Qeveria ka paditur penalisht kryebashkiakun e Gjirokastrës, Flamur Bime.
Padia nuk është bërë drejtpërdrejtë nga qeveria, por është përdorur Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ose ndryshe ish-INUK.
Padia është bërë gjatë ditës së sotme dhe në listë janë edhe disa zyrtarë të tjerë të bashkisë, për shkak se kanë dhënë dhe miratuar një leje për një pallat 7-katësh.
IKMT-ja ka depozituar kallëzimin penal ndaj Bimes, për shkak të një vendimi të miratuar prej tij, në kohën kur drejtonte KRRT e këtij qyteti, për ndërtimin e një pallati 7- katësh.
Sipas IKMT bëhet fjalë për një pallat në lagjen “18 shtatori” të Gjirokastrës, i ndërtuar në kundërshtim me legjislacionin shqiptar.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit pretendon se “leja është dhënë me afat një vit në vitin 2009, por më pas në kundërshtim me çdo të dhënë urbanistike dhe të ligjeve është lejuar edhe një shtesë prej 5 katesh”.
“Vendimet janë dhënë pa pasur më parë dhe pa u bazuar në asnjë plan rregullues dhe asnjë studim urbanistik pjesor të miratuar sipas ligjit”.
IKMT ka kallëzuar po ashtu edhe Kryeinspektorin dhe inspektorët e IKMT të bashkisë Gjirokastër, Ilir Çumaku, ish-sekretarin e KRRT në Bashkinë Gjirokastër, Antoneta Çako ish-sekretare e KRRT në Bashkinë Gjirokastër, si dhe ish-anëtarëve të Sekretariatit Teknik të KRRT Bashkia Gjirokastër.
Akuza për të gjithë shtetasit e mësipërm është “shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim”.