Aktualitet

OSBE-Qeverisë: Ligji për Mediat Audiovizuale, kërkon përmirësim





               Publikuar në : 14:08 - 09/12/19 |
mapo.al

OSBE i kërkon Qeverisë që të rishikojë ligjin për Mediat Audiovizuale dhe ligjin për Komunikimet Elektronike. Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir, i ka dërguar  rekomandimet Qeverisë, duke i konsideruar amendamentet si jo në përputhje me standardet ndërkombëtare, që nuk ofrojnë garanci për lirinë e shprehjes në Shqipëri.


“Bazuar në analizën ligjore, përfaqësuesi ka rekomanduar modifikime të tjera të shumta që duhet të inkorporohen në draftin ekzistues, në mënyrë që të qartësohen masat mbrojtëse për lirinë e shprehjes dhe të shmanget çdo rrezik për kufizime të papërshtatshme apo sanksione ndaj ofruesve të medias elektronike”-ka deklaruar Desir.



“Ka rëndësi të jashtëzakonshme të vendoset një klauzolë që garanton që të gjitha vendimet e AMA mund të apelohen para një gjykatësi kompetent menjëherë pas miratimit të tyre”-ka vijuar më tej Desir, duke iu referuar gjithashtu projektligjit aktual, sipas të cilit AMA vendos gjoba që duhet të paguhen menjëherë, ose mblidhen me forcë nga përmbarimi pa pasur të drejtë që pala e prekur të ankohet në gjykatë.


“Një pikë e dytë e rëndësishme në këtë çështje janë gjobat në rastet e shkeljes së ligjit. Neni 133 vijon të referojë gjoba ekonomike shumë të larta dhe eksesive në raste shkeljesh. Gjoba të tilla mund të sjellin mbyllje të medias dhe mund të shihen si presion indirekt.”

Me iniciativën e ndërmarrë për të “disiplinuar” median online, Rama është përballur me një lumë kritikash. Projektligjet, të cilat janë rishikuar prej një viti tashmë nëpër procese të ndryshme konsultimesh, po trajtohen aktualisht në parlament.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas