Sapo u shpall mbyllja e protestës së radhës nga opozita, reagoi menjëherë OSBE.
“Dhuna nuk është përgjigjja për problemet e Shqipërisë. Ne e dënojmë sërish nxitjen politike të dhunës dhe bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi. Të protestuarit është një akt demokratik, por djegia e gomave, përdorimi i shashkave dhe çarja e kordonëve të policisë për të sulmuar një institucion publik, dhe veçanërisht zemrën e demokracisë, nuk janë të tillë. Po ashtu, e nxisim policinë të reagojë në mënyrë përpjestimore. Ne po e monitorojmë situatën me shqetësim. Përgëzojmë mediat për shërbimin e madh që po i bëjnë demokracisë përmes raportimeve të drejtpërdrejta,” thuhet në deklaratën e tyre.
Opozita e nisi protestën ndërsa brenda në sallë zhvillohej një seancë jashtë radhe. Disa mijëra përkrahës të Partisë Demokratike dhe LSI-së u mblodhën me urgjencë për protestën, sapo kryesia e parlamentit ndryshoi datën e seancës.
Ky është tubimi i tretë brenda 10 ditësh që zhvilloi opozita, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhje të parakohshme.