Kryesore

Pakti për zgjedhjet/ Sot dita vendimtare, 4 çështjet që mbajnë pezull marrëveshjen





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:16 - 03/06/20 |
Armand Maho

Mbledhja e Këshillit Politik për reformën zgjedhore, nuk ka arritur të prodhojë dje një produkt, me gjithë interesimin e madh të ndërkombëtarëve. Takimi u zhvillua në rezidencën e Ambasadës Amerikane në Tiranë, por sërish për 9 orë me radhë nuk u gjet dakordësia mes palëve, dhe negociatat u shtynë për sot. Katër janë çështjet për të cilat mazhoranca po reziston fort. E para, përbërja e komisioneve zgjedhore, e dyta riformatimi i KQZ, e treta ka të bëjë me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese si Kolegj Zgjedhor, dhe e katërta, qeveria kujdestare.


Në takim morën pjesë Ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim, Ambasadori i BE-së Luigi Soreca, dhe ai britanik Duncan Norman. Nga ana e saj, zonja Kim, u ka bërë thirrje palëve që në rast se gjendet gjuha e përbashkët, ndryshimet mund të shkojnë dhe përtej rekomandimeve të ODIHR, por në rast të kundërt, atëherë palët duhet të lëshojnë nga pozicionet e tyre.


“Qëllimi ynë sot dhe dje, pasi ne do të takohemi sërish, është që të prodhohet një reformë që të plotësojë rekomandimet e ODIHR, në mënyrë që Shqipëria të jetë anëtare me të drejta të plota në BE. Nëse partitë do të arrijnë konsensus për masa që shkojnë përtej rekomandimeve të ODIHR, ne do të biem dakord me to. Por, nëse konsensusi përtej rekomandimeve të ODIHR apo kundër këtyre rekomandimeve nuk është i mundur, atëherë partitë do të duhet t’i tërheqin këto kërkesa”, tha Ambasadorja e SHBA.


Ambasadori i BE, Luigi Soreca nga ana e tij, iu kujtoi forcave politike, rëndësinë që ka përfundimi dhe implementimi i reformës zgjedhore në negociatat për anëtarësim.


“Për BE është e rëndësishme që të përmbushen kushtet dhe të nisë procesi. Kufijtë janë rekomandimet e OSBE/ODIHR. Kjo është ajo që BE kërkon. Shumë shpejt KE do të prezantojë kornizën negociuese dhe arritja në reformën elektorale do ta bëjë këtë punë më të lehtë. Dua të falënderoj të gjitha palët për qasjen e tyre konstruktive. I ftoj të gjithë të vijojnë me të njëjtën qasje dhe nesër. Kemi një mundësi që le të mos e shpërdorojmë”, tha Soreca.

Më optimist u shfaq ambasadori britanik, i cili shpreson që sot të bëhet i mundur përfundimi i reformës zgjedhore. “Është thelbësore që këtë ta përfundojnë nesër, jo vetëm që Shqipëria të vazhdojë rrugën e saj drejt BE por edhe votuesit shqiptarë të kenë zgjedhje të lira herës tjetër. Le të përfundojmë këtë punë”, tha Norman.

Komisionet zgjedhore
Në një nga rekomandimet e OSBE/ODHIR vihet theksi te depolitizimi i administratës zgjedhore. Opozita i druhet faktit se një administratë e ashtuquajtur e “depolitizuar”, në kushtet e Shqipërisë është e vështirë për t’u arritur. Në këto kushte, zgjedhjet do të administroheshin nga persona të cilët punojnë në administratën shtetërore, të rekrutuar në mënyrë të dyshimtë, dhe të infiltruar nën petkun e njerëzve pa parti. Në një moment kur nuk bëhet i mundur identifikimi biometrik i zgjedhësve, për opozitën kjo lë hapësira të shumta manipulimi.

Nga ana e saj, mazhoranca nuk ka dhënë garanci për implementimin e sistemit biometrik në zgjedhje, pra ku votuesi të japë veç gjeneraliteteve, dhe shenjat e gishtave. Kjo do bënte që në emër të personave që janë larguar jashtë vendit, ose dhe që janë ndarë nga jeta, të votojnë persona të tjerë. Në këto kushte, pra kur nuk është implementuar kjo metodologji, opozita propozon ndarjen politike të anëtarëve në komisione, me formulën 3-3-1. Ku tre i takojnë opozitës, tre mazhorancës, dhe njëri është përfaqësues i KQZ. Në rast të kundërt, pra në kushtet kur garantohet identifikimi biometrik, opozita ka kërkuar dhe pjesëmarrjen e vëzhguesve të partive pa të drejtë vote. Dy të jenë të opozitës dhe dy të jenë të mazhorancës me qëllim që të monitorojnë procesin.

KQZ
Një temë tjetër e diskutueshme është dhe struktura e KQZ. Ky institucion është propozuar të jetë me tre ndarje, njëra ka të bëjë me procesin legjislativ dhe infrastrukturën, e dyta me ankimimet që mund të vijnë nga subjektet, dhe e treta të ketë rolin e ekzekutivit që monitoron dy të parat. Propozimi i opozitës është që legjislacioni, organizimi dhe ankimimet t’i drejtojë mazhoranca, ndërsa opozita të ketë ndarjen ekzekutive që ka dhe qëllim monitorues.

“Pra, ne nuk kërkojmë as administrim fondesh dhe as organizim zgjedhjesh, kërkojmë ndarjen që kontrollon procesin dhe kjo është krejt normale”, thanë për MAPO burime opozitare.

Ndërsa për sa i përket çështjes së tretë, ajo ka të bëjë me Gjykatën Kushtetuese, e cila mund të kryejë punën e kolegjit zgjedhor si institucion më i besueshëm, ndërsa vetë kolegji zgjedhor të bëjë certifikimin e tabelave përmbyllëse të rezultateve.

Pra, mos jenë komisionet ato që të vendosin vulën përfundimtare por të jetë ky institucion që t’i certifikojë ato. Këto janë çështjet teknike për të cilat, këshilli politik nuk po gjen dakordësi. “Për sa i përket çështjes së qeverisë Tranzitore, ajo i përket vullnetit politik të mazhorancës”, shprehen të njëjtat burime.


Etiketa: , ,

Pas