Nga Kaushik Basu
Në mbarë botën, politikanët hiper-nacionalistë dhe egomaniakë po fillojnë luftëra tregtare, nxisin urrejtje dhe zvarriten drejt fashizmit. Nëse ndihem optimist, duhet të jetë sepse gjatë muajit të fundit kam qenë në rrugë dhe disi i mbrojtur nga lajmet, nga SHBA-ja në Meksikë, Kinë dhe tani në Indi. Në të gjitha vendet kam biseduar me shitës rruge, studentë dhe me të panjohur nëpër kafene dhe kur dikush e bën këtë, është e pamundur të mos habitesh nga sa të ngjashëm janë njerëzit në të gjithë planetin. Ne mund të mos dukemi, vishemi apo flasim njësoj, por njerëzimi ynë i përbashkët bëhet i dukshëm nëpërmjet bisedës dhe bashkëveprimit. Në një kohë kur urrejtja ndaj “tjetrit” është në rritje, kjo është ngushëlluese.
Udhëtimi na kujton edhe historinë tonë të përbashkët. Duke ecur në zonën Roma Norte të Meksikës, mes shtëpive të vjetra koloniale me ballkone prej hekuri të punuar dhe muraleve të Alfred Hitchcock, Sigmund Freud dhe të tjerëve, dallova një tabelë ku shkruhej “M.N. Roy”. Ishte një klub nate që mbante emrin e revolucionarit indian M.N. Roy, i cili jetoi në Meksikë bashkë me gruan e tij amerikane, aktivisten Evelyn Trent, në fillim të shekullit të njëzetë.
Nga Meksika, udhëtova në anën tjetër të botës, ku drejtova një kongres në Xiamen, në Provincën Fujian të Kinës. Isha i shqetësuar, pasi së fundmi kisha dëgjuar një histori për një ekonomist amerikan i cili dyshoi që një shaka që ai do të tregonte në një leksion publik do t’i mbijetonte përkthimit. Ai u gëzua shumë kur publiku shpërtheu në të qeshura. Gjatë darkës ai mësoi se shakaja ishte përkthyer si: “Ekonomisti amerikan po tregon një shaka. Ju lutem, qeshni”. Fatmirësisht për mua, nuk pati nevojë për përkthim sepse të gjitha leksionet në Universitetin Xiamen tani bahen në gjuhën angleze. Pas Xiamenit, udhëtova në Quanzhou, një vend akoma më i lashtë kulturor. Ky nuk qe vetëm shtëpia e Lao Tzu për pak kohë, themeluesi i Taoizmit, por gjithashtu edhe një port ku ka ndaluar Marko Polo.
Gjatë kohës që isha në rrugë, hasa shumë lajme dhe jo të gjitha ishin të këqija. Në Meksikë, më pëlqeu presidenti i ri, Andres Manuel López Obrador, dhe vizioni i tij për një shoqëri më të paanshme. Ka rreziqe që ai do të bëjë gabime politikash. Por në një botë që sundohet gjithnjë e më shumë nga mashtrimi, një lider me qëllime të mira është një shtesë e mirëpritur. Gjeta pak shpresë gjithashtu edhe në gjasat në rritje që Trumpi do të rrëzohet nga pushteti dhe në fitoret e fundit mbi nacionalizmin dhe populizmin e viteve të fundit. Në zgjedhjet rajonale të Indisë në nëntor dhe dhjetor, njerëz të zakonshëm – përfshirë edhe hindutë – refuzuan me vendosmëri ideologjinë shinististe Hindutva të shitur nga politikanë nacionalistë si Yogi Adityanath. Edhe një nga urdhrat hindu më të spikatur e refuzoi fundamentalizmin. Në prag të Krishtlindjes, Swami Suparnananda, një figurë kryesore në Misionin Ramakrishna, qëndroi së bashku me kryepeshkopin katolik të Kalkutës dhe u kujtoi njerëzve “mesazhin e madh të Swami Vivekananda se një hindu i mirë është një i krishterë i mirë, një i krishterë i mirë është një hindu i mirë, një mysliman i mirë është një i krishterë i mirë”.
Në fund, gjeta shpresë duke lexuar “Sapiens: Një histori e shkurtër e njerëzimit”, 443 faqet e historianit Yuval Noah Harari për 2.5 milionë vitet e fundit në Tokë. Fillova ta lexoja me skepticizëm, por shumë shpejt më bëri për veten. I shkruar me dhuntinë e një filozofi dhe i ndërthurur me humor, ai më solli në mendje takimin tim në adoleshencë me “Një Histori e Filozofisë Perëndimore” i Bertrand Russell. Duke na kujtuar që njerëzit zënë një vend shumë të vogël në univers, ai arrin atë që shumë pak libra e bëjnë: Na vendos ne në vendin që na takon.
Optimizmi per 2019 ben qe te mos kete realizem.