Një çmim ndërkombëtar bëhet dhe një magnet për të tërhequr lexuesit drejt një libri, edhe pse ai ka qenë prej disa vitesh në librari. Kjo ka ndodhur me librin “Otello” të shkrimtarit Ben Blushi, botim i UET-Press, ndaj të cilit kishte një interes në rritje dje në ditën e parë të Panarit të Librit.
Libri është vlerësuar disa javë më parë me Çmimin Europian për Letërsinë, duke shënuar herën e parë që ky çmim i jepet një autori shqiptar. “Otello”, i botuar në vitin 2009, ka tërhequr po aq shumë lexues sa libri më i fundit i autorit “Hëna e Shqipërisë”, i botuar së fundmi nga UET-Press.
Autori ka qenë dje në stendën e UET-Press në panair për të firmosur autografe për lexuesit e tij. Shkrimtari Ben Blushi u shpall fitues në Panairin e Librit në Frankfurt “Frankfurt Book Fair” dhe ceremonia zyrtare do të bëhet në Bruksel më 18 nëntor, ku çmimet do të ndahen nga Komisionerja e BE-së për Kulturën.
Konkurrimi për këtë çmim është i hapur për vendet që marrin pjesë në “Europe Creative”, një program financimi për sektorët kulturorë dhe krijues të BE-së. Çdo vit juritë kombëtare në një të tretën e vendeve (13 juri kësaj here) emërojnë autorët fitues.