Nga Gjergj Meta
Sot është përvjetori i Revoltës së Spaçit, një gurthemeli i rezistencës antikomuniste, pikërisht brenda strukturave të saj.
Dihej mirë si do të përfundonte dhe ashtu përfundoi. Gjakshëm! Një ndër ta, pikërisht nismëtari, ishte Pal Gjergj Zefi, nga Fshati Rrushkull i Durrësit, aty ku jam lindur e rritur edhe vetë.
Si fëmijë emrin e tij dhe të vëllait Gjokës (të dy të burgosur për agjitacion e propagandë) i dëgjonim me zë të ulët në shtëpitë tona.
Tani emrin e Pal Zefit e mban shkolla nëntëvjeçare e fshatit, por Pali ende nuk e ka një varr. Palin e kanë pushkatuar në Mirditë, diku rrugës për Gziq, ku rëndom pushkatonin të dënuar me vdekje. Kur erdha ipeshkëv në Mirditë familjarët ma lanë amanet të pyes nëse dikush din diçka për vendin ku janë pushkatuar e varrosur, që ta gjejmë e t’i bëjmë një varr.
Ka njerëz që dinë, apo kanë ditur, por kanë zgjedhur të mos flasin e t’i shkojnë deri në fund cinizmit të pushtetit gjakatar komunist. Kanë vendosur ta marrin poshtërsinë edhe në varr e të mos çlirohen prej saj. Nëse do të tregonin do të lehtësonin veten dhe familjarët.
Megjithatë sot ndjej detyrë t’i përkujtoj ato burra që bënë revoltën kundër regjimit në Spaç. E uroj që e keqja mos të na përgjumë kurrë as në orën më të keqe të natës …
Pushofshi në paqe Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashaj!