Gjykata Kushtetuese zhvillon sot paradite, seancën e parë në lidhje me padinë e Kryetares së Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademit për zgjedhjet lokale të 30 qershorit të 2019.
Për shkak të situatës dhe rregullave në fuqi të shkaktuara nga COVID-19, zhvillimi i seancës plenare do të kryhet pa praninë e publikut. Subjektet e interesuara për çështjen janë Presidenti Republikës së Shqipërisë, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Këshilli i Ministrave, Avokati i Popullit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Partia Bindja Demokratike.
Objekti i kërkesës së Gjykatës Kushtetuese ka të bëjë me konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve si dhe për Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.
Më 18 korrik 2019, kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi ankimoi në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ku kërkon që ky proces zgjedhor të mos njihet. Ademi kërkoi se kërkesa e dorëzuar nuk ka të bëjë vetëm me ankimimin e procesit zgjedhor, por edhe me verifikimin e regjistrimit të Bindjes Demokratike.
Ademi paraqiti në Gjykatën Kushtetuese një padi në emër të bashkive të Shqipërisë, një shoqatë e drejtuar prej vetë asaj, përmes të cilës kërkon që procesi i zgjedhjeve të 30 qershorit të mos njihet.
Megjithatë në proces mund të ndikohet edhe fakti se në datën 8 qershor Voltana Ademi u shkarkua nga posti i kryetares së shoqatës së bashkive të Shqipërisë dhe në vend të saj u zgjodh kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu.
Ky vendim u konsiderua nul nga Voltana Ademi pasi personat që kanë lajmëruar shkarkimin e saj nuk janë anëtarë të shoqatës, por janë anëtarëve të Shoqatës së Autonomisë Vendore. Ajo madje ka paditur në gjykatë kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreun, ku kërkon që të shpallen të paligjshme zgjedhjet e tij në krye të shoqatës.
Kësaj padie Pjerin Ndreu iu përgjigj me faktin se Voltana Ademi nuk mund të deligjitmojë kryetarët e bashkive dhe se Shoqata e Bashkive nuk është pronë e saj. Se sa do të ndikojë ky konflikt për procesin në Kushtetuese për zgjedhjet e 2019-s pritet që të shihet.