Editorial

Pa dorashka për PPP-të





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 13:54 - 14/02/20 |
Zef Preci

Nga Zef Preçi


Nuk përbën ndonjë sekret të madh ajo që po ndodh aktualisht me një numër kontratash koncesionare të modelit partneritet publik-privat (PPP) në vendin tonë. Edhe një sy i lirë, fare i pastërvitur me çështjet e ekonomisë, nuk mund të mos dallojë të paktën disa prirje kryesore, që po i analizojmë këtu më poshtë.



1.Përdorimi i procesit ligjbërës të Kuvendit të Shqipërisë për të garantuar kontratat me qeverinë, përmes të cilave akaparohet apo merren peng shuma të rëndësishme nga taksat e qytetarëve në dekadën që vjen. Tashmë është një fakt i njohur që, në ndryshim nga kontratat koncesionare të administratës së mëparshme që jepeshin me vendim qeverie apo vetëm me firmën e një titullari dikasteri, vitet e fundit vihet re “ngritja e nivelit” të vendimmarrjes së tyre. D.m.th. përveç qeverisë, në këtë proces është përfshirë edhe Kuvendi i Shqipërisë, kulmi i vendimmarrjeve apo ligjbërjeve të diskutueshme të këtij institucioni të dyshuara gjerësisht si klienteliste dhe korruptive, janë ato që ndërmerren në favor të firmave të veçanta. Kjo tendencë e favorizuar nga mungesa e Gjykatës Kushtuese prej disa vitesh, nuk është frenuar as nga refuzimi për dekretim që Presidenti i Republikës iu ka bërë ligjeve në fjalë, ashtu sikurse është e qartë se përmes këtyre ligjeve marrëveshjet e tipit PPP “janë blinduar” duke u bërë kështu të pakundërshtueshme edhe në rishikimet ventuale të kontratave përkatëse në të ardhmen. Kjo gjë po ndodh në një kohë kur vendit tonë i janë adresuar shqetësime serioze kombëtare dhe ndërkombëtare për përkeqësimin e klimës së biznesit, sidomos sa u takon tërheqjes së investimeve të huaja direkte. Ndërsa qeveria është angazhuar publikisht për ngritjen e komisionit dypalësh për problemet në fushën e biznesit (p.sh. me Italinë fqinje) apo për një komision të ngjashëm për 77 marrëveshjet e pazbatuara (të gjitha) midis saj dhe qeverisë së Kosovës…


2.Mungesë vullneti politik i qeverisë për të stabilizuar praninë e kompanive off-shore dhe problematikës që shoqëron këtë prani. Qysh në vitin 2016 kur Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë publikoi në shtypin gjerman dhe atë botëror informacion të bollshëm nga dosjet financiare që rrodhën nga baza e të dhënave të Mossack Fonseca, (firma e katërt më e madhe ligjore off-shore në botë) po kryhen qindra hetime për pasuritë e pazbuluara në shumë vende. Vetëm në Francë dhe Islandë janë mbledhur mbi 1.2 miliard USD në formën e taksave të prapambetura. Në fakt, edhe autoritetet qeveritare shqiptare atëbotë kanë qenë angazhuar publikisht për të rishikuar kuadrin ligjor të vendit. Kjo ishte një nismë e dëshirueshme e ministrit përgjegjës për ekonominë dhe ministrit të Drejtësisë së kohës, por… vetëm kaq. Në fakt, prej asaj kohe, vendet perëndimore anëtare të BE-së kanë kryer modifikimet e nevojshme ligjore duke pamundësuar pjesëmarrjen e kompanive off-shore e procesin e prokurimit me fondet e këtij komuniteti si dhe kanë forcuar rregullat që ndalojnë evazionin fiskal dhe fshehjen e fitimeve prej tyre. Po kështu, edhe çështjet e sekretit bankar kanë marrë një dimension tjetër transparence, madje edhe në Zvicër. Në këtë vend të njohur si qendra më e madhe në botë për administrimin e pasurisë off-shore, prej më shumë se një viti ka filluar automatikisht shpërndarja e të dhënave të klientëve të bankave me autoritetet tatimore në dhjetëra vende të tjera. Po Shqipëria? Deri më tani nuk ka informacion zyrtar nëse ndonjë institucion apo agjenci shtetërore po punon në këtë drejtim…

3.Nxitimi për të ndryshuar pronësinë fillestare apo për të fshehur aksionerët në kompanitë e denoncuara nga opozita apo të hetuara/në proces hetimi nga institucionet ligjzbatuese të vendit dhe shërbimet partnere. Fillimi i Reformës në Drejtësi, një nevojë imediate e vendit tonë po aq e ngutshme sa edhe nevoja për mirëqeverisje, u shoqërua edhe me disa lëvizje të dukshme dhe të padukshme për ndryshimin e pronësisë legale të një numri kompanish të njohura (brand names) kryesisht me origjinë vendet e BE-së dhe zëvendësimin e tyre me kompani kineze, turke, arabe si dhe në ndonjë rast (p.sh. në sektorët strategjikë si në naftë etj.), nga kompani ruse. Në të njëjtën kohë, me sa duket nën ndikimin në rritje të oligarkisë mbi vendimmarrjet e qeverisë dhe me mbështetjen e dyshuar të elitës politike që bashkëjeton me të, është bërë diçka e zakonshme nxitimi për fshehjen e pronarëve realë të pasurive të grabitura me dhe pa ligj, me dhe pa kontrate koncesionare të formës PPP. Kuptohet se sektorët ku janë shtrirë këto kontrata si shëndetësia, përpunimi i mbetjeve, nxjerrja dhe shfrytëzimi i naftës etj., janë edhe sektorët ku kanë ndodhur dhe ndodhin edhe lëvizjet më të mëdha të pronësisë gjatë dy-tri viteve të fundit. D.m.th. mungesa e vullnetit politik në rishikimin, plotësimin, përmirësimin apo amendimin e kuadrit rregullator të veprimtarisë së kompanive off-shore dhe të PPP-ve po pamundëson vjeljen e detyrimeve fiskale të fshehura ndaj shtetit shqiptar si dhe po ndihmon në “avullimin” e qindra miliona Eurove edhe në periudhat që vijnë. Vlen të theksohet se ndryshimet në pronësinë e kompanive koncesionare, në çdo rast janë certifikuar /autorizuar nga institucionet përgjegjëse shtetërore dhe e ardhmja e afërt mund të ofrojë edhe surpriza në lëvizjet e nënujshme të këtyre kompanive…

Madje aktualisht nuk po respektohen as kontratat që në mënyrë eksplicite parashikojnë detyrimin e investitorëve për të derdhur në buxhet fitimin monopol të vjelë padrejtësisht nga taksapaguesit shqiptarë, siç është rasti i koncesionarit të Aeroportit të Rinasit që prej më shumë se një viti mban padrejtësisht 66 milionë Euro të buxhetit të shtetit dhe deri më sot askush nga administrata shtetërore nuk është marrë në ndjekje penale për këtë shkelje. Është interesante të vihet në dukje se një numër koncesionarësh, nën frikën e Reformës në Drejtësi dhe të ndërrimit eventual të pushtetit në zgjedhjet e ardhshme si masë parandaluese për ndëshkimin e tyre së bashku me elitën politike drejtuese të vendit (falë të cilës janë pasuruar duke grabitur me ligj fondet buxhetore sot dhe në 15-20 vitet që vijnë), po përdorin shitblerjen e aksioneve të kompanive off-shore si një mjet që “zhduk” gjurmët në pronësinë e tyre dhe që maskon bashkaksionerët a përfituesit e tyre nga rrjetet politike. Kjo po bëhet së bashku me përfshirjen në procese të tilla të kompanive me aksionerë shqiptarë, por të regjistruara në vende të treta ose në vendet e rajonit tonë. Në vlerësimin tim, ky fenomen ndodh edhe për faktin se pavarësisht se shumica e kontratave koncesionare të tipit PPP përmbajnë kushte juridike tërësisht në favor të kompanive klienteliste të qeverisë (pra kanë mbartur riskun në dëm të interesave publikë), pikën më të dobët të tyre kanë mosrealizimin e investimeve të premtuara. Dhe verifikimi i investimeve të kryera, nëse do të kishte vullnet politik të mjaftueshëm, është lehtësisht i mundshëm. Kjo për faktin se investimet që materializohen në një aktivitet biznesi (p.sh. në një hidrocentral) mund dhe duhet të konfirmohen nga doganat (për importet) dhe tatim-taksat për TVSH dhe sigurimet shoqërore (kur bëhet fjalë për blerje makineri-pajisje, apo shpenzime për fuqinë punëtore, brenda vendit). Për fat të keq, ndryshimi i pronësisë nëpërmjet shitblerjes së aksioneve iu heq thuajse plotësisht mundësinë autoriteteve shqiptare që të rinegociojnë kontratat për të mbrojtur interesat publikë, kuptohet nëse do të kishte vullnet politik për saktësimin e investimeve të kryera etj).

4.Përfshirja e pushtetit vendor në nënshkrimin e kontratave PPP si imitim i keq i sjelljes së pushtetit qendror. Duket paradoksale, por përdorimi i kontratave koncesionare të tipit PPP si një instrument i sigurt dhe juridikisht i mbrojtur, me risk zero, për të grabitur me ligj fondet publike sot dhe për disa dekada të ardhshme, është shtrirë prej kohesh edhe në pushtetin vendor, madje në nivele që askush nuk mund të thotë se deri ku dhe deri kur. Ndër rastet e para të bëra publike është historia korruptive e koncesionimit të parkimit në qytetin bregdetar të Vlorës në vitin 2015 në favor të një kompanie shqiptare me regjistrim në SHBA, për anulimin e të cilit nuk mjaftuan as raportimi zyrtar dhe rekomandimet përkatëse të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ndërsa rasti më i freskët është tenderi për përzgjedhjen e një kompanie në koncesion tip PPP të shërbimit për “mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbra të qytetit Laç, me afat 5 vjet dhe vlerë afro 500 mijë euro”…, (Kjo bashki ka disa mijëra banorë në çadra, shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019). Komenti do të ishte i tepërt…. E vetmja gjë që mund të thuhet është se vendimmarrje të tilla janë premisat bazë për vazhdimin e grabitjes, por edhe mjedisi në të cilin do të ngjizen edhe krizat e reja dhe do të ushqehet korrupsioni në të ardhmen.

5.OFL në veprim – si makinat që udhëtojnë me arkat bosh për të realizuar planin e kilometrave. Ka shumë mosbesim te pjesa e përgjegjshme e shoqërisë apo që shqetësohet për fatet e përbashkëta se ç’po ndodh me institucionin paralel të prokurorisë dhe SPAK-ut të njohur tashmë si OFL. E ky mosbesim shkon përkundrejt me pritshmëritë që po tenton të krijojë policia me dërgimin e njoftimeve për individë dhe pasuri që në çdo rrethanë figurojnë në databazat dhe regjistrat e shtetit, një pjesë ndoshta të certifikuar përmes ligjit antimafie… Duke besuar tek aksioma se “disa punë të pastra mund të bëhen edhe me duar të pista”, personalisht shtyhem të besoj se ky operacion mund të prodhojë ndonjë rezultat. Nuk e kam fjalën për sekuestrot dhe listën e aseteve që lexohen çdo ditë me synim të kënaqin vizualisht fukarenjtë e shumtë të këtij vendi – sekuestro që jepen “live” në TV por që iu mungon fjala “provizore” – por për konfiskimin me ligj dhe në formë përfundimtare të pasurive të krimit e korrupsionit dhe vënien e tyre në shërbim të interesave publikë, gjë që ka pak shanse të ndodhë, të paktën në statusin e sotëm të punëve. Gjithsesi si fillim fushate elektorale nuk duket keq…


Etiketa: ,

Pas