Aktualitet

Paketa KÇK, rrënimi përfundimtar i shtetit të së drejtës





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 09:01 - 03/02/20 |
Jordan DACI

Nga Jordan DACI


Këshilli i Ministrave prej kaq vitesh është kthyer nga një organ kushtetues, në dhunuesin më të madh të Kushtetutës dhe të shumë parimeve themelore të së drejtës dhe në këtë aksion me front të gjerë për shkatërrimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë në Shqipëri i është bashkuar edhe Kuvendi. Ky i fundit nga përfaqësues i sovranit dhe i interesit të përgjithshëm të shoqërisë është kthyer prej disa mandatesh në mekanizmin e kontrollit shoqëror ndaj popullit në funksion të klasës qeverisëse e cila është një klasë sunduese që prej kohësh ka shndërruar ligjin dhe të drejtën në tërësi në mekanizma për të përfituar pushtet dhe privilegje të tjera.



Është fakt i pamohueshëm që ligji prej kohësh ka humbur funksionin e tij parësor të ruajtjes dhe forcimit të interesit të përgjithshëm në funksion të bashkëjetesës shoqërore dhe është shndërruar në një mekanizëm që siguron mbrojtjen për vjedhjen që bëhet me anë të tij dhe në emër të tij. Prej kohësh në Shqipëri janë përmbysur parimet themelore të së drejtës dhe pushtetit shtetëror nga një pushtet në shërbim të sovranit është kthyer në një pushtet që vjedh çdo ditë, në një pushtet që abuzon çdo ditë, në një pushtet që po zbraz Shqipërinë, në një pushtet të babëzitur që mbahet në këmbë me gjakun e shqiptarëve të ndershëm, në një pushtet që po shkatërron në mënyrë të pakthyeshme të ardhmen e vendit tonë. Nga ana tjetër, turma e juristëve rreth pushtetit njëlloj sikurse hienat presin të rrëmbejnë nga një copë nga preja, nga ne të gjithë, nga Shqipëria jonë e dashur. Këto hiena jo vetëm që në masë të madhe janë injorantë me diplomë juridiku, por janë të gatshëm që për shefin e tyre të injorojnë çdo parim themelor të së drejtës që është njohur që nga antikiteti e deri më sot. Në të njëjtën kohë, pushteti gjyqësor është tërësisht i shpartalluar nga pushteti dhe nga zullumet e tij të thuajse 3 dekadave e për pasojë ka humbur aftësinë për të qenë mekanizmi i rivendosjes së ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Përballë kësaj situate dramatike, por shumë të vërtetë, qëndron populli i cili nga një anë lufton me varfërinë jo rrallëherë në nivelin e skamjes, me mungesën e kushteve bazë të jetesës, me mungesën e institucioneve shtetërore dhe nga ana tjetër edhe me vrasjen e shpresës.


Janë pikërisht këto disa nga arsyet së bashku me atë të mungesës së zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe fakti që meritokracia është zëvendësuar nga banditizmi dhe militantizmi që e kanë shndërruar vendin tonë, në vendin perfekt të lulëzimit të një diktature të re, jo rrallëherë edhe me të egër sesa ajo e regjimit komunist. Shembulli më i mirë i vendosjes së një diktature është pikërisht paketa KÇK ose Akti Normativ Nr. 1, datë 31.1.2020 “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”. Ky akt normativ, është mishërim i shkeljes flagrante të kushtetutës dhe gjithë trakteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që janë ratifikuar nga RSH. Konkretisht, ky akt normativ është antikushtetues për arsyet si vijojnë:

Neni 101 i Kushtetutës parashikon të drejtën e Këshillit të Ministrave në rast nevoje dhe urgjence, për të nxjerrë akte me fuqinë e ligjit dhe kriteret për ushtrimin e kësaj kompetence janë përcaktuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. 24, datë 10.11.2006. Sipas këtij vendimi, me ‘nevojë’ dhe ‘urgjencë’ do të kuptojmë rrethana dhe situata fakti që vlerësohen rast pas rasti. Së pari duhet të ekzistojë nevoja, nënkupton një gjendje jo të zakonshme në jetën e vendit ku evidentohet dukshëm rreziku i ardhjes së pasojave të dëmshme për interesat publikë ose për të drejtat themelore të shtetasve. Ky rrezik dikton nevojën e masave të menjëhershme, por që legjislacioni ekzistues nuk i mundëson dot. Nga ana tjetër është urgjenca, tregon vetëm një situatë që nuk mund të presë, ndërsa nevoja tregon substancën e saj, përcakton situatën që kërkon zgjidhje, tregon marrëdhënien shoqërore që kërkon rregullim ligjor. Sigurisht nuk mund të quhet urgjence diçka që ekziston më parë, është e parashikuar ose e parashikueshme. Për më tepër, kjo kompetencë mund të ushtrohet vetëm kur Kuvendi nuk është në gjendje ta ushtrojë. Në këto kushte, shtrojmë pyetjet për hartuesit dhe për miratuesit:

Cila është nevoja? Kur ka lindur kjo nevojë? A ka bashkëjetuar kjo nevojë me qeverisjen tuaj prej thuajse dy mandatesh? A nënkupton që sistemi i drejtuar nga ju ka dështuar në zgjidhjen e kësaj nevoje? Kush është urgjenca dhe përse nuk mund të adresohet në një mënyrë tjetër të nevojshme për një shoqëri demokratike? Përse nuk ia paraqitet Kuvendit këtë nismë? Çfarë e pengon Kuvendin që është i gjithë nën urdhra ta miratojë këtë paçavure juridike?

Kjo kompetencë kurrsesi nuk mund të ushtrohet në shkelje të Kushtetutës. Ndërkohë akti aktual bie ndesh me gjithë kreun e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe me vetë ndryshimet kushtetuese dhe legjislacionin e dalë në kuadër të Reformës në Drejtësi. Konkretisht:

– me Akt Normativ i merr kompetencat që Kushtetuta ia ka dhënë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe ia kalon Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë;

– Shkel të drejtat dhe liritë themelore të njeriut në tërësi, sidomos të drejtën për proces të rregullt, të drejtën për jetë private dhe familjare, të drejtën e pronës, të drejtën për t’u prezumuar i pafajshëm, parimin themelor të gjësë së gjykuar, kalon në mënyrë të paligjshme dhe jo proporcionale barrën e provës te subjektet, policia merr atributet e prokurorisë dhe pushtetit gjyqësor duke shkelur rëndë edhe parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor, të drejtën e sigurisë nga heqja e lirisë në mënyrë arbitrare, krijon struktura paralele me SPAK dhe mbivendos punën e saj me atë të SPAK, shkel një seri ligjesh të miratuar me shumicë të cilësuar sikurse Kodi i Procedurës Penale, Kodi Penal, ligjet mbi luftën kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit, kundër krimit të organizuar, ligjin për komunikimet elektronike, ligjin për përgjimet parandaluese etj.
– Nga ana tjetër, ky ligj do të shndërrohet në një faturë të rëndë financiare për vendin tonë si pasojë e humbjes që do të pësojë shteti në çdo proces gjyqësor kundërshtimi të masave kundër KÇK ose masave të marrëzisë kolektive të një shumice të çmendur që do të çmendi të gjithë shqiptarët.

Akti normativ vepron me fuqinë e ligjit për një periudhë kohe, maksimalisht, 45-ditore. Përkohshmëria e këtij akti lidhet me kushtin e domosdoshëm të shqyrtimit të tij nga Kuvendi, i cili nëse e miraton, e kthen atë në ligj. Çfarë do të thotë që efektet e këtij akti kufizohen me miratimin e tij brenda 45 ditëve nga Kuvendi i RSH. Ndërkohë, që qeveria i ka dhënë efekt deri në dhjetor 2020.

Kushtetuta në nenin 17 të saj parashikon që Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut mund të bëhet vetëm me ligj dhe për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të tjera. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë dhe nuk mund të cenojë thelbin e drejtave, lirive dhe detyrimeve të njeriut. Pra akti normativ shkel hapur rezervën absolute ligjore dhe është në shkelje flagrante me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Duke iu referuar përmbajtjes duket qartë që jemi para një derogimi të një serie të drejtash dhe lirish të garantuara nga Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (KEDNJ). Kësisoj, shtetit tonë i lind detyrimi që të njoftojë Sekretarinë e Këshillit të Evropës për këtë derogim dhe për shkaqet që kanë çuar dhe kohëzgjatjen e kësaj situate, e cila prek çdo person që gjendet në Shqipëri, përfshi edhe shtetasit e huaj nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës.

Pra është e qartë që jemi para një shkelje skandaloze të Kushtetutës, KEDNJ etj., e cila bëhet me qëllim dhe me vetëdije të plotë nga Këshilli i Ministrave dhe për këtë shkelësit duhet të përgjigjen pasi nuk ka shkelje më të rëndë sesa të dhunosh kushtetutën e vendit dhe ta shndërrosh atë në një letër higjienike. Kjo shkelje është shumë herë më e rëndë se shumica e veprave penale që parashikon Kodi Penal, është vepër penale kundër rendit kushtetues dhe ndaj të ardhmes së Shqipërisë.

Të dashur shqiptarë, sikurse thoshte edhe Benjamin Franklin, “Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca është detyrë”, ndryshe prisni radhën kur të jenë secili prej jush objekt i çmendurisë të quajtur KÇK.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas