Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar takimin e sotëm që zhvilloi me ndërmjetësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Osmani tha se Lajçak iu bë e qartë se procesi i dialogut duhet të ketë një rishikim, pasi nuk ka përse të diskutohet për rregullime kushtetuese apo territore. Ajo gjithashtu theksoi se duhen respektuar vijat e kuqe të parlamentit të ri të Kosovës.
“Kosova e ka përmbyllur statusin e saj, më 17 shkurt 2018, njëherë dhe përgjithmonë. Ndaj, nuk ka pse të negociohet statusi i Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Prandaj presim që ky proces të përfundojë me njohje nga Serbia, me kufijtë tanë aktual”, – u shpreh Osmani.
Lajçak takimin e parë e ka pasur dje me kryeministrin e zgjedhur më 14 shkurt, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Ai mëshoi gjatë vizitës në Kosovë se, dialogu me Serbinë nuk duhet të jetë përgjegjësi e një partie të vetme por e të gjitha subjekteve politike.
Nuk ka asnjë pengesë, tha Lajçak, që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi gjatë mandatit Kurti-Osmani.