Aktualitet

Ornela Liperi: Të ardhurat nuk rriten me aksion, mungon transparenca






               Publikuar në : 11:16 - 24/08/19 |
mapo.al

Aksioni anti-informalitet nga ana e qeverisë nisi me bizneset e vogla, për të vijuar edhe me mallrat e akcizës, ku janë proceduar edhe kompani të naftës. Përse është marrë ky aksion, për shkak të mungesës së të ardhurave, apo biznesi po i shmangej gjithnjë e më shumë detyrimeve?


Që biznesi tenton t’u shmanget detyrimeve, kjo nuk është ndonjë gjë e re. Problemi qëndron në hapësirat që kanë gjetur bizneset për ta bërë këtë, përmes korrupsionit, apo lidhjeve me qeveritarë dhe vullnetit të administratës për të zbatuar ligjin. Për kujtesë, në vitin 2017, ARMO, rafineria e prodhimit të naftës që ka kaluar duar më duar për shfrytëzim, zuri rreth 30% të tregut të furnizimit me karburant në vend për periudhën janar-nëntor, me rreth 156 mijë tonë të hedhura në treg, ndërkohë që kompanitë që shfrytëzonin ARMO-n paguan vetëm akcizë dhe jo taksë qarkullimi, duke mos paguar gjysmën e taksave që i detyrohej shtetit dhe që ua kishte mbledhur konsumatorëve përmes çmimit të naftës. Zyrtarisht tatimet e pranuan që ARMO kishte detyrime rreth 30 milionë euro. Edhe sot nuk ka një transparencë se çfarë është bërë me këtë detyrim, ndërkohë që kompania vijon të punojë e pashqetësuar, me ndonjë ngacmim të vogël sa për show, nga ana e institucioneve, siç ishte rasti i bllokimit të 500 tonëve për cilësi, që është shumë më e vogël nga detyrimi që ka ARMO ndaj shtetit dhe sidomos konsumatorëve, pasi ata janë paguesit realë të taksave të naftës përmes çmimit. Përsa kohë që nuk do të kemi transparencë për këtë çështje, çdo akt i ndërmarrë nga institucionet përkatëse nuk do të ketë asnjë vlerë reale.

Vitin e kaluar qeveria futi në skemën e TVSH-së bizneset e vogla, duke ia ulur pragun nga 5 në 2 milionë lekë, a mendoni se kjo ishte një nismë e gabuar, pasi të dhënat tregojnë se në mbledhjen e TVSH-së ka pasur rreth 13 % ulje krahasuar me një vit më parë.

Kjo nismë u kundërshtua që në fillim nga ekspertët dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, për disa arsye. Fondi e kundërshtoi për shkak të mungesës së eficiencës që do të sillte kjo nismë, në kuptimin që administrata tatimore do të shpenzonte shumë kohë e burime, ndërkohë që përfitimet që do të vinin do ishin të pakta. Një tjetër shqetësim i ngritur nga ekspertët lidhej me faktin që ekonomia shqiptare është e mbështetur te mikrobizneset si një mjet punësimi (të vetëpunësuarit në Shqipëri përbëjnë 34% të totalit, më e larta në Europë, përveç Turqisë) dhe kjo nismë do godiste pikërisht të vetëpunësuarit. Koha vërtetoi që të dy shqetësimet qëndronin. Të dhënat për 6-mujorin flasin për një rënie me 12.7% të të ardhurave nga TVSH e brendshme. Informaliteti u rrit, pasi rreth 60 mijë biznese që nuk janë në skemën e TVSH-së tentojnë të qëndrojnë jashtë saj dhe refuzojnë të marrin fatura, sipas raportimeve nga biznesi i madh. Ndërsa në 2018-n rreth 15 mijë të vetëpunësuar dolën nga skema e sigurimeve, sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Të dhënat e INSTAT flasin për 5200 biznese të mbyllura (neto) në vitin 2018.

A ka sjellë efektet e duhura aksioni anti-informalitet dhe si është përkthyer kjo në rritjen e të ardhurave, të paktën për muajin korrik ku edhe nisi? Në gjykimin tuaj është një fushatë pak javore që synon më shumë sensibilizim dhe “shfaqje mediatike” apo një nismë serioze që synon formalizimin e biznesit?

Një muaj është shpejt për të dhënë një vlerësim se si do të jetë ecuria, duhet pritur edhe gushti. Duhet thënë, që gjithsesi, ky aksion nuk u shfaq me të njëjtin agresivitet si ai që pamë në fund të 2015-s. Duket se qeveria ka vënë mend deri në një farë mase dhe ka reflektuar. Aksioni u bazua më shumë mbi analizën e riskut dhe nuk kemi gjoba të shumëfishuara apo kërcënime me burg, siç ndodhi në vitin 2015, kur u krijua një klimë terrori. Gjithsesi, përvoja ka treguar se të ardhurat nuk rriten me aksion. Korriku ishte një muaj mjaft i dobët për administratën tatimore, ku të ardhurat totale nga TVSH-ja vijuan sërish në rënie, me rreth 3% për korrikun. Kjo tregon se ekonomia po vuan nga probleme më të thella strukturore dhe aksioni nuk është rruga e duhur për të adresuar këto probleme. Sa për show-n, kjo gjë nuk habit më askënd, pasi show ka qenë gjithnjë filozofia e kësaj qeverie. Entuziazmi i saj do të shuhet shpejt, nëse dhe gushti do të vijojë të ketë një ecuri të dobët të të ardhurave.

Për shtatëmujorin e parë ekonomia u rrit me vetëm 2.2 % krahasuar me 4.3 % që ishin parashikimet. Përse kjo ulje. Ku është përqendruar ekonomia shqiptare dhe a po investohen paratë publike në sektorë që mund të sjellin ndikim pozitiv në ekonomi?

Përgjysmimi i ritmeve të rritjes së ekonomisë në fakt nuk kapi askënd në surprizë. Në fakt, ajo që duhet theksuar është fakti që rritja në 2018-n ishte e nxitur nga shitja e energjisë elektrike për shkak të motit të favorshëm. Shitja e energjisë ndikoi në gati gjysmën e rritjes, që në fakt është më shumë një element statistikor, pasi energjia e shitur llogaritet tërësisht si vlerë e shtuar, ndërsa realisht nuk ndikoi as në punësim as në rritjen e produktivitetit të ekonomisë. Pjesa e parë e 2019-s, thjesht na ktheu me këmbë në tokë, në realitetin që po përjetojmë që pas viteve ’90, të një ekonomie mikro, të mbështetur te tregtia, të paorientuar, jo konkurruese dhe që sot vazhdon dhe po i çon kapitalet e lira në drejtimejo produktive. Gabimi më i madh që po bën qeveria sot është lejimi i ndërtimeve pa asnjë lloj lidhje me realitetin, kryesisht në kryeqytet dhe mbi të gjitha përqendrimi i fondeve buxhetore në disa projekte të mëdha koncesionare që i sjellin pak vlerë ekonomisë, por që do i lënë brezave që do të vijnë një barrë të lartë borxhesh.


Etiketa: , ,

Pas