Tiranë Ka nisur dje gjyqi ndaj deputetit Saimir Tahiri, i cili po përballet me fëmijët e kryeministrit Berisha, të cilët e kanë paditur për shpifje. Gjykata ka bërë kërkesë për pajtim të palëve, gjë që deputeti i PS-së e ka refuzuar. Ai ka pranuar jashtë dyerve të gjykatës se vazhdon të besojë, dhe këtë do t’ua faktojë dhe gjykatësve, se familja Berisha është e zhytur në korrupsion. Ai tha se në seancën gjyqësore të radhës: “do parashtroj argumentet e mia pse ende sot vazhdoj mendoj që fëmijët e Kryeministrit dhe Kryeministri vetë janë të përfshirë në korrupsion”. Ndërsa duke sqaruar pse ka refuzuar që ta mbyllë gjyqin që në nisje me pajtim, deputeti i Tiranës shtoi se këtë do ta tregojnë argumentet që do të paraqesë në të ardhmen. “Besoj e keni parë të gjithë që llumi korruptiv i qeverisë ka dalë në sipërfaqe dhe nuk ka më njeri që e dyshon këtë, përkundër faktit që gjykata, padashur të paragjykoj askënd, ka qenë fatkeqësisht pjesë e sistemit që ka skalitur sistemin e pandëshkueshmërisë”-tha më tej Tahiri. Duke pasur eksperiencën e mëparshme të gjobitjes nga gjykata, për shkak të padive të deputetes së PD-së, Albana Vokshi, Tahiri tha se tashmë është një segment i pushtetit dhe gjyqësorit që po punojnë kundër opozitës. “Mos harrojmë këtu që u bënë thuajse katër vjet nga tragjedia e Gërdecit dhe nuk ka ende asnjë të dënuar. Nesër mbushet 1 vit nga 21 Janari i vitit të kaluar ku gjenden vdekjen 4 qytetarë të pafajshëm dhe nuk ka ende asnjë njeri të dënuar nga vrasësit”, – u shpreh Tahiri.