Editorial

Paaftësi apo korrupsion?





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:55 - 09/07/20 |
Nga Klodian Tomorri

MIE miratoi dy kontrata të ndryshme për Milot-Balldren. Skandalet me kontratat koncesionare në Shqipëri nuk kanë të sosur.


Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka vendosur një precedent botëror, teksa ka miratuar të njëjtën kontratë me dy versione të ndryshme. Bëhet fjalë për koncesionin e rrugës Milot-Balldren.


Në 7 maj të vitit 2019, Ministria e Infrastrukturës i ka përcjellë për miratim Ministrisë së Financave draft-kontratën e koncesionit për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren. Pjesë e draft-kontratës ishte dhe modeli financiar, ku përshkruhej se si do të financohej projekti.


Sipas modelit financiar, përveç kredive kompania koncesionare do të financonte 19.5 milionë euro përmes furnitorëve të cilat do të përdoreshin përkatësisht 9.5 milionë euro në vitin e dytë të projektit dhe 10 milionë euro në vitin e tretë.


Pas marrjes së miratimit nga Ministria e Financave, pak ditë më vonë Ministria e Infrastrukturës e depoziton draft-kontratën e koncesionit për miratim në Kuvend, por me shifra të ndryshme.

Në draft-kontratën e dërguar në Kuvend financimi nga furnitorët është ndryshuar përkatësisht në 2.5 milionë euro vitin e parë, 3 milionë euro vitin e dytë, 7 milionë euro në vitin e tretë dhe po kaq në vitin e katërt.

E njëjta draft-kontratë, me të njëjtin numër noterial, e firmosur nga i njëjti njeri, zëvendësministri Artan Shkreli, por me shifra të ndryshme.

Diferencat në financimin nga furnitorët ndryshojnë të gjithë fluksin e parasë në ciklin e projektit. Kur tabelat e cash flow-t nuk përputhen atëherë ka dy opsione. Ose shifrat e kostos së koncesionit janë të rreme, ose projekti nuk është financiarisht i qëndrueshëm.

Rrjedhimisht lind pyetja cili është propozimi i përzgjedhur si fitues nga Ministria e Infrastrukturës, ai i dërguar në Ministrinë e Financave apo ai që i është përcjellë Kuvendit?

Skandali i dy kontratave të ndryshme të Milot-Balldren u pikas për herë të parë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë auditimit të drejtorisë së Koncesioneve në Ministrinë e Financave. Kur audituesit e KLSH kërkuan shpjegim zyrtarisht, Ministria e Financave u përgjigj se sqarimi i mospërputhjeve financiare mes dy draft-kontratave nuk është kompetencë e saj.

Në fakt Ministria e Financave ka miratuar vetëm variantin që i është dërguar asaj. Rrugës Ministria e Infrastrukturës miratoi edhe një tjetër variant të ndryshëm, që ia dërgoi Kuvendit.

Në këtë pikë lind natyrshëm pyetja; A e dinë tabelën e shumëzimit në Ministrinë e Infrastrukturës apo ndryshimi i modelit financiar të koncesionit Milot-Balldren u diktua nga shkaqe më okulte?

Për ta thënë më shkurt, pse u miratua një kontratë me dy variante të ndryshme; Paaftësi apo Korrupsion?

Megjithatë kjo pak rëndësi ka.

Në të dy skenarët, miratimi i një kontrate me dy versione të ndryshme financiare përbën shkelje të rëndë ligjore.


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas