën atë lehtësisht të anulueshme, nëse do të ekzistonte një vullnet politik për ta bërë këtë. Por deri tani kjo kontratë nuk është anuluar dhe sipas informacioneve të fundit kanë filluar matjet në zonën ku parashikohet të bëhet ndërtimi.



Ka shumë arsye pse kjo kontratë është e dyshimtë:

Kompania fituese A.N.K nuk ka kapacitetin për të ndërtuar një rrugë të përmasave të tilla. Ndërsa A.N.K premton të financojë 52 milionë euro nga kapitali i vet, të dhënat zyrtare nga bilanci 2017 tregojnë se totali i aktiveve të saj ishte vetëm 16 milionë euro (2 miliardë lekë), ndërsa totali i kapitalit është 3.2 milionë euro. Kompania kishte të ardhura prej 16 milionë eurosh në 2017-n dhe një fitim minimal prej më pak se 1 milion euro. Kompania pretendon që do të marrë një hua prej 70 milionë eurosh, një shumë që asnjë bankë nuk do ia jepte një kompanie me bilanc të tillë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar në auditimin e tij se të dhënat për kontratën koncesionare me Partneritet -Publik -Privat për ndërtimin e rrugës, Milot -Balldren nga kompania ANK janë falsifikuar. KLSH ka gjetur të dhëna të ndryshme në një tabelë që ka të njëjtin numër regjistrimi, ku vërehen qartë se si kanë ndryshuar shumat dhe afatet e financimit të segmentit nga furnitorët.

E dyshimtë është dhe futja në lojë e furnitorëve, përmes të cilëve kompania pretendon të sigurojë rreth 20 milionë euro, duke ngritur dyshime për pastrim parash. Sipas kontratës së botuar në faqen e Kuvendit, financimi nga furnitorët është 19.5 milion euro, përkatësisht 2.5 milion euro vitin e parë, 3 milion euro vitin e dytë, 7 milion euro vitin e tretë dhe 7 milion euro vitin e katërt, të projektit koncesionar/PPP.

Për më tepër që kontrata është e hapur, kostot mund të rriten pa fund. Neni 35 i kontratës, “Ndryshime në punimet apo shërbimet” specifikon që Autoriteti Kontraktor mund të kërkojë ndryshime në projekt përmes një kërkesë me shkrim, përpara fillimit të këtyre punimeve, duke lënë në këtë mënyrë të hapur një rritje tjetër të kostove. Kontrata parashikon që përballimi i kostove për ndryshimin e kërkuar bëhet nga Autoriteti Kontraktor. Edhe shoqëria koncesionare mund të propozojë ndryshime dhe në këtë rast kostot ndahen 50:50. (neni 35, faqja 70-72 e kontratës.

Por, qeveria në kuadrin e saj afatmesëm është e përgatitur të paguajë deri në 36.5 miliardë lekë për këtë koncesion, sipas tabelave të brendshme të hartuara nga Ministria e Financave për llogari të institucioneve ndërkombëtare. Pra shuma maksimale që qeveria parashikon të paguajë nga buxheti i saj është dhe 5.3 miliardë lekë, ose gati 44 milionë euro më shumë, sesa ajo e miratuar në kontratën nga Kuvendi, duke e çuar koston në total në 17 milionë euro për kilometër.

Po me ligjin për lojërat e fatit çfarë ndodhi? I nisur me synimin për kufizimin e këtij biznesi në fund, siç thekson dhe TI, përfundoi duke krijuar lehtësira dhe duke e zgjeruar këtë biznes. Çfarë pasojash do të ketë kjo në ekonominë e vendit dhe a është kjo një rrugë ligjore për pastrimin e parave, siç thekson dhe DASH?
Në vitin 2018, MONEYVAL, mekanizimi i Këshillit të Europës kundër pastrimit të parave publikoi raportin kundër pastrimit të parave për Shqipërinë, i cili ishte shumë negativ dhe vihet në dukje lidhja mes korrupsionit dhe organizatave kriminale për pastrimin e parave, ndërkohë që u tërhiqet vëmendja autoriteteve që ata nuk po marrin masat e duhura për të luftuar këtë fenomen. “Sektori i lojërave të fatit (përmes kërcënimit të infiltrimit kriminal në pronësi dhe në aktivitet) dhe sektori i pasurive të paluajtshme shihen që kanë një rrezik të madh për pastrimin e parave”, thuhej në këtë raport.

Pas këtij raporti qeveria mori vendim për t’i ndaluar tërësisht ato, nga 1 janari i vitit 2019. Pas ndalimit të lojërave të fatit ishte evidente një kanalizim i pastrimit të parave drejt sektorit të ndërtimit, me qiellgërvishtësit që po ndërtohen në Tiranë, një pjesë e të cilave do të bëhen hotele. Në këtë rreth vicioz, qeveria në kundërshtim me linjën e saj për ndalimin e lojërave të fatit rishikoi kuadrin ligjor për kazinotë, duke mundësuar zgjerimin e aktivitetit të tyre. Në shtator 2020, qeveria miratoi dy vendime ku, së pari, përcaktohen koordinatat se ku lejohet aktiviteti kazino brenda qytetit dhe që saktësisht përfshin zemrën e tij nga Rruga e Barrikadave te rruga “Urani Pano”; rruga “Dedë Gjon Luli”; rruga “Ibrahim Rrugova”; Bulevardi “Zhan D’Ark”, rruga “Xhorxh W. Bush”.

Nëse do të shohim atë që po ndodh sot në ekonomi, është e dukshme se ka një rritje të pastrimit të parave, sidomos në sektorin e ndërtimit, duke krijuar iluzionin e një rritjeje ekonomike, kur në fakt ajo që po ndodh është vetëm shtimi i pabarazisë në vend. Bizneset e vogla, nuk po arrijnë t’i mbijetojnë krizës dhe po mbyllen duke ndikuar rritjen e varfërisë në vend dhe duke lënë terren për hyrjen e atyre që i kanë fituar paratë nga aktivitetet e paligjshme.

Të dhënat zyrtare të INSTAT treguan se në tremujorin e dytë aktiviteti i pasurive të paluajtshme ishte i vetmi që shënoi një rritje me rreth 5%, me bazë vjetore, kur për të njëjtën periudhë ekonomia ra me 10.2%. Ndërsa në tremujorin e tretë, të gjithë sektorët ishin me rënie, sidomos shërbimet, ndërsa ndërtimi u rrit me 16%.

Janë të gjitha këto tregues direktë dhe indirektë se politikat e ndjekura nga qeveria kanë qenë favorizuese vetëm për një grusht të vogël njerëzish dhe nuk kanë ndikuar në përmirësimin e jetesës së pjesës më të madhe të shqiptarëve.

Këtë e dëshmojnë dhe të dhënat e fundit të Eurostat, sipas të cilave Shqipëria mbetet edhe sot shteti më i varfër i Europës me 31% të të të ardhurave për frymë të mesatares europiane.

LEXO EDHE: 

“Kapja e shtetit” – Dorëzimi i “rilindjes” te krimi dhe korrupsioni

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas