Dy ditë pasi 42-vjeçarja Rudina Kishta dogji shtëpinë e bashkëjetuesit të saj dhe tentoi të mbyste vajzat e saj binjake në lumë, djali që i shpëtoi ka treguar ngjarjen e rëndë.
Në një prononcim për “BalkanWeb” Ardimir Murataj ka treguar se nëna po tentonte të mbyste vajzat dhe veten, ndërsa ai është hedhur në lumë me një person tjetër për t’i shpëtuar.
Si e përjetuat atë moment?
Unë isha duke peshkuar në lumë dhe shoh një grua me dy fëmijë që vjen në krahun tjetër të urës matanë. Duke kaluar avash-avash u hodh direkt në lumë, njërën vajzë e kishte në krah dhe tjetrën e kapi për flokësh dhe filloi t’i zhysë. Unë kam shkuar me vrap dhe u zhyta me kokë për të kaluar në krahun matanë, ku thellësia mund të jetë më shumë se tre metra. Kam ecur me not dhe i kam hequr një gocë nga duart, ndërsa gocën tjetër e kishte kapur për flokësh dhe ka ikur pak larg. Kam ardhur me not dhe pashë që goca ishte e mbytur komplet. I kam bërë frymëmarrje artificiale, pasi e nxora nga uji dhe i shpëtova. Më pas ka reaguar edhe një peshkatar i komunitetit rom, ku ka shpëtuar gruan. Pasi doli, gruaja donte t’i mbyste fëmijët me thonj. Ne lajmëruam policinë dhe gruaja sërish tentoi të mbyste fëmijët edhe në sy të policisë.
Gruaja donte të mbytej edhe vetë?
Po normale donte të mbytej bashkë më vajzat. Ajo u zhyt me dy fëmijët prapë.
Dëgjuat të thoshte ndonjë gjë?
Jo nuk dëgjova asgjë. Ajo thoshte fëmijët janë të mitë dhe do bëj çfarë të dua. Më lini se do i mbys. Ato ishin dy engjëj dhe ishin shumë të bukura.
Vetë vajzat kërkonin ndihmë?
Ato po qanin dhe thoshin mos më largoni nga mami. Duam mamin.
Ju si u ndjetë që patë këtë skenë?
U ndjeva i shokuar. Të shohësh dy engjëj që mbyten…
Ju për çfarë vini këtu?
Thjesht për të peshkuar sepse jam i papunë.