Aktualitet

Pakti ishte hileja, por ligji dhe autonomia universitare është problemi





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:05 - 24/01/20 |
Mirela Karabina

Nga Mirela Karabina


Universiteti dhe studentët janë duke kaluar periudhë tejet të vështirë. Megjithëse protesta studentore e dhjetorit të 2018-ës kryqëzoi qeverinë duke rrëzuar gjysmën e saj, gjunjëzoi universitetin duke dëshmuar varësinë nga pushteti i strukturave më të larta drejtuese pasi i rreshtoi krah tij rektorë e dekanë, sot duket se gjendja në universitete është përkeqësuar. Me hartimin e një farse-pakt për të “shpëtuar” nga protesta dhe kthimin në auditorë të studentëve duke minimizuar problemet reale në Arsimin e Lartë me VKM-ra dhe urdhra në kundërshtim me ligjin që ato vetë kishin miratuar, Qeveria dhe Ministria e Arsimit po përpiqen të “kalojnë lumin” edhe një vit pas. Por, me pakt dhe pa pakt, fakt është që Ligji i Arsimit të Lartë, aq shumë i kontestuar nga stafet akademike, por jo vetëm, i jep pushtet qeverisë mbi universitetin, dhe mungesa e akteve nënligjore pas hyrjes në fuqi të ligjit në tetor të 2015-ës dëshmon për shkallmimin në themel të autonomisë, lirisë akademike dhe asaj financiare universitare.


Pra, këtu qëndron problemi!


Çdo përpjekje për të mbuluar këtë katrahurë është jo vetëm mjerane, por në dëm të studentëve për cilësinë e arsimimit, familjeve të tyre për shërbimin e shtrenjtë, të shoqërisë e cila kërkon studentë të aftë që ta zhvillojnë atë.


Dhe, pikërisht në këto kushte, në një dalje publike të disa ditëve më parë, ministrja e Arsimit në vend që të informonte publikun dhe të jepte zgjidhje sepse është në përmbushje të detyrimit institucional, deklaroi pozicionin e njëanshëm të saj, jo në krah të studentëve dhe universitetit.

Kështu, ministrja tha:

-shpalljen e datës së zgjedhjeve në universitete duke uruar për të zgjedhurit e duhur, megjithëse influenca e ministrisë ka qenë e dukshme në zgjedhje të mëparshme, dhe kundërshtia prezente kur nuk janë zgjedhë vartësit e saj në krye të universitetit (rasti i Rektorit të Universitetit të Tiranës, dhe heshtja e drejtuesve të universiteteve përballë protestës studentore);

– rihapjen e ciklit të tretë të studimeve “Doktoraturë”, por pa shpjeguar arsyet e mbylljes prej 5 vitesh dhe dëmin e shkaktuar në zhvillimin cilësor të stafit akademik dhe pakësimin e të ardhurave për universitetin;

– lehtësimin e hapjeve të programeve të reja studimi nga universiteti në një aplikim online, por pa shpjeguar procedurat penguese të mëparshme dhe, nëse Ministria e Arsimit ka qenë apo jo e vetëdijshme për paefektshmërinë e programeve të shumta studimi të miratuara nga vetë ajo, të cilat nuk kanë lidhje me tregun e punës;

-kontrollin plagjiaturë nëpërmjet programit që do të monitorohet nga RASH (Rrjeti Akademik Shqiptar, që në shkelje të ligjit ngarkuar nga ministria menaxhon trurin elektronik të studentëve aplikantë për në universitete), por pa sqaruar pse ka munguar deri më tani ky program;

-realizimin me “sukses” të pikave të Paktit për Universitetin në lidhje me kartën e studentit e cila siguron vetëm abone dhe vizita në muze, por pa sqaruar që pse kjo kartë nuk ofron shërbime në shëndetësi, në librari, në ushqime siç ligji e kërkon? Dhe, pse kjo vonesë 7-vjeçare?

-realizimin me “sukses” të pikave të Paktit për Universitetin në lidhje me zgjedhjen nga studentët të përfaqësuesit të Ministrisë së Arsimit në Bordin e Administrimit, por pa shpjeguar pse ministria ka bllokuar zgjedhjet e bordit në dy universitete, në Universitetin e Tiranës dhe Politeknikut gjoja me argumentin se studentët kanë zgjedhur një pedagog të brendshëm dhe është në konflikt interesi, edhe pse nuk ka qenë në kriteret e pranimit? Por, edhe pse studentët kanë bërë zgjedhjen e tyre, ka qenë ministria që ka vendosur kandidatin fitues për në bord dhe në universitete të tjera duke dëshmuar kontrollin financiar të universitetit nga vetë ajo.

Pra, në bilancin e punës së saj në këtë fillim viti, përveç dy apo tri vulosjeve, Ministria e Arsimit do t’i referohej Paktit të një viti më parë si fillesë e zgjidhjes së problemeve në arsimin e lartë.

Pra, ky qenkësh pragu, ky qenkësh halli i universitetit që kërkon zgjidhje!

Jo vetëm e turpshme por dhe e pamoralshme të minimizosh problemin në këtë farë soji, pasi Ministria e Arsimit ka detyrim institucional, se atë moral nuk e njeh, të shpjegojë dhe të mbajë përgjegjësi për faktorët realë që kanë çuar në rrënimin e arsimit të lartë.

Kështu:

Pse qeveria ndërmori një reformë në arsimin e lartë kur nuk parashikoi rritje të buxhetit për arsimin? Premtoi 5% të PBB (Prodhimi i Brendshëm Bruto) që është kufiri minimal i vendeve të hapësirës europiane, por e la atë në nivelin 3.29% të PBB, duke investuar 500-800 euro për student, krahasuar me 18 mijë Euro për student në Europë. Pale pastaj për kërkim shkencor, as që bëhet fjalë fare.

Pse qeveria dhe Ministria e Arsimit futën në fuqi Ligjin e Arsimit të Lartë me nene jo shteruese, pra me mungesë të 43 akteve nënligjore duke futur në kolaps institucional universitetin? Pasi shpeshherë VKM-të dhe urdhrat e tyre kanë rënë ndesh me ligjin që ato vetë kanë miratuar, edhe ato të Paktit për Universitetin.

Cila është strategjia e qeverisë për uljen e tarifës së studimit e cila është e papërballueshme për një pjesë të familjeve për një vend si yni, ku ritmet e papunësisë janë të larta dhe të ardhurat për frymë në nivel minimal?

A ka një plan konkret emergjent, një strategji vepruese për rrjedhjen e trurit, largimin masiv të të rinjve për studim dhe punësim? Shifrat e INSTAT janë alarmante, 130 mijë studentë e të rinj më pak në shkolla sepse duan një shkollim cilësor dhe diploma me vlerë që kërkon tregu i punës. Dhe kjo sjell kapacitete njerëzore më pak cilësore në vend, krah pune në rënie dhe rrënim ekonomik. Dhe, për këtë nuk ka asnjë plan konkret.

E pra, këto janë problemet e thella që përball Arsimi i Lartë në Shqipëri, këto janë çështje që kërkojnë zgjidhje, këto janë halli i madh i studentëve dhe familjeve të tyre, ky është problemi real i universitetit.

Tashmë, mbërthyer fytish prej qeverisë, universiteti vetëm do të vazhdojë rrënimin e pashmangshëm …

Dhe për ketë, Qeveria dhe Ministria e Arsimit me reformën e tyre të dështuar janë përgjegjësit e parë…

 


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas